Enti Rregullator i Ujit të Shqipërisë merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të 18-të të Shoqatës Evropiane të Rregullatorëve të Ujit

Më 21-22 maj 2019, në Vilnius, Lituani, u organizua Asambleja e Përgjithshme e 18-të e Shoqatës Evropiane të Rregullatorëve të Ujit (WAREG).  Eventi u prit nga Komisioni Kombëtar për Kontrollin e Energjisë dhe Çmimet e Lituanisë.

Enti Rregullator i Ujit (ERRU) anëtar i plotë i WAREG-ut që nga themelimi i tij u përfaqësua në Asamblenë e Përgjithshme, nga Kryetari i saj, z. Ndriçim Shani, i cili mori pjesë në mes 20 përfaqësuesve të Enteve të tjera Rregullatore për shërbimet e ujit dhe kanalizimeve.

Ndriçim Shani, Kryetar i ERRU (rrjeshti i parë, i 4-ti nga e majta) midis pjesëmarrësve të tjerë në Asamblenë e Përgjithshme të 18-të të WAREG
Foto nga WAREG

Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të WAREG u prezantua një raport mbi rolin e rregullatorëve ekonomikë në adresimin e sfidave të investimeve kapitale që hasin shoqëritë UK, të cilat identifikojnë mekanizmat kryesorë të investimeve në infrastrukturën ujore në Evropë, si: siguria, qëndrueshmëria dhe fleksibiliteti i shërbimeve te furnizimit me ujë, trajtim efektiv të ujërave të ndotura dhe ne perputhje me standardet mjedisore, cilësi e ujit sipas standardeve mjedisore të BE, vjetërsia dhe /ose infrastruktura e papërshtatshme.

Ditën e dytë, më 22 maj, u organizua një seminar për avantazhet e rregullimit ekonomik me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).  Diskutimi  theksoi rëndësinë e krijimit të rregullimit ekonomik në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe sfidat konkrete me të cilat ballafaqohen rregullatorët në ushtrimin e kompetencave të tyre.

Seminari u organizua në 3 sesione bazuar në përvojat kombëtare në Evropë. Në sesionin e parë, Ngritja e një rregullatori, u diskutua mbi kushtet e nevojshme për krijimin e një rregullatori, bazuar në përvojën në Kroaci dhe Kosovë.  Sesioni i dytë, Ruajta e një rregullatori, nënvizoi sfidat më urgjente për rregullatorët nga qeveritë, parlamentet dhe aktorët kombëtarë, bazuar në përvojën e Irlandës dhe Lituanisë. Sesioni i tretë, Avancimi i rregullimit ekonomik, lejoi ndarjen e vizioneve mbi perspektivat e ardhshme për rregullimin ekonomik të shërbimeve të ujit, bazuar në përvojën e Italisë dhe Portugalisë.

Sipas Presidentit të WAREG, profesor Andrea Guerrini, “workshopi theksoi nevojën për një qasje të përshtatshme ndaj rregullimit, pasi kërkohet përshtatja e instrumentave rregullatore dhe strukturave organizative në kontekstin specifik për secilin vend.  Duhet të braktiset logjika “një formë për të gjithë” të paktën kur bëhet fjalë për rregullimin e shërbimeve të sektorit të ujit “.

Gjithashtu, gjatë Asamblesë së Përgjithshme u miratua Plani Strategjik 3-vjeçar i WAREG 2020-2022.

Asambleja e Përgjithshme e WAREG organizon takime të rregullta me çështje specifike bazuar në Planin Vjetor të Veprimit.  ERRU po luan një rol aktiv në aktivitetet e zhvilluara nga WAREG, dhe në vitet e fundit ka qenë pjesë e Grupeve të Punës, respektivisht me këto tematika, “Analizë e TKP-ve në vendet anëtare të WAREG (2017)”; “Regjimet e monitorimit të investimeve në vendet anëtare të WAREG (2018)”; “Pozicioni i WAREG mbi propozimin për një direktivë të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit mbi cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor (2018)” dhe “Vendosja e tarifave – struktura dhe metodologjitë (2019)”.

Anëtarët aktualë dhe vëzhguesit e WAREG
Foto nga WAREG

WAREG është një grupim i rregullatorëve ekonomikë evropianë i krijuar për të mësuar nga përvojat e njëri-tjetrit dhe për të mbështetur nje rregullim efektiv të sektorit të ujit pijshëm dhe atyre të ndotura në Evropë.  WAREG u themelua zyrtarisht në një takim me disa rregullatorë të shteteve të ndryshëm në Milano më 23 prill 2015 ku Enti Rregullator i Ujit të Shqipërisë (ERRU), si anëtar me të drejta të plota, ishte një nga rregullatorët e parë në aktin e themelimit të tij.

Sot, WAREG ka 31 anëtarë (26 anëtarë me të drejta të plota dhe 5 vëzhgues) nga vendet evropiane, të cilët ndajnë objektivat e bashkëpunimit të tilla si: të shkëmbejnë dhe të ndajnë praktikat e përbashkëta; të rrisin bashkëpunimin teknik dhe institucional midis anëtarëve të WAREG; të promovojnë ngritjen e kapaciteteve, rregullimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e konsumatorit; të zhvillojë një dialog të hapur me institucionet e BE-së, si dhe me palët e interesit në nivel evropian dhe ndërkombëtar.