Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Z. Peter Zingraf viziton Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime Lezhë dhe Shkodër

Ambasadori Zingraf (në të djathtë) dhe Zef Maçi, Drejtor, UK Lezhë duke u intervistuar nga gazetarë gjatë vizitës në ambjentet e UK Lezhë
Foto nga Agjencia Telegrafike Shqiptare

Më 7 tetor 2019, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Z. Peter Zingraf, vizitoi ambjentet e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Lezhë (UK Lezhë) ku u prit nga drejtori Ing. Zef Maçi dhe stafi i Shoqërisë.  Të pranishëm ishin dhe përfaqësues të Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW) dhe gazetarë të mediave të ndryshme.

Gjatë takimit të organizuar me këtë rast, z. Zingraf vlerësoi investimin e realizuar përgjatë viteve 2015-2018 pranë UK Lezhë nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me partnerët gjermanë e zviceranë, i cili ka sjellë rezultate shumë të mira, duke ofruar një model suksesi që mund të shtrihet dhe në qytete të tjera, si dhe në projekte të tjera zhvillimore në këtë qytet.

Mendoj që në rastin e këtij projekti kemi të bëjmë me një rezultat mjaft të mirë të bashkëpunimit të të dy qeverive tona të përfaqësuara nga Bashkia Lezhë dhe UK Lezhë nga njëra anë dhe nga ana tjeter pala Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW)”,  – u shpreh Ambasadori.

Në vazhdim, Ambasadori Zingraf theksoi kontributin pozitiv që projekti ka patur jo vetëm në përmirësimin direkt të cilësisë së jetës së qytetarëve të Lezhës, por duke e parë dhe në dimension më të gjerë në ndikimin e vet, si në zhvillimin e turizmit, furnizimin me ujë të pijshëm të zonave rurale, si dhe projekte të tjera të cilat do ta afrojnë rajonin e Lezhës me standartet e BE-së dhe do të reduktojnë rrezikun e përmbytjeve të zonave.

I intervistuar nga gazetarët me rastin e vizitës, drejtori Maçi u shpreh: “Ne shërbejmë 24 orë për më shumë se 55,000 banorë ujë të pijshëm.  Uji shkon direkt në çezmat e konsumatorëve. Uji jo vetëm që pihet, por është brenda të gjitha standardeve të BE-së”.

Në përfundim të vizitës, Ambasadori Zingraf, inspektoi rezervuarin e UK Lezhë, ku shprehu sërish suksesin e projektit, si një model për t’u përsëritur në projekte të tjera të ngjashme.

Ambasadori Zingraf dhe Mark Molla, Drejtor, UK Shkodër duke u intervistuar nga gazetarë gjatë vizitës në Impiantin e Trajtimit të Ujit të Ndotur në Shirokë
Foto nga UK Shkodër

Ditën e nesërme, më 8 tetor, Ambasadori Zingraf vizitoi Impiantin e Trajtimit të Ujit të Ndotur në Shirokë, ku u prit nga z. Mark Molla, Drejtor i Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Shkodër (UK Shkodër).  Ndërtimi i Impiantit është mundësuar përmes një investimi të Bashkimit Evropian dhe që prej tre vitesh është në funksionim të plotë.

Ambasadori Zingraf vlerësoi investimin dhe u shpreh që edhe në të ardhmen të bëhen investime në këtë sektor që ndikojnë drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit.

Nga ana e tij, drejtori Molla tha se Qeveria Gjermane ka miratuar investimin e një projekti për një Impiant Trajtimi të Ujërave të Ndotura për qytetin e Shkodrës i cili do të zgjidhë përfundimisht çështjen e ujit të ndotur.

Në përfundim të takimit, Ambasadori Zingraf deklaroi se shteti i tij do vijojë të mbështesë projekte të tilla të rëndësishme dhe që japin një zgjidhje të qëndrueshme qytete të pastra në Shqipëri.