Ka ende kohë për t’u regjistruar për dy kurse trajnimi që do të zhvillohen gjatë muajit tetor, 2019

Pjesëmarrësit dhe trainerët në fund të kursit të trajnimit “Cilësia e Ujit në Sistemin Shpërndarës” në 10-11 maj 2018.
Foto nga SHUKALB

Misioni dhe përgjegjësia kryesore e Shoqërive Ujësjellës Kanalizime është furnizimi me ujë të pijshëm të sigurt dhe në përputhje me standartet dhe rregulloret ekzistuese. Një sistem furnizimi me ujë të pijshëm konsiderohet cilësor, kur nuk përmban organizma patogjene që shkaktojnë sëmundje, nuk përmban kimikate toksike, është i mirë në shije dhe në dukje, duke u bërë kështu i pranueshëm për konsumatorët familjarë.

Në përmbushje të këtij misioni kaq të rëndësishëm, SHUKALB do të organizojë kursin 2-ditor të trajnimit ” Cilësia e Ujit në Sistemin Shpërndarësnë datat 17-18 Tetor, 2019 për të gjithë profesionistët e shoqërive ujësjellës kanalizime, dhe do të drejtohet nga Prof. Tania Floqi, Eksperte e Cilësisë së Ujit dhe Ing. Astrit Menalla, Konsulent i Pavarur. Kursi i Trajnimit është veçanërisht i vlefshëm për drejtorët e departamentit teknik dhe të shpërndarjes, inxhinierët e mirëmbajtjes dhe të shfrytëzimit, inxhinierët e matjes, teknikët e bilancit, menaxherët e faturimit dhe arkëtimit, inxhinerë konsulentë, inxhinerë projektues, zyrtarë të shëndetit publik, apo institucione të tjera rregullatore dhe të ngjashme.

Kursi i trajnimit do ti aftësojë pjesëmarrësit të kuptojnë transformimet kimike, fizike dhe biologjike të ujit, kur futet dhe qarkullon në rrjetin e shpërndarës. Gjithashtu, ata do të mësojnë të identifikojnë programet për monitorimin dhe mbikëqyrjen e rrjetit, dhe të kuptojnë procesin e dezinfektimit dhe pikat e aplikimit të klorit në detaje.

Impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura janë sisteme komplekse, të përbëra nga njësi dhe procese të ndryshme, të cilat janë të ndërlidhura dhe kanë ndikim në funksionimin e njëra-tjetrës. Stafi i shoqërive ujësjellës kanalizime duhet ti operojë impiantet për trajtimin e ujërave të ndotura, në mënyrë efektive duke mbrojtur mjedisin dhe investimet infrastrukturore. Prandaj, zotërimi i njohurive mbi parimet, praktikat dhe proceset bazë të përfshira në trajtimin e ujërave të ndotura është i nevojshëm për operimin efektiv të njësive specifike të trajtimit.

SHUKALB do të organizojë kursin 1-ditor të trajnimit “Hyrje në Trajtimin e Ujërave të Ndotura” në datën 25 Tetor 2019, për të gjithë profesionistët e shoqërive ujësjellës kanalizime, dhe do të drejtohet nga Prof. Enkelejda Gjinali, Lektore, Departamenti i Inxhinierisë së Mjedisit, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, dhe Ing. Enkeleda Basha, Menaxhere, Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura të Durrësit. Kursi është veçanërisht i vlefshëm për teknikët dhe specialistët që punojnë në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura si dhe të gjithë specialistët e sektorit të kanalizimeve të cilët aspirojnë të punojnë në një impiant trajtimi.

Ky kurs trajnimi do ti aftësojë pjesëmarrësit të kuptojnë karakteristikat e ujit të ndotur, konceptet themelore të trajtimit të tij, si dhe kompleksitetin e llojshmërinë e metodave të trajtimit.

Mirëpresim regjistrimin dhe pjesëmarrjen tuaj aktive në këto trajnime!