SHUKALB organizon workshopin 2-të të Projektit “Shërbimet Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore”

Petrit Tare, President i SHUKALB; duke mbajtur fjalimin e mirëseardhjes në hapjen e workshopit të dytë të Projektit MIA
Foto nga SHUKALB

Më 6 dhe 7 Shkurt 2020, në Hotel Hilton Garden Inn në Tiranë, SHUKALB dhe SHUKOS (Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës) organizuan workshopin e dytë të Projektit ” Shërbimet Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore (MIA)” për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri dhe Kosovë

Workshopi u organizua bashkarisht me Deutsche Gesellchaft fur Internationale Zusammenarbeit (GIZ) dhe Hydro-Comp Enterprise HCE, dhe u mbështet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, si dhe nga Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub (IAWD).

Më 6 shkurt 2020, në të njëjtin vend, para fillimit të workshopit, HUB-i i projektit organizoi takimin e dytë të Komitetit Drejtues.  Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të Projektit, mësimet e nxjerra dhe propozimet që duhen adresuar në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë Planin e Projektit dhe një përshkrim të shkurtër të fazës së ardhshme (Niveli i Artë).

Qëllimi i workshopit të dytë, i cili filloi pasdite, ishte prezantimi i rezultateve të arritura gjatë fazës së parë (Niveli i Argjendë) të projektit dhe gjithashtu prezantimi i fazës së dytë (NIVELI I ARTË) i projektit tek shoqëritë/kompanitë publike, shoqatat kombëtare të ujit dhe aktorët qëndrorë/lokalë nga Shqipëria dhe Kosova, donatorë dhe institucione financiare ndërkombëtare.

Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive e SHUKALB (D) dhe Nadire Vitija, Menaxhere e Trajnimeve dhe Zhvillimit Profesional, SHUKOS (M), gjatë moderimit të workshopit
Foto nga SHUKALB

Në workshop morën pjesë përfaqësues nga shoqëritë ujësjellës kanalizime në Shqipëri dhe Kosovë, institucione qeveritare si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) e Shqipërisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve të Shqipërisë (AKUM) , Autoriteti Shtetëror për Informimin Gjeohapësinor (ASIG),  Enti Rregullator i Ujit të Shqipërisë (ERRU), Autoriteti Rregullator i Ujit të Kosovës (ARRU), donatorët dhe institucionet financiare ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, Banka Gjermane e Zhvillimit (KfW), Banka Botërore, si dhe palët e tjera të interesit në sektorin e ujit.

Workshopi nisi me fjalimet e mirëseardhjes nga Petrit Tare, President i SHUKALB; Muhamed Suliqi, President i SHUKOS; Gabriele Lames, Drejtor Projekti, GIZ; Philip Weller, Drejtues i Sekretariatit Teknik, IAWD dhe Petros Kolovopoulos, Menaxher Ekzekutiv, HCE, si dhe fjalimet përshëndetëse nga Lindita Sotiri, Drejtoreshë, Drejtoria e Zhvillimit të Programit për Furnizimin me Ujë, Kanalizimeve dhe Infrastrukturën e Mbetjeve, MIE, Shqipëri, dhe Adem Ahmetaj, Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës.

Belina Belortaja, Konsulente e Analizës së të Dhënave në GIS, Projekti MIA, SHUKALB, duke prezantuar aktivitetet dhe rezultatet e arritura nga shoqëritë UK nga Shqipëria gjatë fazës së parë të projektit.
Foto nga SHUKALB

Workshopi u moderua bashkërisht nga Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive e SHUKALB dhe Nadire Vitija, Menaxhere e Trajnimeve dhe Zhvillimit Profesional, SHUKOS. Gjatë ditës së parë të workshopit u prezantuan rezultatet e fazës së parë të projektit në Ballkanin Perëndimor nga Georgi Hristov, Menaxher i Projektit, GIZ ORF MMS, i ndjekur nga prezantimet e rezultateve të fazës së parë të projektit në Shqipëri dhe Kosovë , nga HUB-et përkatëse.  Në ditën e dytë të workshopit, më 7 shkurt, u prezantuan fazat e ardhshme të projektit MIA, aktivitetet dhe kalendari i implementimit, i ndjekur nga prezantimi i fazës II – Niveli i Artë – Mirëmbajtja dhe Menaxhimi, nga Petros Kolovopoulos, Menaxher Ekzekutiv, HCE

Pas prezantimeve të progresit të Nivelit të Argjendtë dhe hapave të ardhshëm drejt Nivelit të Artë, pjesëmarrësit u angazhuan në një sesion pyetjesh dhe përgjigjesh në lidhje me specifikat dhe detajet e Projektit.

SHUKALB dhe SHUKOS ftojnë të gjitha Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime të interesuara, të regjistrohen dhe të marrin pjesë në Projektin “Menaxhimi i Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore”.

Pjesëmarrës në fund të workshopit të 2-të të projektit “Shërbimet Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore”
Foto nga SHUKALB