SHUKALB zhvillon me sukses dy kurse trajnimi gjatë muajit Mars 2021

Trajnerja Mirela Miti gjatë dhënies së kursit trajnues “Pasqyrat financiare dhe roli i tyre në vendimmarrje”
Foto nga SHUKALB

SHUKALB nisi Programin e tij të Trajnimit dhe Zhvillimit të Kapaciteteve për këtë vit me dhënien e dy kurseve të trajnimit gjatë muajit Mars, “Pasqyrat financiare dhe roli i tyre në vendimmarrje” dhe “Menaxhimi”. Këto trajnime u zhvilluan online përmes platformës Zoom.

Trajnimi i parë, “Pasqyrat financiare dhe roli i tyre në vendimmarrje ” u mbajt në 9-10 Mars 2021, në zyrat e SHUKALB dhe u transmetua online për pjesëmarrësit duke përdorur një teknologji të përparuar të transmetimit të drejtpërdrejtë përmes videos dhe audios.

Në trajnim morën pjesë drejtuesit e departamenteve të financës, tregtar dhe të kontabilitetit nga Shoqëritë UK Shkodër, Lezhë, Durrës, Krujë, Kamëz, Pogradec dhe Vlorë.  Trajnimi u drejtua nga PhD. Mirela Miti, Pedagoge, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

Trajnerja Mirela Miti dhe pjesëmarrësit gjatë rastit studimor të pasqyrave financiare të UK Lezhë.
Foto nga SHUKALB

Gjatë dy ditëve të kursit të trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me tema që lidhen me kuadrin e përgjithshëm të pasqyrave financiare përfshirë pozicionin financiar, pasqyrat e performancës, fluksin monetar, rregullat për zbatimin e politikave të kontabël, vlerësimeve kontabël, të korrigjimeve kontabël, të korrigjimit të gabimeve dhe paraqitjen e ngjarjeve ekonomike, pas datës së mbylljes së pasqyrave financiare, si dhe rolin e pasqyrave financiare në procesin e vendimmarrjes për nivelet e larta të menaxhimit, provizionet, detyrimet dhe aktivet e kushtëzuara, tatimi i shtyrë, kostoja e kapitalit, elementët e pasqyrës së performancës, modeli i bazës së rregulluar të aseteve.

Pjesëmarrësit u angazhuan në disa ushtrime praktike në lidhje me temat e prezantuara dhe u njohën me rastet e studimit, të tilla si Bilanci Financiar i Shoqërisë UK Lezhë.

Trajneri Arian Gjorga, Konsulent dhe Ekspert në Menaxhim (në të majtë, lart) dhe pjesëmarrësit gjatë kursit të trajnimit “Menaxhimi”
Foto nga SHUKALB

Kursi i trajnimit “Menaxhimi” u zhvillua gjatë 23-24 Mars 2021, me pjesëmarrjen e menaxherëve të departamenteve të financës, tregtar, teknik, kanalizimeve, rrjetit të ujësjellësit, si dhe administratorë, nga Shoqëritë UK Shkodër, Lezhë, Krujë, Berat-Kuçovë, Sarandë dhe Korçë. Trajnimi u drejtua nga trajneri Arian Gjorga, Konsulent dhe Ekspert në Menaxhim

Trajnimi i njohu pjesëmarrësit me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të përballuar sfidat e përditshme dhe për të përmirësuar performancën e shoqërisë UK në fushat e proceseve të menaxhimit, komunikimit, marrëdhënieve njerëzore, kulturës organizative, zgjidhjes së problemeve, planifikimit dhe organizimit, vendimmarrjes dhe menaxhimit financiar.

Përveç prezantimeve mbi parimet kryesore të menaxhimit, edhe pse përmes një platforme online, trajneri arriti t’i angazhojë pjesëmarrësit në diskutime, duke u ofruar atyre hapësirë për të shkëmbyer përvojat dhe teknikat që ata përdorurin në shoqëritë e tyre përkatëse.