Anisa Aliaj e SHUKALB e përzgjedhur mes 1.000 talenteve botërorë në programin UNLEASH Innovation Lab 2018

Anisa Aliaj, Specialiste për Hartimin e Kurseve të Trajnimit për Kanalizimin dhe Trajtimin e Ujërave të Ndotura, SHUKALB (në qendër),mes pjesëmarrësve të tjerë në UNLEASH Innovation Lab 2018 Foto nga SHUKALB

Kohët e fundit, Anisa Aliaj, Specialiste për Hartimin e Kurseve të Trajnimit për Kanalizimin dhe Trajtimin e Ujërave të Ndotura pranë SHUKALB, u përzgjodh nga 1.000 talente anembanë botës për të marrë pjesë në UNLEASH Innovation Lab 2018. SHUKALB është i gëzuar të ndajë përvojën e saj në këtë event përmes fjalëve të saj:

“Si një Profesioniste e Re e Ujit duke përfaqësuar Shqipërinë, u ndjeva e nderuar dhe me fat që u përzgjodha midis 7000 aplikantëve në programin UNLEASH Innovation Lab 2018, në Singapor, nga 30 Maj deri me 8 Qershor 2018.  UNLEASH është një iniciativë globale jo fitimprurëse që ka si qëllim adresimin e Ojektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.  Eventi i këtij viti mblodhi së bashku 1000 talente nga 108 shtete të ndryshme, të cilët punuan intesivisht për zgjidhjen e disa prej sfidave më emergjente globale.

Gjatë këtij programit tetë-ditor ne kaluam përmes një sfide gjithëpërfshirëse inovative nën udhëheqjen e ekspertëve teknik dhe komercial.  Të ndarë në grupe, punuam për identifikimin e problemeve për secilin prej Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, krijuam zgjidhje dhe avancuan idetë tona përmes procesit të inovacionit.  Në fund të programit, ne prezantuam zgjidhjet tona para pjesëmarrësve, investitorëve dhe ekspertëve nga kompani, fondacione dhe shoqata globale.

Konkretisht, unë u fokusova në Objektivin 6 të Zhvillimit të Qëndrueshëm “Sigurimi i disponueshmërisë dhe administrimit të qëndrueshëm të ujësjellës kanalizimeve për të gjithë”.  Së bashku me katër kolege të tjera nga Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Nigeria, punuam për të zgjidhur problemin e vdekshmërisë së fëmijëve në komunitetet rurale në Nigeri, kryesisht të shkaktuara nga kontaminimi me plumb i ujit të pijshëm si pasoj e aplikimit të minierave artizanale të arit. Në fund të programit arritëm të propozojmë një sistem të thjeshtë dhe me kosto të ulët për largimin e metaleve të rënda nga uji i pijshëm. Pas disa investigimeve dhe testimeve të mëtejshme, ky sistem mund të përdoret efektivisht për të parandaluar helmimin nga metalet e rënda në komunitetet e varfra rurale.

“Ky event nuk është fundi, por vetëm fillimi” theksohej vazhdimisht nga organizatorët dhe drejtuesit e këtij programi.  Tani, mund të them se pajtohem plotësisht me ta, programi nuk ishte fundi për ne si ekip dhe padyshim ishte vetëm fillimi i udhëtimit tim si pjesë e komunitetit UNLEASH.”