SHUKALB organizon vizita dhe trajnime në Shoqëritë UK në kuadër të programit “Plani i Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimi i Krizave”

Ekipi i SHUKALB gjatë vizitës në Shoqërinë UK Belsh.
Foto nga SHUKALB

Gjatë muajit shkurt 2021, SHUKALB organizoi vizita në terren dhe trajnime pranë shoqërive UK Krujë, Belsh, Berat-Kucovë, Maliq, Lushnje, Durrës, Fier, Gramsh dhe Patos, të cilat janë pjesë e programit të D-LeaP Plani i Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimi i Krizave (PSU & MK). Programi PSU & MK zbatohet nga SHUKALB në kuadër të Projektit “Mbështetje për Bashkitë dhe Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Menaxhimin e Pandemisë Covid-19 në Shqipëri”, i cili është autorizuar nga Ministria Federale Gjermane e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (BMZ), dhe i përfshirë administrativisht në Projektin GIZ “Fondi i Hapur Rajonal për Evropën Juglindore – Modernizimi i Shërbimeve Komunale (ORF MMS)”.

Ekipi i SHUKALB gjatë vizitës në Shoqërinë UK Berat-Kuçovë.
Foto nga SHUKALB

Qëllimi i këtyre vizitave ishte mbledhja e informacionit fillestar në lidhje me sistemet e furnizimit me ujë dhe informacione të tjera të rëndësishme që do të mbështesin procesin e zhvillimit të Planeve të Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimit të Krizave nga secila shoqëri UK në fazën tjetër. Si pjesë e këtyre vizitave, ekipi i SHUKALB u takua me të gjithë drejtorët e shoqërive UK, si dhe stafin teknik përkatës. Të ftuar për të marrë pjesë në takime ishin gjithashtu përfaqësues të Qeverisjeve Vendore përkatëse, të cilët ishin të pranishëm në Belsh dhe Maliq.

SHUKALB do të vazhdojë këtë punë në javët e ardhshme dhe si pjesë e saj do të kryejë më shumë vizita dhe trajnime në secilën shoqëri UK pjesëmarrëse. Deri në fund të Programit, secila shoqëri UK do të ketë zhvilluar një Plan standard të Sigurisë së Ujit dhe Menaxhimit të Krizave.