Investimi i ri për Shoqërinë Ujësjellës Kanalizime Lezhë do të minimizojë përmbytjet në qytetin e Lezhës

Inxh. Zef Maçi, Drejtor, UK Lezhë (djathtas) gjatë prezantimit të Projektit, sëbashku me Ambasadorin Adrian Maitre (majtas) dhe perfaqësues të Ambasadës Zvicerane në Shqipëri.
Foto nga UK Lezhë

Me datë 15 Janar 2020, Drejtori i Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Lezhë (UK), Inxh. Zef Maçi priti në zyrat e tij Ambasadorin e Zvicrës në Shqipëri, z. Adrian Maitre, i shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të Ambasadës.  Qëllimi i takimit ishte prezantimi me projektin më të fundit të financuar nga Qeveria Zvicerane, me vlerë prej 4 milionë Euro, i cili synon minimizmin e përmbytjeve në qytetin e Lezhës.  Projekti përfshin ndërtimin e kanalizimeve për ujërat e shiut dhe ujërat e ndotura, si dhe ndërtimin e një stacioni të ri pompimi për ujërat e shiut.

Projekti u prezantua nga Drejtori Inxh. Maçi, i cili ndau me Ambasadorin dhe pjesëmarrësit e tjerë detajet e këtij projekti të rëndësishëm, si dhe përfitimet që ai do të sjellë për banorët e Lezhës.

Inxh. Zef Maçi (djathtas) dhe Ambasadori Adrian Maitre (majtas) në përfundim të takimit për prezantimin e Projektit
Foto nga UK Lezhë

Ambasadori Maitre u shpreh se është performanca e mirë e Shoqërisë UK Lezhë që ka bërë të mundur këto investime në qytetin e Lezhës.  “Këto investime mbështeten në performancë dhe këtë e ka arritur Shoqëria UK Lezhë, prandaj dhe ne po investojmë këtu.  Ne nuk shohim vetëm aspektet që lidhen me ujin e pijshëm por dhe menaxhimin e ujërave të ndotura dhe të shiut.  Ky është një shembull i mirë ku shkohet me partneritete përtej një projekti, dhe ky partneritet ështe i vendosur nga të dy qeveritë tona.  I gjithë synimi i këtij partneriteti ështe që Shqipëria të mbeshtetet në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian”,  – tha Ambasadori Maitre.