Tre investimet e mëdha të Ujësjellës Kanalizime Tiranë pritet të kenë një impakt të konsiderueshëm për qytetin e Tiranës

Gjatë inaugurimit të punimeve në linjën e transmetimit Liqeni i Bovillës – Impianti i Trajtimit të Ujit, me pjesëmarrjen e (nga e djathta në të majtë) z. Redi Molla, Drejtor i Përgjjithshëm, UKT; z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës; znj. Belinda Balluku, Ministre e Infrastruktures dhe Energjise, dhe z. Alberto Cutillo, Ambasadori Italian në Shqipëri
Foto nga UK Tiranë

Tre investimet më të fundit të nisura paralelisht nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UK Tiranë) pritet të sjellin një impakt të rëndësishëm në përmirësimin e furnizimit me ujë për Qytetin e Tiranës deri në fund të këtij viti.

Një pjesë e mirë e qytetit do të furnizohet me ujë në mënyrë të pandërprerë, falë investimit më të ri që ka nisur të kryhet nga UKT.  Bëhet fjalë për zonat e banuara të të Yzberishtit, Kodër Kamzës, Bathore, Institut, Kashar Selitë, Liqeni i thatë etj.  Numri aktual i banorëve që do të furnizohen me ujë përmes kësaj linje të re, është rreth 250,000 banorë dhe në një periudhë 25 vjeçare për rreth 410,000 banorë.

Ky është vetëm një nga tre investimet e mëdha që pritet të përfundojnë brenda vitit 2019 nga kjo shoqëri, investim që po në të njëjtën kohë me ndërtimin e linjës së transmetimit nga liqeni i Bovillës në impiantin e trajtimit të ujit Bovillë, si dhe me zgjerimin e kapacitetit trajtues të vetë impiantit.

Ndër sfidat më të mëdha të UK Tiranë për vitet e ardhshme është modernizimi i rrjetit shpërndarës, po aq sa edhe kryerja e investimeve të reja në zona ku mungon tërësisht rrjeti për t’i dhënë zgjidhje furnizimit me ujë të banorëve.  Tirana është një qytet i cili po zgjerohet dita-ditës dhe kjo sjell nevojën për politika efiçente në menaxhimin sa më të mirë të shpërndarjes së ujit.  Është ky vizion i drejtuesve të shoqërisë, i cili synon që me këto investime Tirana të ketë një shërbim shumë herë më cilësor të furnizimit me ujë duke shkuar në të ardhmen në furnizmin me ujë përgjatë 24 orëve.

Gjatë punimeve për zgjerimin i Impiantit të Trajtimit të Ujit Bovillë
Foto nga UK Tiranë

Shuma totale që do të investohet për Rehabilitimin e Rrjetit Hidrik të Tiranës është 10.5 milionë euro.  Një investim i nisur me të njëjtin standard të vendeve të Bashkimit Europian, i cili do të përmirësojë kapacitetin e furnizimit me ujë për qytetin e Tiranës dhe zonave përreth, njëkohësisht do të shmangë abuzimet nga ndërhyrjet, si dhe do të eliminojë humbjet e volumit të ujit në linjën e transmetimit.

Zgjerimi i Impiantit të Trajtimit të Ujit Bovillë është një nga tre pjesët që përbëjnë këtë projekt madhor që ka nisur Ujësjellës Kanalizime Tiranë.  Në tërësinë e tij projekti është hartuar me një perspektivë 25 vjeçare, me aftësi prodhimi në perspektivë 3600l/sec, ai përfshin ndërtimin e një linje transmetimi nga Liqeni i Bovillës deri në Impiant me gjatësi 10 km; zgjerimin e impiantit të Bovillës me 30% më shumë të kapacitetit të tij përpunues; si dhe ndërtimin e një linje transmetimi furnizimi nga impianti i Bovillës deri në depon e Yzberishtit.

Gjatë punimeve për linjën e transmetimit Bovillë – Yzberisht!
Foto nga UK Tiranë

Ky investim do të eliminojë tërësisht furnizimin me ujë përmes stacioneve të pompimit, me eficencë të lartë të kursimit të energjisë elektrike me vlerë rreth 1.1 mil Euro në vit, dhe njëkohesisht duke shndërruar tërësisht cilësinë e ujit të furnizuar.

Së fundmi, nga ndërtimi i linjës së transmetimit nga impianti i Bovillës në Depo e Yzberishtit do të përfitojnë banorët e Yzberishtit, Kodër Kamzës, Bathores, Institut, Kashar Selitë dhe Liqeni i thatë. Furnizimi i zonave të mësipërme direkt nga Impianti i Bovillës siguron furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor për të gjithë konsumatorët banues në këto hapësira të zhvilluara rishtaz.