SHUKALB merr pjesë në workshopin “Uji dhe Energjia” dhe mbledhjen e 5-të të projektit të WATenERgy Cycle

Grupi i punës i projektit WATenERgy Cycle         Foto nga Projekti WATenERgy

SHUKALB mori pjesë në Workshopin Teknik “Uji dhe Energjia”, organizuar në kuadër të projektit WATenERgy Cycle, më 6 mars 2019, në Sofje, Bullgari. Workshopi u organizua paralelisht me Water Tech Expo – Ekspozita për Menaxhimin e Ujërave Industriale dhe Publike, më 6-8 mars 2019.

SHUKALB u përfaqësua në workshop nga Anisa Aliaj, Specialiste për Hartimin e Kurseve të Trajnimit për Kanalizimin dhe Trajtimin e Ujërave të Ndotura.

Projekti WATenERgy Cycle është pjesë e Programit BalkanMED 2014 – 2020 ndërmjet Shqipërisë, Greqisë, Maqedonisë, Bullgarisë dhe Qipros. Karakteri projektit është i orientuar fort drejt veprimeve ndërkufitare. Shqipëria është e përfaqësuar në këtë projekt nga Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Korçë (UKKO). UKKO është një nga 8 partnerët zbatues të projektit, ndërsa SHUKALB është një nga dy partnerët vëzhgues.

Qëllimi i Programit BalkanMED është arritja e një kohezioni më të madh territorial midis vendeve pjesëmarrëse, duke krijuar njohuri të reja, duke ndarë përvojat dhe praktikat e mira, të rrisë bashkëpunimin në rajon, shfrytëzimi më i mirë i burimeve të pakta dhe trajtimi i sfidave të përbashkëta përtej kufijve. Projekti WATenERgy Cycle është konceptuar në bazë të problemeve të njohura transnacionale që lidhen me furnizimin me ujë në zonën e BalkanMED. Burimet e përbashkëta ndërkufitare të ujit, të nevojshme për furnizimin me ujë të pijshëm si dhe përshtatja efektive ndaj elasticitetit të ndryshimeve klimatike është çështja kryesore e trajtuar nga projekti.

Pas workshopit, axhenda u pasua me takimin e 5-të të projektit më 7 mars, dhe të nesërmen, me një vizitë teknike në impiantin e trajtimit të ujërave të ndoturaa në Sofje – Kubratovo, që operohet nga kompania Sofiyska Voda.