Planifikoni trajnimin e stafit tuaj në buxhetin e vitit 2020

Duke qenë se menaxherët e shoqërive ujësjellës kanalizime në Shqipëri kanë filluar planifikimin e tyre për vitin 2020, është koha e duhur që ata të planifikojnë Buxhetin e tyre të Trajnimeve për zhvillimin e kapaciteteve të stafit të tyre.  Gjatë vitit 2019, SHUKALB zhvilloi me sukses 7 (shtatë) kurse trajnimi dhe 2 (dy) Programe të D-LeaP për Zhvillimin e Kapaciteteve ku morën pjesë mbi 20 Shoqëri Ujësjellës Kanalizime Shqiptare.

Falë përpjekjeve të vazhdueshme përmes Grant Projekteve kryesore, sot SHUKALB ka një ofertë të pasur dhe të larmishme të produkteve për zhvillimin e kapaciteteve, përfshirë 46 kurse trajnimi në pronësi të SHUKALB duke filluar nga menaxhimi tek operimi dhe mirëmbajtja, duke mbuluar si temat për ujin ashtu dhe ujërat e ndotura.  Përveç këtyre kurseve të trajnimit, SHUKALB planifikon të zhvillojë tre programe D-LeaP në vitin 2020, konkretisht, programin e Krahasimit të Standardizuar (Benchmarking), Menaxhimin e Integruar të Aseteve (i ofruar në partneritet midis midis Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH – GIZ, Kompanisë Hydro-Comp në Qipro, dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Kompanive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub (IAWD)), dhe Efiçenca e Energjisë në shoqëritë UK.  Për më tepër, SHUKALB planifikon të zhvillojë tre trajnime në kuadër të Rrjetit Rajonal për Zhvillimin e Kapaciteteve (RCDN) për Shërbimet e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve në Evropën Jug-Lindore.

SHUKALB ka përgatitur dhe shpërndarë Anketimin e tij vjetor për Nevojat për Trajnime tek të gjitha shoqëritë ujësjellës kanalizime, në mënyrë që të identifikojë dhe analizojë nevojat për trajnime të stafit të shoqërive UK dhe bazuar në interesin dhe reagimet e shprehura, SHUKALB do të planifikojë një program trajnimi të përshtatur, i cili targeton dhe mbulon të gjitha fushat funksionale të shoqërive UK në Shqipëri.  SHUKALB do të përgatisë Kalendarin e Trajnimeve dhe Programeve për Zhvillimin e Kapaciteteve për vitin 2020, të cilat do të publikohen në edicionin e ardhshëm të BURIMI-t, në shkurt 2020, dhe gjithmonë do të jetë i disponueshëm dhe i përditësuar në faqen e internetit të SHUKALB.

Këtu do të mund të shihni ofertën e SHUKALB për trajnime dhe programet e zhvillimit të kapaciteteve, në mënyrë që të informoheni për objektivat dhe përmbajtjen e secilit produkt. Për më shumë informacion mbi trajnimet, vizitoni këtë linku http://shukalb.al/wp-content/uploads/2019/12/Katalogu-i-Trajnimeve.pdf dhe për Programet, ju lutemi vizitoni https://www.d-leap.org/shukalb.