Përgjigja dhe fokusi i SHUKALB ndaj situatës së COVID-19

Pas udhëzimeve të Qeverisë shqiptare, gjatë muajit Mars dhe Prill 2020, SHUKALB ndërmori masat e nevojshme që çdo punonjës të vazhdonte punën nga shtëpia.

Gjatë kësaj periudhe, në përgjigje ndaj situatës së COVID-19, SHUKALB ka mbajtur komunikim të rregullt me shoqëritë e saj anëtare ujësjellës kanalizime duke shpërndarë me ta informacione të rëndësishme dhe të dobishme për COVID-19 dhe lidhjen e tij me ujin, ndërsa në të njëjtën kohë ka mbledhur reagime nga shoqëritë UK mbi sfidat me të cilat po përballen si rezultat i kësaj krize.  Në përpjekjet për të marrë reagimet e shoqërive SHUKALB zhvilloi një anketim gjatë muajit Prillit 2020, rezultatet e të cilit mund t’i gjeni në këtë botim të Burimit.

Në vazhdim, SHUKALB ka planifikuar organzimin e dy webinareve gjatë majit 2020 për të diskutuar ndikimin e pandemisë COVID-19 ndaj shoqërive UK shqiptare.  Webinari i parë do të ndajë sfidat dhe praktikat më të mira të shoqërive UK dhe qeverisjes vendore në përballimin e pandemisë COVID-19, ndërsa webinari i dytë do të diskutojë perspektivat e institucioneve qendrore dhe donatorëve.

Në lidhje me Programin e tij të Trajnimit, SHUKALB po përgatitet të ofrojë së shpejti dy kurse trajnimi online, ” Siguria në Punë për Profesionistët e Ujit” dhe “Menaxhimi i Emergjencave dhe Krizave”.  Në vazhdim, trajnimet dhe aktivitetet e shkëmbimit të eksperiencave mes kolegëve në kuadër të Projektit Rrjeti Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve (RCDN) janë planifikuar të jepen duke filluar nga muaji korrik 2020.

Me pezullimin e ndjekjes së mësimit në shkolla, SHUKALB duhej të ndryshonte metodologjinë e dhënies së programit “Panairi Shkencor” për shkollat e mesme.  Nxënësit e klasave të 11-ta janë duke punuar për të paraqitur projektet e tyre në formën e videove. SHUKALB do të organizojë konkursin për Panairin Shkencor midis shkollave pjesëmarrëse përmes një eventi online.

Së fundmi, SHUKALB ka krijuar një sesion të dedikuar në faqen e tij të internetit me informacionin më të fundit rreth sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në lidhje me pandeminë COVID-19.