SHUKALB prezanton dy Letra Pozicionimi për Sektorin e Ujit të Shqipërisë

Pjesëmarrësit gjatë takimit të palëve të iInteresit mbi Letrat e Pozicionimit
Foto nga SHUKALB

Më 25 Mars 2021, SHUKALB organizoi një takim virtual të palëve të interesit për të diskutuar mbi dy letra pozicionimi, “Integrimi më i mirë i Zhvillimit të Kapaciteteve në Planet e Investimeve Kapitale” dhe “Aplikimi i Produkteve të Menaxhimit të Aseteve dhe Zhvillimit të Kapaciteteve për Njësitë e Qeverisjes Vendore dhe Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime (NJQV dhe ShaUK)”. Takimi u organizua në kuadër të Projektit “Rrjeti Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve për Furnizimin me Ujë dhe Kanalizimet (RCDN)”.

Në “tryezën” e diskutimit morën pjesë përfaqësues të ndryshëm nga institucione qendrore dhe vendore duke përfshirë Entin Rregulator të Ujit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë dhe Shoqata për Autonominë Vendore, Projekte Bilaterale në Sektorin e Ujit dhe Donatorë, të cilët ndanë perspektivat e tyre në lidhje me temat e diskutuara në letrat e pozicionimit, duke theksuar në të njëjtën kohë nevojën për adresimin dhe diskutimin e mëtejshëm të këtyre problematikave, e parë kjo dhe në kontekstin e më të gjerë të sfidave të sektorit të ujit. Takimi u moderua nga Mihallaq Qirjo, Drejtor i Qendrës Burimore të Mjedisit, Shqipëri.

Të dy letrat e pozicionimit theksojnë nevojën për asistencë teknike, të siguruar nga donatorët dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare, si dhe forma të tjera të asistencës që shoqërojnë pjesën më të madhe të investimeve kapitale në sektorin e ujit në Shqipëri (përfshirë zhvillimin e kapaciteteve), për të përafruar dhe përfituar më mirë nga burimet ekzistuese dhe iniciativat e vazhdueshme në sektorin e ujit. Më konkretisht, do të ishte e dobishme që kjo asistencë të mbështetet në përvojën dhe ekspertizën e krijuar nga SHUKALB ndër vite, në fushat e:

  • Zhvillimit të kapaciteteve për ShaUK për të plotësuar boshllëqet e kapaciteteve në nivel vendor, përmes asistencës së grupeve të ekspertëve dhe binjakëzimit dypalësh;
  • Menaxhimit të aseteve për të mundësuar që SHaUK të aplikojnë teknologji të integruara të informacionit, thelbësore kjo në përmirësimin e menaxhimit dhe efikasitetit të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.

Gjatë moderimit Mihallaq Qirjo, u shpreh se: “Letrat e pozicionimit në vlerësimin e tyre dhe në perspektivën e investimeve kapitale të lidhur me masat shoqëruese kanë një rëndësi shumë të madhe, tashmë që pushteti vendor ka një rol edhe më të rëndësishëm për të luajtur”.

Në takim u theksua qartë nevoja e pasjes së një regjistri me investimet kapitale dhe për asetet, ku vend shumë të rëndësishëm ka dhe zhvillimi i burimeve njerëzore dhe vlerësimi i tyre.

Ndriçim Shani, Kryetar i Entit Rregullator të Ujit të Shqipërisë (i 2-ti nga e djathta, rreshti 2-të) duke mbajtur fjalimin e tij gjatë takimit
Foto nga SHUKALB

Elisabeta Poçi, Zv. Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, u shpreh se ekspertiza e ngritur ndër vite nga SHUKALB, duke përfshirë 46 kurse trainimi, ekspertizën e 126 ekspertëve, dhe një sërë programesh në kuadër të partneriteteve në rajon për zhvillimin e kapaciteteve, mund të mbështesin dhe plotësojnë më së miri komponentin e masave shoqëruese si pjesë e projekteve të investimeve kapitale në sektor.

Gjatë takimit u përcollën mesazhe dhe u përforcuan çështje të tjera të rëndësishme për advokim si nevoja e agregimit të shërbimeve ujësjellës kanalizime për të përmirësuar efikasitetin dhe adresuar mungesën e ekspertëve në nivelin vendor, performancën e ulët të sektorit, nevojën për të promovuar më tej përvojën e SHUKALB tek NJQV, si dhe forcimi i rolit të NJQV në mirë menaxhimin dhe monitorimin e ShaUK-ve.

Dy letrat e pozicionimit i shërbejnë të dy niveleve të qeverisjes si dhe donatorëve dhe Institucioneve Financiare Ndërkomëtare, duke ofruar një informacion më të qartë mbi produktet e zhvillimit të kapaciteteve dhe ekspertizën vendase.