Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës zhvillojnë takimin e përbashkët për programin e Certifikimit Bazuar në Testim

Pjesëmarrësit gjatë takimit të përbashkët për programin e Certifikimin Foto nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë (MIE)

Me datë 7 nëntor 2018, në kuadër të Konferencës dhe Ekspozitës së 6-të të Përbashkët Ballkanike, “Uji dhe Natyra”, të organizuar nga SHUKALB dhe SHUKOS, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë (MIE) dhe  Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës (MZHEK) nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi (MM) për një Program të përbashkët Certifikimi të Bazuar në Testim për Operatorët e Ujësjellës Kanalizimeve në të dy vendet.

Memorandumi kishte për qëllim arritjen e objektivave të përbashkëta për Ministritë respektive për ngritjen e kapaciteteve në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizime për sigurimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizime në mënyrë të sigurt dhe të besueshme në ditët e sotme si dhe për brezat e ardhshëm.

Në kuadër të Memorandumit, më 13 shtator, MIE priti në ambientet e saj në Tiranë një delegacion përfaqësuesish nga institucione të ndryshme të Kosovës duke përfshirë ndër të tjera MZHEK, Zyrën e Kryeministrit, Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), Institutin e Shëndetit Publik, Shoqatën e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës (SHUKOS).  Takimi u mirëprit dhe u drejtua nga Zëvendësministri i MIE, Hantin Bonati, dhe përveç përfaqësuesve nga MIE morën pjesë edhe përfaqësues nga institucionet e Bordit të Certifikimit si Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Enti Rregullator i Ujit , SHUKALB, Shoqata për Autonominë Vendore të Shqipërisë, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakulteti i Ekonomisë.

Qëllimi i takimit ishte vendosja e kontakteve midis të dy Ministrive për të koordinuar aktivitetet e përbashkëta në zbatimin e MM-së.  Gjatë takimit pjesëmarrësit shkëmbyen informacion mbi ecurinë e procesit të certifikimit në të dy vendet, si dhe u përcaktuan hapat e mëtejshëm për bashkëpunim me qëllim zbatimin e MM-së.

Lindita Sotiri, Drejtore, Drejtoria e Furnizimit me Ujë, Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, MIE; dhe përfaqësues të tjerë nga MIE dhe AKUM ndanë përvojën Shqiptare me kolegët nga Kosova, si vendi i parë në rajon që ka formalizuar një Program të Institucionalizuar Trajnimi Kombëtar dhe Certifikimi Bazuar në Testim për drejtuesit operacionalë të Shoqërive Ujësjellës Kanalizimeve.