Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime vazhdojnë progresin me projektit “Menaxhimi i Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri”, zbatuar nga SHUKALB

Elvis Ndreka, Inxhinier i Sistemit EDAMS, Mario Grabocka, Inxhinier Mjedisi dhe Niko Shumka, Inxhinier IT, gjatë vizitës në shoqërinë UK Korcë
Foto nga SHUKALB

Projekti Menaxhimi i Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Shqipëri, të cilin SHUKALB po zbaton që nga muaji Mars 2019, vazhdon aktivitetet e tij në përputhje me rregullat e reja të vendosura nga qeveria Shqiptare në lidhje me situatën e pandemisë.

Shoqëritë UK po shohin impaktet edhe përfitimet e parë të programit Menaxhimi i Aseteve. Tashmë pjesa më e madhe e tyre ka krijuar një databazë të detajuar të dhënash me informacion teknik për cdo aset dhe i pasqyruar me referenca gjeografike.

Ky informacion është i unifikuar për cdo shoqëri UK pjesë e programit, pavarësisht kapaciteteve të shoqërisë apo madhësinë. Këto të dhëna janë lehtësisht të përdorshme dhe kanë shërbyer për të gjeneruar raporte në lidhje me disa kërkesa specifike që një Shoqëri mund të ketë, si për studime fizibiliteti apo për raportime në lidhje me disa asete të caktuara që një shoqëri disponon (si gjatësi linjash kryesore ose dytësore, etj).

Fatjon Pilinci, Inxhinier IT dhe Belina Belortaja, Konsulente e GIS, gjatë vizitës në shoqërinë UK Pogradec.
Foto nga SHUKALB

Rrjeti i furnizimit me ujë për shumicën prej shoqërive është tashmë hedhur i plotë në programin EDAMS, cka e bën dhe më të thjeshtë implemetimin e fazës së dytë të programit për Menaxhimin e Mirëmbajtjes.

Gjatë muajit Korrikut 2020, stafi i projektit ka përshtatur aktivitetet e tij të trajnimit në përputhje me situatën me COVID – 19, duke kryer disa trajnime për shoqëritë Ujësjellës Kanalizime, nëpërmjet platformave online. Në vazhdimësi, dy anëtarët e stafit të projektit (Belortaja, Konsulente e GIS, dhe Elvis Ndreka, Inxhinier i Sistemit EDAMS) kanë organizuar vizita në terren në 5 shoqëri Ujësjellës Kanalizime, përfshirë Lushnjen, Kamzën, Pogradecin , Maliqin dhe Korçën. Këto shoqëri i janë bashkuar projektit për herë të parë këtë vit, dhe qëllimi i vizitave në terren ishte kryerja e trajnimeve të drejtpërdrejta për stafin e Shqërive UK për mënyrën e përdorimit të programit EDAMS, si dhe ndihma në mbledhjen e të dhënave dhe krijimin e regjistrave të aseteve.

Fatjon Braimllari, Inxhinier IT dhe Elvis Ndreka, Inxhinier i Sistemin EDAMS, gjatë vizitës në shoqërinë UK Maliq.
Foto nga SHUKALB

Vizita e parë në terren u organizua më datë 8 Korrik 2020, në zyrat e shoqërisë UK Lushnje, ku stafi i projektit takoi Ersi Veliu, Drejtor Teknik dhe Altin Jongari, Inxhinier Hidroteknik, përgjegjës për projektin e Menaxhimit të Aseteve në shoqërinë UK Lushnje. Gjatë vizitës, stafi i projektit pranë SHUKALB kreu trajnimin për përdorimin e programit EDAMS për menaxhimin e të dhënave të rrjetit, duke marrë shembuj konkretë praktik të hedhjes së të dhënave dhe duke krijuar librari në përputhje me nevojat. Gjithashtu pjesë e vizitës ishte dhe hartimi i një plani pune, përfshirë të gjithë hapat e nevojshëm për avancimin e mëtejshëm të projektit. Plani përfshinte gjetjen e ortofotove, vizitat në terren brenda Shoqërisë UK, si dhe verifikimin dhe mbledhjen e të dhënave.

Vizita e dytë në terren u krye në shoqërinë UK Kamëz, më 27 Korrik 2020. Stafi i projektit takoi Sokol Rambi, Drejtor Teknik, Qani Plaku, Inxhinier Hidroteknik dhe Eni Pellumbi, Koordinatore e Projektit. Qëllimi i vizitës ishte identifikimi i të dhënave të rrjetit të furnizimit me ujë nga projektet ekzistuese në shoqëri. Një pjesë e konsiderueshme e rrjetit të furnizimit me ujë u sigurua nga stafi i shoqërisë në formatin AutoCAD dhe formatin pdf. Pas vizitave, stafi i shoqërisë do të vazhdojë me mbledhjen e të dhënave dhe do t’ia paraqesë ato stafit të projektit pranë SHUKALB, në mënyrë që të bëhet hedhja e një pjesë të konsiderueshme të rrjetit të furnizimit me ujë në programin EDAMS.

Altin Jongari, Inxhinier Hidroteknik dhe Elvis Ndreka, Inxhinier i Sistemit EDAMS, gjatë vizitës në shoqërinë UK Lushnje.
Foto nga SHUKALB

Tre vizitat e tjera në terren u organizuan gjatë datave 28 dhe 29 Korrik në shoqëritë UK Pogradec, Maliq dhe Korçë.

Në shoqërinë UK Pogradec, stafi i projektit u prit nga Albert Tavanxhiu, Drejtor Teknik, Valjona Saro, Koordinatore e Projektit dhe Fatjon Pilinci, Inxhinier IT. Stafi i shoqërisë mori trajnimin për përdorimin e programit EDAMS duke punuar me të dhënat ekzistuese të rrjetit të furnizimit me ujë të Pogradecit. Gjithashtu, u diskutua mbi avantazhet dhe nevojën e ortofotove si dhe opsionet e mundshme për gjetjen e tyre, si dhe organizimin e vizitave në terren brenda shoqërisë për të mbledhur dhe verifikuar të dhënat e marra.

Vizitat vazhduan me shoqërinë UK Maliq. Stafi i projektit u takua me Fatjon Braimllari, Inxhinier IT, personi përgjegjës për projektin pranë shoqërisë. Qëllimi i vizitës ishte instalimi i pogramit EDAMS dhe puna me të dhënat e disponueshme të rrjetit të furnizimit me ujë në zonën e Maliqit. Gjithashtu, pjesë e axhendës ishte hartimi i një plani pune për marrjen e të dhënave në terren, dhe hedhjen e tyre në programin EDAMS, si dhe disa udhëzime për mbledhjen e tyre.

Vizita e fundit u krye në shoqërinë UK Korçës. Stafi i shoqërisë kishte organizuar një mbledhje me stafin e projektit pranë SHUKALB, dhe pjesë e tij ishte Elia Pendavinji, Drejtore Tregtare, Ediola Osman, Marrëdhënie me Publikun, Ilir Papa, Kryeinxhinier, Niko Shumka, Inxhinier IT dhe Mario Grabocka, Inxhinier Mjedisi. Qëllimi i këtij takimi ishte një prezantim i përgjithshëm i programit dhe hapat që duhen ndjekur për të avancuar më tej me zbatimin.  Si pjesë e vizitës, stafi i projektit, kreu trajnimin për stafin teknik të shoqërisë mbi përdorimin e programit EDAMS, duke përdorur të dhëna nga rrjeti i furnizimit me ujë i shoqërisë. Në vazhdimësi, u diskutua për mbledhjen dhe përmirësimin e të dhënave ekzistuese të gjeneruara në program.

——————————–

Projekti ofrohet në kuadër të Programit “Shërbime Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindore”, i cili zbatohet nëpërmjet një partneriteti midis Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH – GIZ, Kompanisë Hydro-Comp në Qipro, dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Kompanive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub (IAWD).  Programi është pjesë e Partneritetit të Danubit (D-Leap), një nismë rajonale, e integruar dhe e qëndrueshme për ngritjen e kapaciteteve të shoqatave kombëtare të ujësjellësve dhe IAWD.