SHUKALB dhe SHUKOS Organizojnë workshopin e 3-të të programit të përbashkët të Benchmarking HUB për Kosovën dhe Shqipërinë

Në këmbë nga e D në të M, Nadire Vitija, Koordinatore e HUB-it dhe Valbona Paja, UK Shkodër dhe pjesëmarrësit gjatë hapjes së workshopit
Foto nga SHUKALB

SHUKALB dhe SHUKOS organizuan Workshopin e 3-të të të programit të përbashkët të Benchmarking HUB për Kosovën dhe Shqipërinë për vitin 2019, më 13 shtator, në ambientet e Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Shkodër (UK Shkodër).  Në workshop morën pjesë koordinatorët e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit nga Kosova dhe Shoqërive Ujësjellës Kanalizime nga Shqipëria, të cilët marrin pjesë në Programin e Benchmarking.

Workshopi u hap nga Nadire Vitija, Koordinatore e Programit të Benchmarking HUB dhe nga fjalimi i mirëseardhjes nga Valbona Paja, Përgjegjëse për Planifikim dhe Raportim pranë UK Shkodër, si mikpritësja e eventit.  SHUKALB u përfaqësua në workshop nga Alban Kushi, Menaxher i Shërbimeve ndaj Anëtarëve dhe Administratës.

Pjesëmarrësit duke diskutuar mbi sfidat e hasura gjatë regjistrimit të të dhënave në skedarin Excel.
Foto nga SHUKALB

Qëllimi i workshopit ishte prezantimi i punës së bërë deri më tani nga secila prej shoqërive pjesëmarrëse, në këtë fazë të 5-të të Programit, dhe ndarja e sfidave të hasura nga koordinatorët gjatë hedhjes së të dhënave në platformë.  Të gjithë koordinatorët ndanë përvojën e tyre gjatë kësaj faze dhe ndihmuan njëri-tjetrin në zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta me të cilat ishin përballur.

Valbona Paja prezantoi të gjithë përvojën e saj në lidhje me hedhjen e të dhënave në skedarin Excel bazuar në shifrat reale të UK Shkodër, si dhe mundësoi një diskutim interaktiv me koordinatorët e tjerë.  Në fund, ajo drejtoi pjesëmarrësit në një vizitë në ambientet e UK Shkodër, si dhe i prezantoi ata me stafin menaxherial të Shoqërisë.