SHUKALB zhvillon kurset e trajnimit “Pasqyrat financiare dhe roli i tyre në vendimmarrje” dhe ” Menaxhimi i humbjeve të ujit I & II”

Trajnerja Mirela Ujkani (në këmbë) dhe pjesëmarrësit gjatë kursit të trajnimit “Pasqyrat financiare dhe roli i tyre në vendimmarrje”
Foto nga SHUKALB

SHUKALB ka nisur Programin e Përbashkët të Trajnimit për vitin 2019 me dhënien e dy kurseve të trajnimit gjatë muajit shkurt 2019, “Pasqyrat financiare dhe roli i tyre në vendimmarrje” dhe “Menaxhimi i humbjeve të ujit I & II“.

Kursi i parë i trajnimit “Pasqyrat financiare dhe roli i tyre në vendimmarrje” u zhvillua më 7-8 shkurt 2019, në Tirane.  Trajnimi u drejtua nga Dr. Mirela Ujkani, Pedagoge pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, dhe u ndoq nga stafi i Shoqërive Ujësjellës Kanalizime Lezhë, Shkodër, Sarandë, Përmet dhe Peqin.

Kursi i trajnimeve trajtoi çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me setin e plotë të pasqyrave financiare, rregullat për zbatimin e politikave kontabël, tatimin e shtyrë, llogaritë e arkëtueshme, provizionet, aktivet e kushtëzuara, koston e kapitalit dhe borxhin e keq.

Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime interaktive rreth rasteve studimore të paraqitura në klasë, si dhe në analizimin e pasqyrave financiare aktuale të shoqërive ujësjellës kanalizime.

Trajneri Ervin Buçpapaj (në këmbë) dhe pjesëmarrësit gjatë kursit të trajnimit “Menaxhimi i humbjeve të ujit I & II”
Foto nga SHUKALB

Kursi i trajnimit ishte i rëndësishëm për shoqëritë ujësjellës kanalizime veçanërisht në këtë moment, pasi marsi është muaji kur shoqëritë dorëzojnë bilancet e tyre fiskale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Kursi i dytë i trajnimit “Menaxhimi i humbjeve të Ujit I & II” u zhvillua në Tiranë më 21-22 shkurt 2019 dhe u ndoq nga stafi i Shoqërive Ujësjellës Kanalizime Korçë, Shkodër, Përmet dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidromorava, Gjilan.  Trajnimi u drejtua nga trajneri Ervin Buçpapaj, Konsulent në sektorin e ujit.

Pjesëmarrësit u prezantuan me aspekte të ndryshme të Menaxhimit të Humbjeve të Ujit duke përfshirë menaxhimin e kërkesës për ujë, menaxhimin e presionit, rëndësinë e efiçencës komerciale, nivelin ekonomik të ujit pa të ardhura, si dhe bilancin e ujit.