Progresi i SHUKALB në implementimin e Projektit “Menaxhimi i Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime të Shqipërisë”

Skuadra e SHUKALB e angazhuar në Projekt, Elvis Ndreka, Inxhinier Terreni (në të D) dhe Fran Marku, Inxhinier i Sistemit EDAMS (në të M) duke asistuar Maria Veizaj, Inxhiniere në Shoqërinë UK Himarë, në përpunimin e të dhënave në programin EDAMS.
Foto nga SHUKALB

Projekti “Menaxhimi i Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime të Shqipërisë” i implementuar nga SHUKALB është në përfundim të fazës së parë të tij, e cila synon pajisjen me një regjistër të plotë të asseteve për çdo shoqëri ujësjellës kanalizime pjesëmarrëse.  Projekti ka filloi në Mars 2019 dhe ofrohet në kuadër të Programit “Shërbime Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindor”, i cili zbatohet nëpërmjet një partneriteti midis Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH – GIZ, Kompanisë Hydro-Comp në Qipro, dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Kompanive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub (IAWD).  Programi është pjesë e Partneritetit të Danubit (D-Leap), një nismë rajonale, e integruar dhe e qëndrueshme për ngritjen e kapaciteteve të shoqatave kombëtare të ujësjellësve dhe IAWD.

Skuadra e SHUKALB në një vizitë në terren në një stacion pompimi në Shoqerinë UK Përmet.  Nga  e M në të D: Inxh. Fran Marku, Inxh. Elvis Ndreka dhe Inxh. Kostandin Isufi, Drejtor Teknik,  UK Përmet.
Foto nga SHUKALB

Aktivitetet e Projektit gjatë tremujorit të fundit janë përqendruar në ofrimin e trajnimeve për stafin e shoqërive UK të angazhuara në Projekt, si dhe ofrimin e asistencës direkte përmes vizitave në terren të kryera nga Sukadra e Projektit.  Me datë 3 dhe 4 Tetor 2019, në Prishtinë, Kosovë, SHUKALB dhe SHUKOS organizuan së bashku trajnimin e dyte ” GIS i Avancuar/Menaxhimi i të dhënave në Rrjet ” në kuadër të Projektit.  Trajnimi paraqiti një qasje më të përparuar për menaxhimin e të dhënave dhe i mundësoi stafit përgjegjës nga Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime pjesëmarrëse që të vazhdojnë procesin e hedhjes së të dhënave dhe regjistrimin e asesteve në programin EDAMS për pjesën tjetër të fazës së parë të Projektit.

Në vijim të trajnimit, Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime pjesëmarrëse kanë bërë përparim me hedhjen e të dhënave të reja në programin EDAMS, si dhe me korrigjimin dhe plotësimin e informacionit që mungonte për asetet e regjistruara më parë në EDAMS.  Për më tepër, gjatë kësaj kohe skuadra e Projektit në SHUKALB ka ofruar asistencë të ngushtë përmes vizitave në terren në të gjitha shoqëritë UK dhe ka punuar vazhdimisht në distancë me stafin përgjegjës në shoqëritë UK për regjistrimin e të dhënave.  Gjatë vizitave në terren, të dhënat janë mbledhur në terren dhe më pas janë regjistruar, përmirësuarar dhe përpunuar në sistemin EDAMS.  Ky është një proces i vazhdueshëm që vazhdon të bëhet nga stafi i shoqërive UK pjesëmarrëse.

Në shkurt 2020, SHUKALB së bashku me SHUKOS kanë planifikuar të organizojnë një workshop për të prezantuar rezultatet e arritura gjatë fazës së parë të Projektit (Niveli i Argjendtë) dhe në të njëjtën kohë për të prezantuar nisjen e fazës së dytë (Niveli i Artë).  Të ftuar në workshop do të jenë të gjitha shoqëritë ujësjellës kanalizime, aktorë të nivelit të pushtetit qendror dhe lokal nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe donatorët dhe institucionet financiara ndërkombëtare që operojnë në të dy vendet.  SHUKALB do të ndajë më shumë detaje mbi workshopin në fillim të janarit.

Vizita e SHUKALB në Shoqërinë Ujësjellës Gramsh në kuadër të Projektit.  Nga e M në të D: Bledjan Koçi, Drejtor Teknik, Ujësjellës Gramsh; Elisabeta Poçi, Zv. Drejtore Ekzekutive, SHUKALB; Tajar Bici, Drejtor, Ujësjellës Gramsh, Inxh. Fran Marku dhe Inxh. Elvis Ndreka.

Foto nga SHUKALB