SHUKALB organizon me sukses online dy shkëmbime të eksperiencave mes kolegëve për “Projektet e suksesshme të infrastrukturës së kanalizimeve dhe trajtimit të ujit të ndotur”

Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive e SHUKALB (djathtas-lart), duke iu drejtuar pjesëmarrësve në fillim të aktivitetit te shkëmbimeve të eksperiencave mes kolegëve për “Projektet e suksesshme të infrastrukturës së kanalizimeve dhe trajtimit të ujit të ndotur”
Foto nga SHUKALB

Gjatë datave 15, 16, 17 dhe 18 Dhjetor, 2020, SHUKALB organizoi me sukses Shkëmbimet e Eksperiencave mes Kolegëve për përmirësimin e njohurive për përgatitjen e projekteve të suksesshme të infrastrukturës së kanalizimeve dhe trajtimit të ujit të ndotur, të cilat u zhvilluan online përmes platformës Zoom. Në takime morën pjesë 41 pjesëmarrës nga AKUM, Bashkitë, Shoqëritë UK Kavajë, Sarandë, Vlorë, Shkodër, Pogradec, Korçë, Durrës, Elbasan, Himarë, Peqin, Kukës, Cërrik, Krujë, Gjirokastër, Kamëz dhe Berat-Kuçovë.

Zef Maçi, Administrator, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Lezhë (UK Lezhë) gjatë prezantimit të tij të rastit studimor të UK Lezhë, si një projekt i suksesshëm së infrastrukturës së kanalizimeve dhe trajtimit të ujit të ndotur (KTUN) në Shqipëri
Foto nga SHUKALB

Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndiqnin gjatë ditë së parë rastin studimor nga Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Lezhë, si një projekt i suksesshëm së infrastrukturës së kanalizimeve dhe trajtimit të ujit të ndotur (KTUN) në Shqipëri, dhe ditën e dytë rastin studimor nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit të Hidroregjionit Jugor, Prizren, si një projekt i suksesshëm i KTUN në Kosovë. Për të dy rastet e mësipërme pjesëmarrësit morën pjesë në një vizitë virtuale në Impiantin e trajtimit të ujit të ndotur Lezhë dhe Impiantin e trajtimit të ujit të ndotur Prizren.

Këto shkëmbime të eksperiencave mes kolegëve u organizuan në kuadër të projektit “Rrjeti Rajonal për Zhvillimin e Kapaciteteve per Shërbimet e Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve (RCDN)”, sipas standarteve të cilësisë të hartuara nga RCDN.  Pjesëmarrja në këto takime për përfaqësuesit e Shoqërive UK dhe AKUM u mbështet nga programi “Orientimi i Shërbimeve të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime drejt Performancës dhe Konsumatorit”, i financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, zbatuar nga GIZ në Shqipëri.

Lulzim Paçarizi, Menaxher Teknik, Kompania Rajonale e Ujësjellësit të Hidroregjionit Jugor, Prizren, gjatë prezantimit të tij të rastit studimor të KRU Hidroregjioni Jugor si një projekt i suksesshëm i KTUN në Kosovë.
Foto nga SHUKALB

Aktiviteti u moderua nga Enkelejda Gjinali, Lektore, Universiteti Politeknik i Tiranës, me mbështetjen e Zef Maci, Administrator, Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Lezhë dhe Lulzim Paçarizi, Menaxher Teknik, Kompania Rajonale e Ujësjellësit të Hidroregjionit Jugor, Prizren.

Përgjatë dy ditëve pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime interaktive  dhe ndanë përvojat e tyre profesionale në fushën e kanalizimeve dhe trajtimit të ujit të ndotur.  Gjithashtu, pjesëmarrësit sipas shoqërive përcaktuan masa praktike për ndjekjen dhe vendimarrjet në fazën e projekteve të fizibilitetit. Në ditët në vazhdim secila shoqëri pjesëmarrëse do të dorëzojë planin e saj të veprimit të bazuara në mësimet e nxjerra.