SHUKALB organizon Konkursin Kombëtar të programit të tij “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme

Elisabeta Poçi, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, Olta Alla, Menaxhere e Programeve të SHUKALB, anëtarë të jurisë, si dhe Zef Maçi, Drejtor i Ujësjellës Kanalizime Lezhë dhe Denalda Ziu, Përgjegjëse e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura, Ujësjellës Kanalizime Vlorë, gjatë Konkursit Kombëtar në kuadër të programit të SHUKALB “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme
Foto nga SHUKALB

Më 16 qershor 2021, SHUKALB organizoi një konkurs kombëtar online, me prezantimin e punimeve shkencore të përgatitura nga nxënës të shkollave të mesme në kuadër të programit “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme.

Kjo ishte faza finale e programit i cili është hartuar dhe zbatohet nga SHUKALB në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, sëbashku me shoqëritë Ujësjëllës Kanalizime Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë, Vlorë, Peqin dhe Cërrik.  Programi mbështetet nga programi “Orientimi i Shërbimeve të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime drejt Performancës dhe Konsumatorit”, i financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH”.

Programi “Panairi Shkencor” për Shkollat e Mesme targeton nxënësit e klasave të 11-ta dhe ka për qëllim të nxisë mendimin analitik dhe punët eksperimentale ndërmjet nxënësve.  Ky program përfshin një garë në të cilën nxënësit krijojnë dhe zhvillojnë kërkime përmes metodave shkencore.  Nxënësit zgjedhin një temë për të hulumtuar dhe investiguar, dhe ata e bëjnë këtë duke bashkëvepruar në mënyrë aktive me profesionistë nga shoqëria ujësjellës kanalizime në qytetin e tyre, dhe nën udhëzimet e mësuesve të tyre.

Gjatë prezantimit me video të fituesit të vendit të parë, shkolla e mesme “Leonik Tomeo”, Durrës, me temë “Jeto shëndetshëm me ujë të pastër”
Foto nga SHUKALB

SHUKALB vlerësoi projektet me ndihmën e një jurie të pavarur që ishte e përbërë nga Monika Vejseli nga GIZ; Besnik Rama nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë; Flauers Shoshi nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Etleva Demiri nga Enti Rregullator i Ujit dhe Klotilda Jaupi nga Shkolla e Mesme Qemal Stafa, Tiranë. Hapja e eventit u pasua me një fjalim mirëseardhje nga Elisabeta Poci, Drejtore Ekzekutive e SHUKALB dhe u moderuar nga Olta Alla, Menaxhere e Programeve të SHUKALB.

Gjatë konkursit online, u prezantuan 11 video nga projektet e konceptuara nga nxënësit e shkollave të mesme pjesëmarrëse në program: “Jordan Misja”, Shkodër, “Hydajet Lezha”, Lezhë, “Leonik Tomeo”, Durrës, “11 Shkurti” , Kavajë, “Shaban Demiraj”, Vlorë, “Tomorr Sinani” Cërrik dhe “Zihni Magani” Peqin.

Eventi u përshëndet nga Zef Maçi, Drejtor i Ujësjellës Kanalizime Lezhë dhe Denalda Ziu, Përgjegjëse e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura, Ujësjellës Kanalizime Vlorë.

Kriteret në bazë të të cilave juria vlerësoi projektin ishin kreativiteti, cilësia e projektit, përshtatshmëria e temës së përzgjedhur dhe qartësia e prezantimit.

Pas vlerësimit, juria shpalli tre projektet fituese, të cilat janë renditur më poshtë me linqet përkatëse të videove të tyre:

Vendi i parë: Shkolla e mesme. “Leonik Tomeo” Durrës, me temë: “Jeto shëndetshëm me ujë të pastër”

Vendi i dytë: Shkolla e mesme “Jordan Misja”, Shkodër, me temë: “Liqeni i Shkodrës – Cilësia e ujërave”

Vendi i tretë: Shkolla .e mesme “Jordan Misja”, Shkodër, me temë: “Evidentimi i treguesve të nivelit trofik në liqenin e Shkodrës”

SHUKALB do të shpërndajë medalje dhe libra enciklopedikë për nxënësit e tre projekteve fituese, dhe certifikata për të gjithë nxënësit që morën pjesë në program.