SHUKALB zhvillon me sukses kursin e trajnimit “Menaxhimi” për menaxherët e lartë të shoqërive UK

Pjesëmarrësit (lart), Jonida Ahmeti, Menaxhere e Trajnimeve, SHUKALB (poshtë në të majtë) dhe trajneri Arian Gjorga, Konsulent dhe Ekspert në Menaxhim (poshtë në të djathtë), gjatë kursit të trajnimit “Menaxhimi”
Foto nga SHUKALB

Më 9, 10, 16 dhe 17 qershor 2020, SHUKALB zhvilloi me sukses kursin e trajnimit “Menaxhimi”, organizuar online përmes platformës Zoom.

Në trajnim morën pjesë drejtuesit e departamenteve tregtare, financiare dhe teknike, si dhe administratorë, nga Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime Shkodër, Lezhë, Krujë, Lushnjë dhe Sarandë. Trajnimi u drejtua nga trajneri Arian Gjorga, Konsulent dhe Ekspert në Menaxhim.

Trajnimi i njohu pjesëmarrësit me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të përballuar sfidat e përditshme dhe për të përmirësuar performancën e shoqërisë UK në fushat e proceseve të menaxhimit, komunikimit, marrëdhënieve njerëzore, kulturës organizative, zgjidhjes së problemeve, planifikimit dhe organizimit, vendimmarrjes dhe menaxhimit financiar.

Përveç prezantimeve mbi parimet kryesore të menaxhimit, edhe pse përmes një platforme online, trajneri arriti t’i angazhojë pjesëmarrësit në diskutime, duke u ofruar atyre hapësirë për të shkëmbyer përvojat dhe teknikat që ata përdorurin në shoqëritë e tyre përkatëse.

Reagimet e marra nga pjesëmarrësit ishin mjaft pozitive. Pjesëmarrësit vlerësuan trajnimin si shumë të vlefshëm për përgjegjësitë e tyre të përditshme, si dhe trajnerin për aftësinë e tij për t’i përcjellë njohuritë në një formë të thjeshtë dhe lehtësisht të asimilueshme.