Histori frymëzuese sesi Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime po ndryshojnë jetën e komuniteteve të tyre rurale – Shoqëria Ujësjellës Gramsh siguron ujë të pandërprerë në fshatin Shembërdhenj

Depo e re uji që furnizon fshatin Shembërdhenj, Gramsh, pas rehabilitimit të tij të bërë nga Ujësjellës Gramsh.
Foto nga Ujësjellës Gramsh

Që nga viti 2016, në zbatim të VKM nr.63, datë 27.01.2016 “Për organizimin e operatorëve që ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm,grumbullimin, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura”, njësitë e qeverisjes vendore në Shqipëri kanë marrë përgjegjësi e plotë për sigurimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve për popullsinë në zonën e juridiksionit të tyre. Një nga ndryshimet më të rëndësishme të kësaj reforme ishte se shoqëritë UK tani kanë në ngarkim ofrimin e shërbimeve për zonat rurale, të cilat administroheshin më parë nga komunat.

Një pusetë e re dhe instalimi I matësave të rinj të ujit në fshatin Nartë, Gramsh
Foto nga Ujësjellës Gramsh

Ndërkohë që zbatimi i reformës nuk ka qenë pa sfida për shoqëritë UK dhe është ende në vazhdim, ka shumë histori të vogla, por frymëzuese se si kjo reformë ka transformuar jetën e komuniteteve të largëta.

Një nga këto histori vjen nga Shoqëria Ujësjellës Gramsh. Para ndërhyrjes nga shoqëria, furnizimi me ujë në njësitë administrative të Skënderbegas (që përfshin 10 fshatra) varionte nga 1 në 4 orë në ditë gjatë periudhës Qershor-Shtator. Përveç orëve të kufizuara të furnizimit, konsumatorët përballeshin dhe me çështje të cilësisë së ujit që kishin të bënin me furnizimin me ndërprerje. Dega Teknike e Ujësjellës Gramsh bëri një vlerësim rast pas rasti të situatës në secilin prej fshatrave dhe bazuar në një plan të detajuar dhe të buxhetuar nga të ardhurat e veta, ndërmori ndërhyrjet e nevojshme që përfshinin ndërtimin e rezervuarëve të shpërndarjes dhe instalimin e matësve të ujit. Si rezultat i këtyre investimeve si dhe menaxhimit efikas të Ujësjellës Gramsh, këto fshatra tani kanë furnizim të pandërprerë me ujë (24/24) gjatë gjithë vitit.

Fillimisht, Ujësjellës Gramsh hasi në presion dhe skepticizëm nga banorët vendas gjatë instalimit të ujëmatësave, pasi ata besonin se arsyeja e mos pasjes furnizim të vazhdueshëm me ujë, ishte mungesa e sasisë së ujit. Sot, banorët vendas janë mirënjohës ndaj Ujësjellës Gramsh për ndryshimin e rëndësishëm që solli në jetën e tyre të përditshme, duke shijuar lehtësinë dhe përfitimet e furnizimit me ujë të pandërprerë në shtëpitë e tyre.