SHUKALB zhvillon me sukses dy kurse trajnimi gjatë muajit shkurt, 2020

Trajnerja Prof. Tania Floqi, (në këmbë) dhe pjesëmarrësit gjatë kursit të trajnimit “ Kampionimi dhe Procedurat Laboratorike për Ujin e Pijshëm dhe të Ndotur “
Foto nga SHUKALB

Gjatë muajit shkurtit 2020, SHUKALB zhvilloi me sukses dy kurset e para të trajnimit për këtë vit.  Kursi i parë i trajnimit me temë “Kampionimi dhe Procedurat Laboratorike për Ujin e Pijshëm dhe të Ndotur” u mbajt më 26 shkurt, në Tiranë.  Në trajnim morën pjesë stafi i laboratorit dhe departamentit teknik të shoqërive ujësjellës kanalizime Shkodër, Lezhë, Fier, Përmet dhe Sarandë.  Trajnimi u drejtua nga Prof. Tania Floqi, Eksperte në Cilësinë e Ujit dhe Pedagoge pranë Universitetit Europian të Tiranës

Kursi i trajnimit trajtoi tema në lidhje me rëndësinë e përdorimit të duhur të pajisjeve laboratorike, identifikimin e rreziqeve të mundshme laboratorike dhe kuptimi i testeve të ndryshme laboratorike duke përfshirë alkalinitetin; klori i lirë; nevoja për klor; bakteret koliforme, fortësia, Jar test, pH, temperatura dhe turbiditeti.

Përveç prezantimeve, pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime mbi procedurat laboratorike që përdor secila prej shoqërive të tyre, si dhe u sollën raste praktike nga trajneri për rëndësinë e sigurisë në laborator.

Trajnimi kombinoi një vizitë në terren, në Laboratorin Biokimik të Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Tiranë, ku pjesëmarrësit u prezantuan dhe iu shpjeguan pajisjet laboratorike, praktikat, pajisjet e marrjes së mostrave dhe teknikat e kryera në Laborator.  Të gjithë pjesëmarrësit patën mundësinë të ndiqnin demonstrimin e një testi laboratorik mbi mbetjet e klorit.

Trajnerja Daniela Gega, (në këmbë) dhe pjesëmarrësit gjatë kursit të trajnimit “Menaxhimi i Aseteve”
Foto nga SHUKALB

Kursi i dytë i trajnimit me temë “Menaxhimi i Aseteve” u mbajt më 28 shkurt 2020, në Tiranë.  Në trajnim morën pjesë administratorë, drejtorë teknikë dhe tregtarë, nga shoqëritë ujësjellës kanalizime Shkodër, Lezhë, Gramsh, Fier, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë.  Trajnimi u drejtua nga trajnerët Daniela Gega dhe Esida Lekbello, Konsulentë pranë Valu Add Services Services Management, si dhe Elvis Ndreka, Inxhinier, pjesë e ekipit të zbatimit të projektit “Menaxhimi i Integruar i Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime të Shqipërisë (MIA)”.

Trajnimi trajtoi të gjithë elementët bazë për menaxhimin e aseteve si inventari i aseteve; sistemi i menaxhimit të të dhënave të aseteve; niveli i shërbimit; asetet kritike; menaxhimi i aseteve gjatë ciklit të jetës dhe strategjia e financimit afatgjatë, si dhe u ndane prezantime dhe shembuj praktike nga implementimi i Projektit tё MIA-s.

Bora Kolbucaj, Kryetare e Degës së Financës, Ujësjellës Kanalizime Lezhë dhe Marsela Osmanllari, Drejtoreshë Tregtare, Ujësjellës Kanalizime Gjirokastër duke punuar një ushtrim.
Foto nga SHUKALB

Përveç prezantimeve, pjesëmarrësit zhvilluan disa ushtrime mbi inventarizimin e aseteve dhe asetet kritike, ndanё eksperiencat dhe praktikat nё shoqёritё e tyre pёrkatёse, si dhe zhvilluan diskutime interaktive..

Reagimet e përgjithshme për të dy kurset e trajnimit ishin shumë pozitive.  Nga komentet e marra nga pjesëmarrësit, kurset e trajnimit u vlerësuan si shumё tё dobishme pёr punёn e tyre tё pёrditshme.