SHUKALB gati për të nisur kalendarin e tij të trajnimeve për 2021

Duke qenë se menaxherët e shoqërive ujësjellës kanalizime në Shqipëri kanë filluar tashmë planifikimin e tyre për vitin 2021, është koha e duhur që ata të planifikojnë buxhetin e tyre të trajnimeve për zhvillimin e kompetencave të stafit dhe të aktiviteteve për përmirësimin e performancës së shoqërive.

Gjatë vitit 2020, SHUKALB realizoi me sukses 13 (trembëdhjetë) trajnime me pjesëmarrjen e mbi 20 Shoqërive UK në Shqipëri. Këto trajnime përfshijnë kurset e veta të trajnimit të SHUKALB, si dhe produkte dhe programe për zhvillimin e kapaciteteve si pjesë e partneriteteve të SHUKALB me Partneritetin e Danubit (D-LeaP) dhe Rrjetin Rajonal për Zhvillimin e Kapaciteteve (RCDN).

Si pjesë e një praktike të rregullt, edhe për këtë vit SHUKALB ka shpërndarë Anketimin Vjetor të Vlerësimit të Nevojave për Trajnim (TNA) te të gjitha shoqëritë UK në mënyrë që të mbledhë informacion e nevojshëm për nevojat e tyre për trajnime për vitin 2021. Në vazhdim, bazuar në rezultatet e anketimit, SHUKALB do të planifikojë një ofertë të përshtatur të trajnimeve dhe programeve të zhvillimit të kapaciteteve të cilat përfshijnë dhe i vjen në ndihmë stafit që punon në të gjitha fushat kryesore funksionale të sigurimit të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si dhe u përgjigjet nevojave emergjente të Shoqërive UK për përmirësimin e performancës së tyre. Kalendari i Programeve të Zhvillimit të Kapaciteteve për 2021, do të publikohet gjatë këtij muaji dhe do të jetë i disponueshëm dhe përditësuar rregullisht në faqen e internetit të SHUKALB.

Për më shumë informacion më specifik mbi kurset e trajnimit të vet SHUKALB, mund të vizitoni Katalogun e Trajnimeve në këtë link, i cili përfshin përshkrimin e kurseve të trajnimit. Sa i përket produkteve dhe programeve rajonale të zhvillimit të kapaciteteve, ju lutemi vizitoni linkun këtu.