DITA BOTËRORE E UJIT 2020 – “UJI DHE NDRYSHIMET KLIMATIKE” DHE FUSHATA “TË GJITHË SËBASHKU NË DITËN BOTËRORE TË UJIT” TË NDIHMOJMË PËR TË NDALUR SHPËRTHIMIN E VIRUSIT CORONA (COVID-19)


 

NJOFTIM PËR SHTYP

 

PËR NJOFTIM TË MENJËHERSHËM
20 Mars, 2020

 

DITA BOTËRORE E UJIT 2020

“Uji dhe Ndryshimet Klimatike” dhe fushata “Të Gjithë Sëbashku në Ditën Botërore të Ujit” të ndihmojmë për të ndalur shpërthimin e virusit Corona (COVID-19).

Në të gjithë globin çdo vit, 22 Marsi festohet si Dita Botërore e Ujit (DBU), e shpallur nga Kombet e Bashkuara për të tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë e ujit.  Tema e DBU 2020 është “Uji dhe Ndryshimet Klimatike” dhe qëllimi është të tregojë se si të dy janë të lidhur në mënyrë të pandashme me njëri-tjetrin.  Ndërsa të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe duke e përjetuar, kjo DBU na gjen të gjithëve në një situatë të pazakontë dhe shumë sfiduese, pasi ne dhe e gjithë bota jemi duke u përballur me shpërthimin e virusit Corona (COVID-19).

SHUKALB ka një histori të gjatë të festimit të DBU-së përmes aktiviteteve të ndryshme për edukimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik të organizuara nga shoqëritë ujësjellës kanalizime në të gjithë Shqipërinë.  Aktivitetet në të kaluarën përfshinin shpërndarjen e mesazheve ndërgjegjësuese për konsumatorët, aktivitete që angazhojnë fëmijët e shkollave të vizitojnë impiantet e trajtimit të ujit të ndotur dhe të mësojnë rreth trajtimit të ujit të ndotur, si dhe aktivitetet e monitorimit të burimeve ujore të organizuara me fëmijët e klasave të 8-ta, si pjesë e Programit të SHUKALB, Sfida Botërore e Monitorimit të Ujit.  Të gjitha këto aktivitete janë anulluar për këtë Ditë Botërore të Ujit, ashtu si dhe OKB ka anulluar ose shtyrë shumë aktivitete të tjera të Ditës Botërore që përfshijnë kontaktet midis njerëzve.

Në vazhdim, SHUKALB ka anulluar të gjitha aktivitetet që përfshijnë takime midis njerëzve, si trajnime dhe mbledhje e workshope që kanë të bëjnë me Projektet e tij aktuale për pjesën tjetër të këtij muaji, si dhe për muajin Prill, dhe do t’i ri-programojë ato në kohën më të përshtatshme, në përputhje me udhëzimet e Qeverisë Shqiptare.  SHUKALB mbështet fuqimisht të gjitha masat për të ndalur përhapjen e virusit Corona, dhe bashkohet me thirrjen dhe udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) që promovojnë një higjenë më të mirë, si një nga masat për të ndalur COVID-19.  Në vecanti, SHUKALB sjell në vëmendjen e shoqërive ujësjellës kanalizime udhëzimet e dhëna në përmbledhjen teknike të OBSH-së “Furnizimi me Ujë, Kanalizimet, Higjena dhe Menaxhimi i Mbetjeve për virusin COVID-19”.

SHUKALB do të monitorojë nga afër situatën në zhvillim me shpërthimin e COVID-19 në Shqipëri, dhe është e angazhuar të sjellë informacione të rëndësishme dhe të dobishme për anëtarët e tij, si dhe më gjerë komunitetin e ujit në Shqipëri, përmes mediave të tij sociale si dhe kanaleve të tjera të komunikimit.

Përveç mjekëve dhe personelit mjekësor që janë heronjtë e këtyre ditëve, në këtë DBU mendimet dhe mirënjohja jonë shkojnë te burrat dhe gratë që vazhdojnë të punojnë çdo ditë për të siguruar shërbimet tona jetësore të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Puna juaj vlerësohet shumë çdo ditë dhe në veçanti këto ditë në këtë kohë krize.

Së fundmi, SHUKALB mbështet fushatën e OKB-së “Të Gjithë Sëbashku në Ditën Botërore të Ujit” për të ndihmuar në ndalimin e shpërthimit të virusit Corona (COVID-19).  Le të mos harrojmë të bëjmë pjesën tonë, që është mirëmbajtja e higjenës së duhur të duarve dhe aplikimi i distancimit shoqëror, dhe për ata prej nesh që munden, të qëndrojnë në shtëpi. Ne mund ta fitojmë këtë luftë vetëm së bashku, dhe kështu do të ndodhë.

___________________________________________________________________________

Dita Botërore e Ujit është një kremtim ndërkombëtar dhe një mundësi për të mësuar më shumë rreth çështjeve të lidhura me ujin, të frymëzohesh për t’u treguar të tjerëve dhe të marrësh masa për të bërë një ndryshim.  Dita Botërore e Ujit daton në Konferencën e Kombeve të Bashkuara të vitit 1992 mbi Mjedisin dhe Zhvillimin ku u rekomandua një kremtim ndërkombëtar për ujin.  Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara u përgjigj duke përcaktuar  datën 22 mars 1993 si Ditën e parë Botërore të Ujit. Ajo është mbajtur çdo vit që prej atëherë. Çdo vit, UN-Water – subjekti që koordinon punën e OKB-së për ujë dhe higjenë- përcakton një temë për Ditën Botërore të Ujit që korrespondon me një sfidë aktuale apo të ardhshme.  Fushata angazhuese koordinohet nga një ose disa prej Anëtarëve të UN-Water.

Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë (SHUKALB), e themeluar në vitin 2000, është një Shoqatë profesionale, jofitimprurëse e profesionistëve në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, e cila synon te përmirësojë menaxhimin e Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve në Shqipëri, për ta bërë atë më efiçent, të qëndrueshëm dhe efektiv në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi në Shqipëri. Shoqata është e regjistruar sipas ligjit në Gjykatën e Tiranës.

 

Kontakt

Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë
Rr. Pjetër Bogdani, Nr. 39/1, K. 5, Ap. 3
1019 – Tiranë, Shqipëri
Tel/ Fax: (+355/4) 2245 101
Mob:    (+355) 69 60 12 782
E-mail:    info@shukalb.al
Web:    www.shukalb.al