Konferenca dhe Ekspozita e 7-të e Përbashkët Ballkanike 2019 “Ujë për të gjithë”: Një histori suksesi e vazhdueshme për SHUKALB dhe SHUKOS!

Valdrin Lluka, Minister i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, duke mbajtur fjalimin përshëndetës gjatë Ceremonisë së Hapjes
Foto nga Konferenca dhe Ekspozita e Përbashkët Ballkanike (K&EPB)

Më 6, 7, 8 Nëntor 2019, SHUKALB në bashkëpunim me SHUKOS (Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës) organizuan Konferencën dhe Ekspozitën e gjashtë të Përbashkët Ballkanike me temë “Ujë për të gjithë”, në Hotel Emerald, në Prishtinë, Kosovë.  Eventi i këtij viti shënoi pjesëmarrjen e saj më të lartë në historinë e konferencave tona, me një rekord prej mbi 550 pjesëmarrësish të ardhur nga 16 vende të ndryshme nga Ballkani, Evropa dhe më gjerë.

Konferenca sërish arriti qëllimin e saj për të stimuluar dialogun midis aktorëve të ndryshme dhe për të ofruar mundësi për profesionistët e ujit, politikëbërësit dhe profesionistët e biznesit nga sektori për të diskutuar mbi çështjet shqetësuese, të shkëmbenin informacion dhe të ndanin përvojat e tyre në përpjekje për të ndihmuar zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Rajonin e Ballkanit.

Fatmir Matoshi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, duke mbajtur fjalimin përshëndetës gjatë Ceremonisë së Hapjes
Foto nga K&EPB

Para nisjes së Ceremonisë së Hapjes, më 6 Nëntor, u organizuan disa evente Para-Konferencës duke përfshirë Forumin e Grupimit të Profesionistëve të Rinj të Ujit me temë “Edukimi për Zhvillimin e Karrierës së Profesionistëve të Rinj të Ujit”, Takimin special me temë “Programi i Certifikimit të Bazuar në Testim”, dhe Workshopin Rajonal i Programit të Benchmarking për HUB-in Kosovë dhe Shqipëri.

Ceremonia e Hapjes në mbrëmjen e 6 nëntorit filloi me fjalimin e mirëseardhjes nga Presidenti i SHUKOS, Muhamed Suliqi i cili përshëndeti të pranishmit dhe i ftoi ata të ndiqnin programin e konferencës gjatë dy ditëve të ardhshme, si dhe të vizitonin ekspozitën teknike të sektorit privat që organizohet paralelisht me konferencën.

Muhamed Suliqi, President i SHUKOS gjatë Ceremonisë së Hapjes
Foto nga K&EPB

Ceremonia e hapjes vazhdoi me fjalimin përshëndetës nga personalitete të nivelit të lartë duke filluar me Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës.  Ndër të tjera, Ministri Lluka deklaroi: “Në Kosovë kemi rreth 58 përqind të ujit të pijes që humbë në rrjetet tona, rreth 42 përqind mbetet faturimi që është jashtëzakonisht i ulët. Gjithashtu mbulueshmëria me kanalizim ka hapësirë për t’u përmirësuar, sepse sot mbulojmë diku rreth 75 përqind të qytetarëve me kanalizim dhe normalisht që këtu duhet të ketë fokus më të madh. Ne kemi shtuar kapacitetet e ujit të pijes, mirëpo nuk e kemi luftuar aq sa duhet dukurinë e humbjeve të ujit dhe këtu është problemi dhe thelbi kryesor pse duhet të fokusohemi më shumë“.

Hapja zyrtare e Ekspozitës Teknike. Nga e M në të D: Muhamet Suliqi, President i SHUKOS, Valdrin Lluka, Minister i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Petrit Tare, President i SHUKALB, Fatmir Matoshi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës dhe Ismet Ahmeti, Anëtar Bordi i SHUKOS
Foto nga K&EPB

Pas fjalës së Ministrit Lluka, Fatmir Matoshi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, mbajti fjalimin e tij përshëndetës ku ndër të tjera tha: “Në shumicën e rasteve ne në vendet tjera derdhim ujëra të papastërta, të pa trajtuara dhe në këtë rast prapë duhet falënderuar mbështetësit, donatorët që na mbështesin në sigurimin e fondeve për impiantet e trajtimit të ujërave të zeza në shtatë qendrat kryesore të Kosovë, e besoj në një të ardhme të afërt në secilin qytet të Republikës së Kosovës, në mënyrë që mos të derdhen ujërat e papastërta në vendet tona fqinje, që do të ishte edhe një plotësim i një kriteri drejtë integrimit tonë në Evropë”.

SH.T. Jean Hubert- Lebet, Ambasador i Zvicrës në Kosovë, duke mbajtur fjalimin përshëndetës gjatë Ceremonisë së Hapjes
Foto nga K&EPB

Personalitete të tjera të cilët mbajtën fjalime përshëndetëse ishin SH.T. Jean Hubert- Lebet, Ambasador i Zvicrës në Kosovë, SH.T. Christian Heldt, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, SH.T. László Márkusz, Ambasador i Hungarisë në Kosovë, SH.T. Piero Cristoforo Sardi, Ambasador i Italisë në Kosovë dhe SH.T. Qemal Minxhozi, Ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

Ceremonia e Hapjes vazhdoi me ceremoninë tradicionale të ndarjes së çmimeve për njohjen e përpjekjeve të individëve që kanë pasur ndikim në punën e tyre dhe në përmirësimin e sektorit të ujit. Bordi i Drejtorëve të SHUKALB nderoi me çmim Ndriçim Shanin, Kryetar i Entit Rregullator të Ujit të Shqipërisë, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin e tij shumë dimensional në sektorin e ujit në Shqipëri përgjatë 38 viteve, si profesionist me përqasje pragmatike bazuar në njohjen e thellë të problematikave të sektorit; si dhe, për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe besnike ndaj misionit të SHUKALB, dhe kontributin e tij të çmuar në avancimin e këtij misioni, për një sektor të orientuar drejt profesionalizmit dhe performancës së qëndrueshme.”.

Ceremonia e Hapjes përfundoi me hapjen zyrtare të ekspozitës.

Abdullah Derguti, Drejtori Ekzekutiv i SHUKOS në hapjen e ditës së parë të Konferencës
Foto nga K&EPB

Programi Teknik i Konferencës konsistoi në 16 sesione me tematika të ndryshme të organizuara në 12 sesione të ndryshme paralele dhe 4 Sesione Plenare, të cilat adresuan mbi 49 prezantime.  Të 12 Sesionet Paralele të Konferencës trajtuan tema të gjera dhe shumëdimensionale mbi: “Investimet në Infrastrukturë”; “Sfidat e Rregullatorit”; “Menaxhimi i Burimeve Njerëzore”; “Pikënisja në Përmirësimin e Shoqërive të Ujit”; “Menaxhimi i Operimit Teknik”; “Shërbimi ndaj Klientit dhe Komunikimi”; “Menaxhimi i Integruar i Aseteve”; “Menaxhimi i Burimeve Ujore”; “Eficenca e Energjisë”; “Menaxhimi i Ujit të Ndotur dhe Llumit” “Optimizimi i Operimit të Rrjetit”; dhe “Përmiresimi i Shërbimeve Ujësjellës Kanalizime”.

Programi Teknik i Konferencës filloi në mëngjesin e 7 nëntorit, me fjalën e mirëseardhjes nga Abdullah Derguti, Drejtor Ekzekutiv i SHUKOS, i cili dha një pasqyrë të aktiviteteve para-konferencës që u zhvilluan më herët atë ditë.  Z. Derguti gjithashtu shprehu mirënjohjen për kontributin e sponsorëve që mbështetën organizimin e eventit, në veçanti të Qeverisë Gjermane dhe Bashkimit Evropian përmes projektit “Mbështetja e BE-së për Shërbimet e Menaxhimit dhe Trajtimit të Ujërave të Ndotura” i zbatuar nga Organizata Gjermane per Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ); Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Konferencat tona, si dhe kompaninë Schneider Electric, Projektin Rrjeti Rajonal për Zhvillimin e Kapaciteteve (RCDN) i zbatuar nga Fondi i Hapur Rajonal i GIZ (ORF), Emerald Hotel dhe kompaninë Congress and Event Organization (CEO).

Patricia Lopez, Specialiste e Lartë për Financat dhe Infrastrukturën, Banka Botërore, SHBA, duke mbajtur fjalimin kryesor në hapjen e ditës së parë të Konferencës
Foto nga K&EPB

Në përfundim të fjalës së tij, Z. Derguti ftoi Patricia Lopez, Specialiste e Lartë për Financat dhe Infrastrukturën, Banka Botërore, SHBA, për të mbajtur fjalimin kryesor, ku ajo ndau një prezantim mbi “Ujë për të gjithë – perspektivat nga statusi i sektorit në Rajonin e Danubit, 2018”.  Gjatë fjalës së saj, zonja Lopez theksoi se: “Që nga rishikimi i fundit në 2015, vendet në rajonin e Danubit kanë bërë hapa të rëndësishëm në rritjen e aksesit ndaj shërbimeve cilësore dhe efikase për popullatën e tyre, por ka ende sfida të rëndësishme.  Së pari, zonat rurale dhe grupet e minoriteteve vuajnë nga nivele më të ulëta të aksesit. Së dyti, ndërsa mbulimi i kostove dhe nivelet e investimeve rriten, përballueshmëria e shërbimeve po bëhet një çështje që po del gjithmonë e më shumë në pah. Dhe, e treta, shumë vende ende nuk kanë menaxhim të duhur të ujërave të ndotura”.

Sesioni i parë plenar “Ujë për të gjithë”  Nga e M në të D: Ilir Abdullahu, Alqi Bllako, Kirk Mildner, Ndriçim Shani, Patricia Lopez, Lindita Sotiri, and Baton Begolli
Foto nga K&EPB

Sesioni i parë plenar i programit iu dedikua temes së përgjithshme të konferencës “Ujë për të gjithë”. Sesioni u moderua nga Baton Begolli, Këshilltar për Politikat e Ujit, Zyra e Kryeministrit, Kosove dhe panelistët që u bashkuan me diskutimet ishin Lindita Sotiri, Drejtore, Programet e Zhvillimit në Fushën e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Shqipëri , Patricia Lopez, Specialiste e Lartë për Financat dhe Infrastrukturën, Banka Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ndriçim Shani, Kryetar i Komisionit Kombëtar Rregullator, Enti Rregullator i Ujit, Shqipëri, Kirk Mildner, Drejtuesi i Ekipit për Evropën Juglindore dhe Turqi, Grupi Bankar i KfW, Gjermani, Alqi Bllako, Drejtor i Përgjithshëm, Agjencia Ujësjellës, Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Shqipëri, dhe Ilir Abdullahu, Kryeshef Ekzekutiv, Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtinë, Kosovë.

Sesioni i dytë plenar “Qasja Bashkëpunuese e Shoqatave Ujësjellës Kanalizime dhe Qeverisjes Vendore në Ofrimin e Zhvillimit të Kapaciteteve”. Nga e M në të D:  Baton Begolli, Agron Tigani, Gani Berisha, Elisabeta Poci, Abdullah Derguti and Elton Stafa.
Foto nga K&EPB

Pas Sesionit Plenar, programi vazhdoi me 4 sesionet paralele “Investimet në Infrastrukturë”; “Sfidat e Rregullatorit”; “Menaxhimi i Burimeve Njerëzore”dhe “Pikënisja në Përmirësimin e Shoqërive të Ujit”.

Sesioni i dytë plenar “Qasja Bashkëpunuese e Shoqatave Ujësjellës Kanalizime dhe Qeverisjes Vendore në Ofrimin e Zhvillimit të Kapaciteteve” u moderua nga Elton Stafa, Ekipi i Implementimit të Projekit, Rrjeti Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve, Shqipëri.  Paneli diskutues përbëhej nga Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutiv, SHUKALB,  Drejtor Ekzekutiv, SHUKOS, Gani Berisha, Menaxher i Programeve, Asociacioni i Komunave të Kosovës, Agron Tigani, Drejtor i Përgjithshëm, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” Pejë, Kosovë dhe Baton Begolli , Këshilltar për Politikat e Ujit, Këshilli Ndërministror i Ujërave, Zyra e Kryeministrit, Kosovë . “Menaxhimi i Operimit Teknik” dhe “Shërbimi ndaj Klientit dhe Komunikimi” ishin sesionet e fundit të trajtuara gjatë ditës së parë të Konferencës.

Philip Weller, Udhëheqësi i Sekretariatit Teknik, IAWD – Programi i Danubit për Ujin duke mbajtur fjalimin kryesor në hapjen e ditës së dytë të Konferencës
Foto nga K&EPB

Dita e dytë e Konferencës, 8 Nëntor, u hap me fjalimin e mirëseardhjes nga Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive, SHUKALB e cila pas një përmbledhje të shpejtë të ditës së mëparshme dhe pasi u uroi pjesëmarrësve mirëseardhjen në ditën e fundit të konferencës ftoi Philip Weller, Udhëheqësi i Sekretariatit Teknik, IAWD – Programi i Danubit për Ujin, për të mbajtur fjalimin e tij kryesor me temën “Siguria e Ujit dhe Menaxhimi i Krizave”.  Në fjalën e tij z. Weller deklaroi se: “Të qenit i përgatitur mund të bëjë ndryshimin midis një situate të kontrolluar dhe një katastrofe të plotë. Përgatitja aktive nga Shoqëritë e Ujit dhe ofruesit e shërbimeve përmes programeve të trajnimit për sigurinë e ujit janë thelbësore, siç është bashkëpunimi midis partnerëve institucionalë për një përgjigje të koordinuar, dhe nxitjen e sinergjive dhe shkëmbimin e përvojave. IAWD dhe Programi i Ujit të Danubit kanë ofruar një kurrikul nën Programin D-LeaP për të mbështetur pikërisht këtë përpjekje”.

Sesioni i tretë plenar “Siguria e Ujit dhe Menaxhimi i Krizave”.  Nga e M në të D: Burbuqe Nushi Latifi, Mumin Morina, Philip Weller, Ornela Çuçi, Gani Berisha and Afrim Lajçi.
Foto nga K&EPB

Sesioni i tretë plenar “Siguria e Ujit dhe Menaxhimi i Krizave” u moderua nga Afrim Lajçi, Këshilli Ndërministror për Ujëra, Zyra e Kryeministrit, Kosovë.  Për të diskutuar mbi këtë temë, panelistët e ftuar ishin Gani Berisha, Drejtor në detyrë, Autoriteti Rajonal i Baseneve Lumore, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kosovë, Ornela Çuçi, Zëvendës Ministre, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Shqipëri, Udhëheqësi i Sekretariatit Teknik, IAWD – Programi i Danubit për Ujin, Mumin Morina, Drejtor Teknik, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” Gjilan, Burbuqe Nushi Latifi, Drejtore e Sektorit të Ujit-Sanitacionit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Programi vazhdoi me sesionet paralele kushtuar “Menaxhimit te Integruar te Aseteve”; “Menaxhimi i Burimeve Ujore”; “Eficenca e Energjisë” dhe “Menaxhimi i Ujit të Ndotur dhe Llumit”.

Sesioni i fundit Plenar “Digjitalizimi, Çfarë do të thotë për Kompanitë Ujësjellës Kanalizime?”. Nga e M në të D: Ardiana Efendija Zhuri, Petrit Tare, Géza Csörnyei, Ilir Abdullahu and Sokol Xhafa.
Foto nga K&EPB

Sesioni i fundit Plenar “Digjitalizimi, Çfarë do të thotë për Kompanitë Ujësjellës Kanalizime?” u moderua nga Ardiana Efendija Zhuri, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, Ambasada e Zvicrës, Kosovë.  Për të diskutuar mbi këtë temë, panelistët e ftuar ishin Petrit Tare, President i SHUKALB dhe Administrator, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime e Korçë, Géza Csörnyei, Drejtori Kryesor i Operacioneve, Kompania e Ujit të Budapestit, Ilir Abdullahu, Kryeshef Ekzekutiv, Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtinë, Sokol Xhafa, Kryetar i Profesionistëve të Rinj të Ujit të Kosovës dhe Drejtor Teknik, Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtinë.

Programi i Konferencës përfundoi me dy Sesionet e fundit paralele “Optimizimi i Operimit të Rrjetit”; dhe “Përmiresimi i Shërbimeve Ujësjellës Kanalizime”.

Ekspozita Teknike

Pjesëmarrësit në Konferencë patën mundësinë të vizitonin një nga Ekspozitat më të mëdha Teknike në historinë e Konferencave tona vjetore.  Ekspozita u hap zyrtarisht në 6 Nëntor, pas Ceremonisë së Hapjes, dhe vazhdoi për dy ditë paralelisht me Programin Teknik në 7 dhe 8 Nëntor.  Ekspozita mblodhi 28 kompani private që vinin nga 10 vende të ndryshme nga rajoni i Ballkanit, Evropa, si dhe Izraeli, të cilët shfaqën produktet e tyre shumë të fundit, nga tubat, pompat, matësat, programet kompjuterike inxhinierike dhe shërbimet e menaxhimit.

Siç ka qenë një traditë në Ekspozitë, SHUKALB dhe SHUKOS organizuan një stendë të përbashkët, një hapësirë të dedikuar prej 24 m2, e vendosur pranë hyrjes së sallës kryesore të Konferencës, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të merrnin informacion në lidhje me aktivitetet e secilës Shoqatë, si dhe iniciativat e përbashkëta.

Gjatë Shorteut të Kurseve të Trajnimit të organizuar më 8 Nëntor 2019 në stedën e përbashkët SHUKALB-SHUKOS
Foto nga K&EPB

Më 8 Nëntor, gjatë pushimit për kafe, stafi i shoqërive ujësjellës kanalizime të pranishëm në Konferencë, morën pjesë në Shorteun e Kurseve të Trajnimit, të organizuar në stendën e përbashkët SHUKALB-SHUKOS.  Pjesëmarrësit treguan interes të lartë për të marrë pjesë në këtë shorte, i cili rezultoi me tre fitues që do të marrin pjesë falas në një nga kurset e trajnimit të Programit të Përbashkët të Trajnimit SHUKALB-SHUKOS

Niveli i lartë i pjesëmarrjes që nga shoqëritë ujësjellës kanalizime deri në institucionet qeveritare, agjensitë donatore dhe institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe sektori privat dhe akademitë kanë konsoliduar tashmë Konferencën e Përbashkët Ballkanike si eventin kryesor të llojit të saj në Ballkanin Perëndimor.  Të gjithë folësit dhe moderatorët nga njëra anë, dhe kompanitë private që janë pjesë e ekspozitës nga ana tjetër, përfaqësojnë zemrën e konferencës dhe ekspozitës, pasi ata krijojnë përmbajtjen e çmuar pa të cilën ky event nuk do të ekzistonte.  Mbështetja e sponsorëve tanë është gjithashtu një element kryesor për të garantuar suksesin e këtij eventi të rëndësishëm.  SHUKALB dhe SHUKOS dëshirojnë të shprehën sërish mirënjohjen e organizatave që mbështetën financiarisht Konferencën dhe Ekspozitën e Përbashkët Ballkanike këtë vit, Qeverinë Gjermane dhe Bashkimin Evropian përmes projektit “Mbështetja e BE-së për Shërbimet e Menaxhimit dhe Trajtimit të Ujërave të Ndotura” i zbatuar nga Organizata Gjermane per Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ); Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, kompaninë Schneider Electric, Projektin Rrjeti Rajonal për Zhvillimin e Kapaciteteve (RCDN) i zbatuar nga Fondi i Hapur Rajonal i GIZ (ORF), Emerald Hotel dhe kompaninë Congress and Event Organization (CEO).