Viti 2017 i SHUKALB në fokus

Ndërsa përgatitemi për të hyrë në vitin e ri, dëshirojmë të shfrytëzojmë mundësinë dhe të urojmë anëtarët tanë, mbështetësit dhe miqtë e SHUKALB, një vit të ri të gëzuar, të lumtur dhe plot shëndet për vitin 2018.  Suksesi që Shoqata jonë gëzoi këtë vit që kaluam, nuk do të mund të arrihej pa mbështetjen, inkurajimin dhe pjesëmarrjen e një numri të madh të aktorëve në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Gjatë vitit 2017, SHUKALB, në bashkëpunim me SHUKOS (Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës), implementuan me sukses Programin e Përbashkët të Trajnimit duke zhvilluar në total 15 kurse trajnimi, ku morën pjesë stafi i shoqërive ujësjellës kanalizime shqiptare dhe kosovare, me trajnerë nga të dyja vendet.  Ne jemi të vendosur dhe të përkushtuar që ta vazhdojmë Programin e Përbashkët të Trajnimit në vitin 2018, duke planifikuar dhënien e jo më pak se 15 kurseve të trajnimit në të gjithë Shqipërinë dhe Kosovën, duke iu përgjigjur kështu nevojave të shoqërive ujësjellës kanalizime anëtare për zhvillimin e kapaciteteve.

Në frymën e bashkëpunimit të suksesshëm në kuadër të Programit të Përbashkët të Trajnimit, SHUKALB u anëtarësua në Shoqatën Ndërkombëtare të Kompanive të Furnizimit me Ujë të Basenit të Lumit Danub (IAWD) dhe së bashku me SHUKOS në vitin 2017, iu bashkuan Partneritetit të Danubit (D-LeaP) e cila është një iniciativë e udhëhequr nga IAWD që synon të ofrojë programe për ngritjen e kapaciteteve përmes bashkëpunimit me shoqatat ujësjellës kanalizime në rajonin e Danubit, me qëllim përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në rajonin e Danubit.  Në vitin 2018, SHUKALB në partneritet me SHUKOS planifikojnë të ofrojnë 4 (katër) programe ku përfshihen Benchmarking; Efiçenca Komerciale; Efiçenca e Energjisë dhe Reduktimi i Ujit pa të Ardhura.

Në lidhje me Programin e Certifikimit të Operatorëve Bazuar në Testim për Shqipërinë, SHUKALB, përmes projektit të tij të financuar nga USAID, “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Kapaciteteve të Sektorit të Ujit në Shqipëri”, po vazhdon punën së bashku me ministrinë e linjës për sektorin e ujit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, si partner kryesor për të krijuar kuadrin ligjor dhe institucional të Programit të Certifikimit të Operatorëve Bazuar në Testim.  Më shumë progres në këtë drejtim pritet të zhvillohet në fillim të vitit 2018.

Konferenca dhe Ekspozita e Përbashkët Ballkanike Vjetore, e cila u organizua në Prishtinë më 1, 2, 3 nëntor 2017, vërtetoi sërish statusin e eventit më të madh në ndarjen e informacionit dhe networking në sektorin e ujit në Ballkanin Perëndimor.. Konferenca arriti edhe një rekord duke tërhequr një audiencë prej mbi 450 pjesëmarrësish.  Pjesëmarrësit në konferencë patën mundësinë të vizitonin ekspozitën teknike më të madhe në historinë e Konferencës tonë Vjetore, duke mbledhur 28 kompani private që vinin nga 9 vende të ndryshme nga rajoni i Ballkanit dhe më gjerë.

Në vazhdim, kemi lajme të mira në lidhje me programet tona të “Edukimit dhe Ndërgjegjësimit” dhe më konkretisht programin Miqtë e Ujit për Nxënësit e Klasave të 3-të dhe Sfida Botërore e Monitorimit të Ujit për Nxënësit e Klasave të 8-ta.  SHUKALB kohët e fundit ka fituar një grant nga Ambasada e SHBA-së për të financuar këto programe dhe për t’i implementuar ato gjatë vitit 2018.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, në vitin 2017 SHUKALB humbi themeluesin, udhëheqësin dhe mentorin e tij, z. Philip Giantris.  Ai do të na mungojë pa masë, por ne jemi të përkushtuar për ta nderuar trashëgiminë që ai la pas duke e vazhduar vizionin e tij me të njëjtin pasion dhe përkushtim që na mësoi. “Lart e më lart!”(PDG)

 

 

Skuadra SHUKALB