SHUKALB merr pjesë në trajnimin mbi Menaxhimin e Ciklit të Projektit në kuadër të projektit “Rrjeti Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve për Furnizimin me Ujë dhe Kanalizimet (RCDN)”

Aladin Ormanovic, Eksperti i jashtëm, GIZ ORF MMS (në këmbë) dhe pjesëmarrësit gjatë një sesioni të punës në grup.
Foto nga SHUKALB

Gjatë 28 qershor deri më 1 korrik 2021, në Hotel Xheko Imperial, stafi kryesor i SHUKALB ndoqi një trajnim katër ditor mbi Menaxhimin e Ciklit të Projektit (MCP) të organizuar në kuadër të projektit “Rrjeti Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve për Furnizimin me Ujë dhe Kanalizimet (RCDN)” .

Qëllimi i trajnimit, i cili ishte hartuar për Shoqatat e Shoqërive Ujësjellës Kanalizime, ishte të përmirësonte aftësitë e pjesëmarrësve në elementet kryesore të Përgatitjes dhe Hartimit të Projektit, me një fokus të veçantë në thirrjet për propozime të BE-së.

Përveç stafit të SHUKALB, në trajnim morën pjesë përfaqësues nga Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë, si dhe Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës (SHUKOS), Kompanitë Rajonale të Ujit Prishtinë, Hidroregjoni Jugor dhe Gjakovë, të cilët morën pjesë në trajnim online.

Trajnimi u drejtua nga Aladin Ormanovic, Ekspert i Jashtëm, GIZ ORF MMS, si dhe u mbështet nga Zoran Bogdanovski, Këshilltar për Zhvillimin e Kapaciteteve, GIZ ORF MMS.

Pjesëmarrësit u njohën me tema të tilla si Përbërësit e MCP, Teoria e Ndryshimit, Analiza e palëve të interesuara, Analiza e Problemeve, Analiza e Objektivave dhe Zgjedhja e Strategjisë, Korniza Logjike, Planifikimi i Burimeve, Buxhetimi, Thirrja për propozim të BE-së dhe paketa e aplikimit të BE-së.

Nën drejtimin e trajnerit, pjesëmarrësit u angazhuan në mënyrë aktive në ushtrime praktike dhe punë në grupe, dhe u aftësuan në zhvillimin e një projekt propozimi.