Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit organizon ligjeratën “Drejt furnizimit me ujë të sigurt, cilësor, me presion dhe 24×7 –  Sfida e Prishtinës Dje, Sot dhe Nesër”

Ing. Ilir Abdullahu, Kryeshef Ekzekutiv, Kompania Ujësjellësi Rajonal Prishtinë, gjatë prezantimit në ligjeratës”
Foto nga SHUKALB

Me datë 13 Maj 2019, në ambjentet e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN), Tiranë, u zhvillua ligjërata e hapur shkencore me temë “Drejt furnizimit me ujë të sigurt, cilësor, me presion dhe 24×7 – Sfida e Prishtinës Dje, Sot dhe Nesër”, nga Ing. Ilir Abdullahu, Kryeshef Ekzekutiv, Kompania Ujësjellësi Rajonal Prishtinë.

Ligjërata u zhvillua me ftesë të Dekanit të FIN, Prof. Neritan Shkodrani, dhe Departamentit të Hidroteknikës dhe Hidraulikës dhe Departamentit të Inxhinierise së Mjedisit, dhe u organizua dhe bashkëmoderua nga Profesoreshë Enkelejda Gjinali dhe Profesor Alket Kumaraku.

Kjo ligjëratë e hapur vjen ne një kohë kur Shqipëria po promovon një vizion ambicioz dhe serioz në lidhje me Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore, së bashku me ambicien për të arritur furnizimin me ujë për 24 orë për 7 ditë të javës për 60 qendrat urbane në të gjithë Shqipërinë. Prandaj, dhe eksperienca që Ing. Abdullahu ndau me të pranishmit, ka vlerë të madhe jo vetëm në aspektin akademik dhe të nxitjes së kërkimit shkencor, por njëkohësisht edhe mbi menaxhimin praktik të shoqërive ujësjellës kanalizime.

Në këtë ligjëratë morën pjesë aktive përfaqësues nga SHUKALB, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), Enti Rregullator i Ujit, shoqëritë ujësjellës kanalizime, kompani private, profesorë të FIN, studentë të nivelit Master nga Departamenti i Hidroteknikës dhe Hidraulikës dhe Departamenti i Inxhinierise së Mjedisit.

Ing. Abdullahu paraqiti një pasqyrë të plotë teknike dhe shkencore të furnizimit me ujë të Prishtinës e cila nisi me menaxhimin e burimeve ujore përfshirë edhe ato ndërkufitare, e ndjekur nga Impiantet e trajtimit të ujit të pijshëm, linjat e transmetimit kryesor, rezervuarët, njësitë e klorinimit, rrjetin shpërndarës të ndarë në zona presioni, DMA-të, matësit zonal të presionit, pikat e lidhjes së shërbimit, matësat inteligjent të instaluar tek konsumatori.

Ing. Zef Maçi, Drejtor i Ujësjellës Kanalizime Lezhë, dhe Anëtar Bordi I SHUKALB gjatë diskutimeve në fund të ligjëratës
Foto nga FIN

Prezantimi u fokusua në mënyrë specifike në çështjen e ujit pa të ardhura.  Si pjesë e hulumtimit të tij mbi trajtimin e ujit pa të ardhura, Ing. Abdullahu paraqiti punën që Kompania e Ujësjellësit Rajonal te Prishtinës ka bërë me instalimin e DMA-ve dhe matësve të presionit të ndjekur nga një analizë korelative të sjelljes së të dyjave.   Për më tepër, Ing. Abdullahu theksoi rëndësinë e madhe të modelimit dhe rimodelimit hidraulik një herë në 20 vjet, rezultatet e të cilit kanë ndihmuar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit të Prishtinës në menaxhimin hidraulik të sistemeve të saj të furnizimit me ujë.

Takimi vazhdoi me një sesison shumë angazhues pyetjesh dhe përgjigjesh nga audienca. Në fund të fjalimit të tij, Ing. Abdullahu ftoi studentët të vizitojnë Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit të Prishtinës dhe të shohin nga afër operimin e kompanisë dhe punën e bërë për t’u përballur me sfidën e ujit pa të ardhura.

 

*Profili i shkurtër i Ing. Ilir Abdullahu