SHUKALB mbështet Shoqëritë UK Shqiptare në festimin e Ditës Botërore të Ujit 2021

Postime në Facebook nga SHaUK Elbasan dhe Tiranë në Ditën Botërore të Ujit, duke shpërndarë videon ndërgjegjësuese me titull “Si të kursejmë ujin” të përgatitur nga SHUKALB

Çdo vit, Dita Botërore e Ujit nxjerr në pah një aspekt specifik të ujit dhe është një mundësi unike për të tërhequr vëmendjen dhe për të krijuar mundësinë për të nxitur qeverinë, shoqërinë civile dhe individët të ndërmarrin veprime.

SHUKALB ka një histori të gjatë në mbështetjen e shoqërive UK të njohin dhe festojnë këtë ditë të rëndësishme. Edhe këtë vit, duke iu përshtatur kufizimeve të pandemisë COVID-19, SHUKALB mbështeti shoqëritë e tij anëtare përmes dizenjimit të materialeve promovuese si video ndërgjegjësuese, kartolina dhe postera me mesazhin e Ditës Botërore të Ujit, që u përdorën më tej nga shoqëritë UK në organizimin fushatat të tyre edukuese në internet. Shoqëritë UK ndanë materialet e Ditës Botërore të Ujit për fushatën e tyre në mediat sociale duke përdorur hashtags të tilla si #Water2me, #WorldWaterDay dhe @Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë.

Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, gjatë intervistës në Televizionin Scan me rastin e Ditës Botërore të Ujit
Foto nga TV Scan

Për më tepër, në 22 mars 2021, Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive e SHUKALB, u ftua nga Televizioni Scan për të folur për Ditën Botërore të Ujit, rëndësinë e ujit si një aset shumë i rëndësishme për jetën tonë, si dhe aspekte të tjera të mirëmenaxhimit te tij. Intervistën e plotë mund ta shikoni në linkun më poshtë: https://www.youtube.com/watch?v=dNP13e6Osvk

Tema e zgjedhur nga Kombet e Bashkuara për Ditën Botërore të Ujit të këtij viti, ishte “Vlera e Ujit”. Vlera e ujit është shumë më tepër sesa çmimi i tij – uji ka vlerë shumë të madhe dhe komplekse për familjet tona, kulturën, shëndetësinë, arsimin, ekonominë dhe integritetin e mjedisit tonë natyror. Nëse anashkalojmë ndonjë prej këtyre vlerave, rrezikojmë të keqmenaxhojmë këtë burim të fundëm, të pazëvendësueshëm. Objektivi i Zhvillimit të Qëndrueshëm 6 (SDG 6) është të sigurojë ujë dhe kanalizime për të gjithë. Pa një kuptim gjithëpërfshirës të vlerës së vërtetë, shumëdimensionale të ujit, ne nuk do të jemi në gjendje të mbrojmë këtë burim kritik për të mirën e të gjithëve.