SHUKALB dhe SHUKOS organizojnë workshopin e parë për vitin 2020 në kuadër të të programit të përbashkët të Benchmarking HUB për Kosovën dhe Shqipërinë

Valbona Paja, Përgjegjëse për Planifikimin dhe Raportimin, Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër duke prezantuar gjatë workshopit
Foto nga SHUKOS

Më 20 maj 2020, SHUKALB dhe SHUKOS, organizuan workshopin me temë “Si të fillojmë me Benchmarking”, duke nisur kështu implementimin e ciklit të 6-të të programit të përbashkët të Benchmarking HUB për Kosovën dhe Shqipërinë. Workshopi u organizua online përmes platformës WebEx të ofruar nga Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub (IAWD) dhe Banka Botërore.

Në workshop morën pjesë mbi 25 pjesëmarrës, përfaqësues të shoqërive ujësjellës kanalizime nga Kosova dhe Shqipëria, përfaqësues nga SHUBALB, SHUKOS, IAWD dhe Danub HUB. Takimi u moderua nga Koordinatorja e HUB-it për Kosovën dhe Shqipërinë, znj. Nadire Vitija në bashkëpunim me Nënkordinatorin z. Avni Dervishi.

SHUKALB u përfaqësua në workshop nga Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, e cila gjatë fjalës së saj vlerësoi bashkëpunimin e mirë midis dy shoqatave përmes nismave të ndryshme të përbashkëta, dhe theksoi se programi Benchmarking është padyshim më i suksesshmi falë përkushtimit të HUB-it dhe koordinatorëve të shoqërive UK.

Gjatë takimit, u prezantua platforma e re e programit të Benchmarking e cila i ndihmon shoqëritë UK në identifikimin e zonave ku përmirësimi i performancës është i nevojshëm. Kjo platformë do të aplikohet për herë të parë gjatë vitit 2020 në të cilën do të kërkohet të plotësohen të dhënat e vitit 2019. Në lidhje me këtë, të gjithë pjesëmarrësit ndanë së bashku idetë e para për këtë platformë të re e cila do të jetë sfiduese për ta këtë vit.

Të gjithë pjesëmarrësit prezantuan shkurtimisht eksperiencën dhe gjendjen e shoqërive të tyre gjatë pandemisë COVID-9, si dhe adresuan pyetje, komente dhe rekomandime të ndryshme.