Varus Dooel organizon Konferencën një ditore mbi Monitorimin e Ujit dhe Ushqimit

Pjesëmarrës në Konferencën e Monitorimit të Ujit dhe Ushqimit. Foto nga SHUKALB

Më 4 prill 2019, në Hotel Adriatik në Durrës, Varus Dooel, anëtar privat i SHUKALB dhe përfaqësues ekskluziv i portofolit të Merck Millipore dhe Sigma Aldrich për territorin e Shqipërisë dhe Kosovës organizuan një konferencë një ditore të titulluar “Monitorimi i Ujit dhe Ushqimit”. Konferenca u organizua me mbështetjen e SHUKALB dhe SHUKOS dhe fokusohej në monitorimin e ujit dhe gjithçka që lidhet me të.
Konferenca mblodhi rreth 100 pjesëmarrës të cilët vinin nga shoqëritë ujësjellës kanalizimeve nga Shqipëria dhe Kosova, Enti Rregullator i Ujit të Shqipërisë, Kompania e Ujësjellësit të Shkupit, Instituti i Shëndetit Publik të Maqedonisë, Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës, si dhe aktorë të tjerë.  Prezantimet në konferencë përfshinin tema lidhur me metodat e monitorimit të cilësisë së ujit si dhe standardet dhe rregulloret për cilësinë e ujit nga Kosova, Shqipëria si dhe Maqedonia.

Elisabeta Poçi, Zëvendës Drejtore Ekzekutive, SHUKALB duke përshëndetur pjesëmarrësit në hapjen e Konferencës
Foto nga SHUKALB

Zëvendës Drejtoresha Ekzekutive e SHUKALB, Znj. Elisabeta Poçi, vlerësoi iniciativën e Varus Dooel në organizimin e një konference mbi temën e monitorimit të ujit dhe theksoi vlerën e eventeve të tilla, pasi ato krijojnë mundësi për shkëmbimin e njohurive midis anëtarëve të sektorit privat dhe shoqërive ujësjellës kanalizime. Si një organizatë profesionale që promovon shkëmbimin e njohurive dhe networking, SHUKALB do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla që krijojnë mundësi për të mësuar dhe shkëmbyer praktikat më të mira.