Ndikimi i tërmetit të 26 nëntorit në rrjetet e furnizimit me ujë dhe përgjegjshmëria dhe solidariteti i Sektorit të Ujit

Nga e M në të D: Fran Marku, Inxhinier i Sistemit EDAMS, SHUKALB dhe Lucas Beck, Ekspert për Ujin, Swiss Humanitarian Aid gjatë inspektimeve të rrjetit të furnizimit me ujë në zonën e Krujës
Foto nga SHUKALB

Në mëngjesin e 26 nëntorit 2019, Shqipëria u godit nga tërmeti më i fortë i regjistruar në dekada, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.  Fatkeqësisht, 51 persona humbën jetën, mbi 1,000 persona u plagosën, dhe shumë ndërtesa janë shembur dhe janë dëmtuar rëndë, kryesisht në qytetet e Durrësit dhe Thumanës, si dhe në zonat e tjera të Krujës, Tiranës, Lezhës dhe Kavajës.

Orët e para pas tërmetit ishin kritike për të shpëtuar jetën e njerëzve që kishin mbetur nën rënoja. Departamenti Teknik i Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Durrës (UK Durrës) iu përgjigj me shpejtësi kësaj urgjence, duke ngritur një ekip verifikimi për të ndihmuar operacionin e kërkim-shpëtimit në ndërtesat e shembura.  Operacioni u drejtua nga stafi inxhinierik i UK Durrës dhe u krye nga stafi i departamentit të mirëmbajtjes, të cilët bënë një punë heroike, në rrethana shumë të rrezikshme.

Gjate takimit me Drejtorin Teknik të UK Durrës, Lorenc Facja (I pari majtas)
Foto nga SHUKALB

SHUKALB luajti një rol proaktiv duke ofruar mbështetjen e tij për shoqëritë UK më të prekura, kryesisht UK Durrës dhe UK Krujë.  Në koordinim dhe bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës në Tiranë, SHUKALB iu bashkua ekipit të Njësisë së Swiss Humanitarian Aid të cilët arritën në Shqipëri për të ofruar ndihmë emergjente për ata që u prekën nga tërmeti. Inxhinieri Fran Marku nga SHUKALB së bashku me Lucas Beck, Ekspert i Ujit nga Swiss Humanitarian Aid dhe përfaqësues të Ambasadës së Zvicrës në Tiranë, organizuan takime me përfaqësuesit e të dy shoqërive UK dhe kryen inspektime në terren për të ekzaminuar dëmet.

Punonjës të UK Durrës gjatë riparimit të tubacionit të demtuar të furnizimit me ujë
Foto nga UK Durrës

Me 28 Nëntor, Marku dhe Beck u takuan me Ledio Çelën, Drejtor i UK Krujë, ku diskutuan problemet e shkaktuara në rrjetin e ujësjellësit.  Swiss Humanitarian Aid dhe SHUKALB ofruan ndihmën dhe ekspertizën e tyre për sigurinë e ujit, dhe këshilluan shoqërinë që të intensifikojë monitorimin e cilësisë së ujit në këto zona.  Bazuar në inspektimet e kryera në terren, u vu re se në përgjithësi shoqëria e kishte menaxhuar mirë situatën, me disa defekte të vogla që ishin riparuar nga vetë stafi i shoqërisë.

Më vonë atë ditë, ekipi organizoi një takim me Drejtorin Teknik të UK Durrës, Lorenc Facja, i cili prezantoi një përmbledhje të situatës me të cilën po përballeshin dhe masat emergjente që ishin marrë për të siguruar shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizimeve për qytetarët.

Menjëherë pas tërmetit, u organizuan disa ekipe inspektimi në terren nga UK Durrës për të inspektuar zonën e plazhit të Durrësit si një nga më të prekurat. Ekipet inspektuan të gjitha ndërtesat e dëmtuara ku u ndërpre furnizimi me ujë, për të mos ndërprerë furnizimin në të gjithë zonën.  Për më tepër, ekipi kishte vlerësuar tashmë statusin e rezervuarëve, stacioneve të pompimit dhe puseve, ku aktualisht, nuk janë regjistruar dëme kritike.

Punonjës të UK Durrës duke sistemuar kabinat tualeteve të lëvizshëm në kampet ku strehohen njerëzit shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar Foto nga UK Durrës

Dëmtimi më i madh që prek furnizimin me ujë për qytetarët e Durrësit u regjistrua më 27 nëntor, në një tubacion të vjetër. Riparimi u krye në një kohë rekord nga stafi i Shoqërisë, të cilët u ndihmuan gjithashtu nga kompani private që ofruan ndihmën e tyre me mjetet e nevojshme.

Gjithashtu, nevoja urgjente ishin të siguroheshin shërbime sanitare të lëvizshme në kampet e ngritura për të strehuar njerëzit, shtëpitë e të cilëve ishin shkatërruar.  UK Durrës u angazhua duke vendosur kabina tualetesh të lëvizshëm në secilin prej kampeve.

Stafi I UK Durrës gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit në objektet e shembura totalisht
Foto nga UK Durrës

Gjithashtu, vlen të përmendet gatishmëria e Kompanive Rajonale të Ujësjellësve të Kosovës dhe SHUKOS, të cilët më 27 nëntor 2019, dërguan një letër zyrtare drejtuar SHUKALB, UK Durrës, dhe shoqërive UK të tjera në nevojë, duke shprehur gatishmërinë e tyre për t’i mbështetur me staf teknik dhe nevoja të tjera sipas kërkesave të tyre. SHUKALB, në emër të shoqërive UK anëtare të tij, dëshiron të shprehë mirënjohjen për solidaritetin dhe mbështetjen e dhënë nga Swiss Humanitarian Aid dhe Ambasada e Zvicrës në Tiranë, si dhe nga SHUKOS dhe Kompanite Rajonale të Ujësjellësve të Kosovës.