SHUKALB dhe SHUKOS organizojnë workshopin rajonal të programit të përbashkët të D-LeaP Benchmarking HUB për Kosovën dhe Shqipërinë

Koordinatorja e programit të përbashkët Benchmarking HUB, Nadire Vitija (përballë në këmbë), dhe pjesëmarrësit gjatë hapjes së workshopit
Foto nga SHUKALB

Workshopi rajonal final për ciklin e katërt të Programit të Përbashkët të Benchmarking HUB për Kosovën dhe Shqipërinë u mbajt më 13 shkurt 2019, në ambientet e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtinë, në Prishtinë, Kosovë.  Workshopi u ndoq nga koordinatorët e shoqërive ujësjellës kanalizime pjesëmarrës në Benchmarking HUB, Tiranë, Shkodër, Kamëz, Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan, së bashku me përfaqësuesit e SHUKALB dhe SHUKOS.  Workshopi u ndoq edhe nga përfaqësues të shoqërive të tjera ujësjellës kanalizime që nuk ishin pjesë e programit si Kurbini dhe Vau i Dejës, nga Shqipëria dhe Prizreni, Kosovë.

Programi i përbashkët i Benchmarking HUB drejtohet nga Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës dhe asistohet nga Bashkëpunimi Evropian i Benchmarking, me mbështetjen financiare të Programit të Danubit për Ujin.  Programi i Danubit për Ujin drejtohet bashkërisht nga Banka Botërore dhe IAWD, Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub, me financimin e qeverive të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës.

Programi i Benchmarking është një nga programet e Partneritetit të Danubit (D-LeaP) që ndihmon shoqëritë ujësjellës kanalizime pjesëmarrëse dhe stafin e tyre në identifikimin e fushave ku përmirësimi i performancës është i nevojshëm duke krahasuar performancën e shërbimeve të tyre me shoqëri të tjera të ngjashme dhe standardet ndërkombëtare, si dhe duke lehtësuar dialogun midis profesionistëve në praktikat e tyre më të mira.

Pjesëmarrësit duke prezantuar analizat e tyre individuale të raporteve përfundimtare
Foto nga SHUKALB

Qëllimi i këtij workshopi ishte prezantimi i raporteve përfundimtare të përgatitura nga secili prej koordinatorëve të programit si dhe diskutimi për vazhdimin e ciklit të 5-të të programit.

Workshopi u hap nga Znj. Nadire Vitija, Koordinatore e HUB dhe z. Avni Dervishi, bashkë Koordinator i HUB, të cilët përshëndetën të pranishmit.  Workshopi u përshëndet nga z. Muhamed Suliqi, kryetar i SHUKOS, i cili vlerësoi angazhimin aktiv të pjesëmarrësve në program dhe inkurajoi vazhdimësinë e programit për ciklin e ardhshëm.

Znj. Vitija dhe z. Dervishi paraqitën një përmbledhje të ciklit të katërt të programit; raportet përfundimtare dhe rezultatet e arritura, dhe facilituan një diskutim mbi variablat e caktuara të paraqitura në raporte.

Koordinatorët pjesëmarrës interpretuan analizën e tyre individuale të raporteve përfundimtare në ushtrimin e Benchmarking të vitit 2018 krahasuar me të dhënat e vitit 2017 dhe identifikuan fushat me përmirësime relativisht më të mëdha dhe performancë më të mirë, si dhe pengesat e hasura.

Pas çdo prezantimi nga shoqëritë pjesëmarrëse, pjesëmarrësit u angazhuan në një diskutim interaktiv mbi shkëmbimin e përvojave dhe saktësinë dhe vlefshmërinë e të dhënave.

Në fund të workshopit, znj. Vitija bëri një përmbledhje të rekomandimeve përfundimtare të nxjerra nga diskutimet dhe ftoi shoqëritë që nuk janë pjesë e programit për t’u bashkuar në ciklin e rradhës që do të fillojë së shpejti.