Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve organizon takimin mbi “Analizën e Performancës për Sektorin Ujësjellës Kanalizime, 2017”

Gjatë prezantimit në takim, nga e majta në të djathtë:  Znj. Vilma Bibolli, Drejtore, Drejtoria e Monitorimit dhe Benchmarking, AKUK;  Z. Arben Skënderi, Drejtor i Përgjithshëm, AKUK;  Z. Damian Gjiknuri, Ministër i MIE, Z. Hantin Bonati, Zv. Ministër i MIE Foto nga SHUKALB

Gjatë prezantimit në takim, nga e majta në të djathtë: Znj. Vilma Bibolli, Drejtore, Drejtoria e Monitorimit dhe Benchmarking, AKUK; Z. Arben Skënderi, Drejtor i Përgjithshëm, AKUK; Z. Damian Gjiknuri, Ministër i MIE, Z. Hantin Bonati, Zv. Ministër i MIE
Foto nga SHUKALB

Me datë 8 Maj 2018, në Tiranë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) organizoi një takim me perfaqësues të shoqërive ujësjellës kanalizime, pushtetit vendor, donatorë, dhe aktorë të tjerë të sektorit.  Qëllimi i takimit ishte të prezantohej mbi ecurinë e zbatimit të aksionit për ujin, sfidat dhe prioritetet e qeverisë, situatën e përgjithshme dhe vlerësimin e performancës së sektorit dhe shoqërive të Ujësjellës Kanalizimeve.

Në takim morën pjesë Z. Damian Gjiknuri, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), dhe Z. Hantin Bonati, Zv. Ministër i MIE,  dhe u drejtua nga Z. Arben Skënderi, Drejtor i AKUK dhe Znj. Vilma Bibolli, Drejtore, Drejtoria e Monitorimit dhe Benchmarking, AKUK.

Ministri Gjiknuri në fjalën e tij u ndal te rezultatet e “aksionit për ujin” të ndërmarrë së fundmi, duke theksuar se rezultatet kanë qenë të ndryshme ku disa bashki kanë më tepër rezultat, ndërsa të tjera nuk kanë dhënë shumë.  “Disa rezultate paraprake janë domethënëse, pra janë mbi 25 mijë e 300 kontrata të reja të lidhura. Janë mbi 55 mijë ujëmatës të instaluar dhe ndërkohë duhen të jenë edhe 300 mijë të tjera që duhet të instalohen.  Janë 9 milionë euro të tjera të ardhura nga aksioni”, – tha Ministri Gjiknuri.

Në vazhdim, Ministri Gjiknuri theksoi nevojën për rritjen e kapaciteteve të njerëzve që punojnë në shoqëritë ujësjellës kanalizime, duke iu referuar punës që SHUKALB po bën në partneritet me MIE në kuadër të projektit të financuar nga USAID, për krijimin e një Programi Certifikimi të bazuar në testim për stafin e shoqërive ujësjellës kanalizime.  “Me donatorët po bashkëpunojmë për trajnimin e gjithë stafeve të ujësjellësve sidomos stafeve manaxheriale dhe ka një program, një marrëveshje tashmë të dakordësuar edhe me USAID-in për certifikimin e tyre.  Nuk mund të jetë menaxher ujësjellësi një person i cili nuk ka dijeni minimale në menaxhimin e një ndërmarrjeje, qoftë nga pikëpamja mund të jetë me background teknik inxhinier, po qoftë nga pikëpamja e menaxhimit ekonomik. Shpesh herë ndodhemi para fakteve që stafi menaxherial aty nuk ka asnjë arsim apo eksperiencë që mund të përputhet me menaxhimin e një korporate publike”, – tha Ministri Gjiknuri.

Pas fjalës së Ministrit Gjiknuri takimi vazhdoi sipas pikave të axhendës ku u prezantua analiza e performancës së sektorit për vitin 2017, e paraqitur në mënyrë grafike në powerpoint, duke u ndalur në tema si:  bilanci i ujit të pijshëm, zgjerimi i shërbimeve, struktura e kostos, situata financiare e sektorit, investimet sipas natyrës dhe burimit të financimit, impakti i investimeve në zgjerimin a shërbimeve UK dhe ITUN, vlerësimi krahasues i performancës së shoqërive UK, etj.