SHUKALB organizon një ceremoni përmbyllëse për projektin “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Kapaciteteve të Sektorit të Ujit në Shqipëri”

Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive, SHUKALB, gjatë fjalimit të saj të hapjes së ceremonisë. Foto nga SHUKALB

SHUKALB organizoi një event përmbyllës për grant projektin e tij të financuar nga USAID, ” Zhvillimi i Qëndrueshëm i Kapaciteteve të Sektorit të Ujit në Shqipëri “, më 28 mars 2019, në Hotel Xheko Imperial, Tiranë.
Eventi u hap nga znj. Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, e cila falënderoi të gjithë aktorët në Shqipëri, të gjithë ekspertët lokalë në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe organizatat e tjera partnere në rajon dhe në SHBA, për bashkëpunimin dhe mbështetjen gjatë implementimit të projektit. Pas kësaj, znj. Poçi theksoi disa nga arritjet kryesore të Projektit.
Të pranishëm në ceremoni, për të mbajtur fjalimet përshëndetëse ishin znj. Mikaela Meredith, Përfaqësuese e USAID për Shqipërinë; znj. Lindita Sotiri, Drejtore, Drejtoria e Programeve te Zhvillimit për Furnizim me Ujë, Kanalizime, dhe Infrastrukturën e Mbetjeve Urbane, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Zef Maçi, Anëtar Bordi i SHUKALB dhe Drejtor i Shoqërisë Ujësjellës Kanalizimeve Lezhë.
Në këtë event morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enti Rregullator i Ujit, Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri, Ambasada e Holandës, Ambasada e Zvicrës, GIZ, SHUKOS, si dhe shumë ekspertë lokalë dhe profesionistë të tjerë që punojnë në sektorin e ujit, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në suksesin e projektit gjatë viteve të implementimit të tij.
Disa nga rezultatet më të rëndësishme të arritura nga Projekti:

Mikaela Meredith, Përfaqësuese e Misionit të USAID ne Shqipëri, gjatë fjalës së saj në ceremoninë përmbyllëse. Foto nga SHUKALB

• Mbi 50 kurse trajnimi të mirë dokumentuara, të cilat mbulojnë të gjitha aspektet e sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, të cilat janë duke u dhënë rregullisht për stafin e shoqërive ujësjellës kanalizime në Shqipëri dhe Kosovë.
• Një Program i Institucionalizuar Trajnimi Kombëtar dhe Certifikimi Bazuar në Testim për drejtuesit operacionalë të Shoqërive Ujësjellës Kanalizimeve në Shqipëri, i themeluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
• Mbi 40 trajnerë të trajnuar, që vijnë nga shoqëritë ujësjellës kanalizime, akademia dhe sektori privat, nga të dyja vendet, Shqipëria dhe Kosova.
• Zhvillimi dhe realizimi me sukses i kursit të parë të trajnimit për mësimin në distancë në “Udhëzimet praktike për anëtarët e Këshillit të Administrimit të shoqërive aksionare ujësjellës kanalizime”.
• Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë se Shqipërisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës që do t’i hapë rrugën të dy Qeverive të punojnë së bashku për të eksploruar përfitimet e zhvillimit të një Programi Certifikimi të Bazuar në Testim për Operatorët e Ujësjellës Kanalizimeve në të ardhmen.
Në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre, SHUKALB shpërndau certifikata të mirënjohjes për anëtarët e Grupit të Punës të projektit, si dhe ekspertëve lokalë dhe trajnerëve nga Shqipëria dhe Kosova.
SHUKALB do të vazhdojë të bashkëpunojë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të gjithë aktorët e tjerë për fazën e zbatimit të programit të Certifikimit.

Foto në grup i pjesëmarrësve në fund të ceremonisë përmbyllëse. Foto nga SHUKALB