SHUKALB organizon workshopin e parë të projektit “Shërbimet Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore”

Arbana Kola, Menaxhere e Trajnimeve dhe Zhvillimit Profesional, SHUKALB, duke moderuar workshopin
Foto nga SHUKALB

Më 26 shkurt, në Rogner Hotel Tirana, SHUKALB organizoi workshopin e parë për nisjen e projektit “Shërbimet Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore” për shoqëritë ujësjellës kanalizime në Shqipëri dhe Kosovë.

Workshopi u organizua në bashkëpunim me Organizatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe kompaninë Hydro-Comp Enterprise (HCE), Qipro, dhe u mbështet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri dhe Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive Ujësjellës Kanalizime në zonën e mbulimit të lumit Danub (IAWD).

Qëllimi i workshopit ishte paraqitja dhe prezantimi i projektit për shoqëritë ujësjellës kanalizime pjesëmarrëse nga Shqipëria dhe Kosova, institucionet qeveritare, donatorët, institucionet ndërkombëtare të financimit që operojnë në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe aktorë të tjerë të përfshirë në sektorin e ujit.

Në këtë workshop morën pjesë përfaqësues nga Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime nga Shqipëria dhe Kosova, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, GIZ,Enti Rregullator i Ujit (ERRU), Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), Bashkimi Evropian, Banka Botërore, IAWD, Hydro-Comp Enterprise, Compower GmbH Gjermani, Institucionet Financiare Ndërkombëtare (IFIs), si dhe SHUKALB dhe SHUKOS.

Dr. Gabriele Lames, Menaxhere Programi, GIZ; (në podium) gjatë fjalimit së saj në workshop
Foto nga SHUKALB

Workshopi nisi me fjalimet e mirëseardhjes nga Z. Petrit Tare, President i SHUKALB; Z. Muhamed Suliqi, President i SHUKOS; Z. Peter Wolf, Menaxher Programi, GIZ ORF MMS; Dr. Gabriele Lames, Menaxhere Programi, GIZ; Z. Philip Weller, Drejtues i Sekretariatit Teknik, IAWD dhe Dr. Petros Kolovopoulos, Menaxher Ekzekutiv, HCE, si dhe fjalimet përshëndetëse nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, nga Znj. Lindita Sotiri, Drejtore, Programet e Zhvillimit në Fushën e Ujësjellës Kanalizime dhe Mbetjeve.

Workshopi vazhdoi me prezantimin e axhendës dhe objektivave nga Znj. Arbana Kola, Menaxhere e Trajnimeve dhe Zhvillimit Profesional, SHUKALB, dhe prezantimi i secilit prej përfaqësuesve të pranishëm nga shoqëritë ujësjellës kanalizime.  Agjenda përfshiu tema në lidhje me prezantimin e Projektit si: “Përgjigjet e pyetësorëve dhe vlerësimi fillestar i Shoqërive UK – rezultatet nga Shqipëria dhe Kosova”; “Vështrim i përgjithshëm në 4 vende – Rezultatet e arritura”; “Përshkrimi i programit – Parimet e rrjetit të Menaxhimit të Aseteve dhe demonstrimi” dhe “Plani i përgjithshëm i projektit 3-vjeçar dhe përgjegjësitë e të gjithë palëve gjatë vitit të parë”.

Pas prezantimit të temave të Projekteve, pjesëmarrësit u angazhuan në një sesion me pyetje dhe përgjigje në lidhje me specifikat dhe detajet e Projektit.  Në fund pjesëmarrësit u njohën me hapat e ardhshëm të Projektit.

SHUKALB dhe SHUKOS ftojnë të gjitha Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime të interesuara, të regjistrohen dhe të marrin pjesë në Projektin “Menaxhimi i Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore”.  Për çdo kërkesë dhe procesin e regjistrimin, mund të kontaktoni Arbana Kolën në arbana.kola@shukalb.al, Mob. +355 (0) 69 70 81 664.

Pjesëmarrës në fund të workshopit të projektit “Shërbimet Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore”
Foto nga SHUKALB