Ka ende kohë për t’u regjistruar për kurset e trajnimit që do të zhvillohen në Nëntor 2019

Pjesëmarrësit e kursit të trajnimit “Kontrolli i Rrjedhjeve”, i zhvilluar në Qershor 2018, gjatë një ushtrimi praktik
Foto nga SHUKALB

SHUKALB ka planifikuar dhënien e tre kurseve të tjera të trajnimit gjatë muajit nëntor 2019, “Kontrolli i Rrjedhjeve”, “Siguria në punë për profesionistët e ujit” dhe “Plani i Biznesit për Përmirësimin e Performancës”.

Kontrolli i rrjedhjeve përbën një nga sfidat kryesore të Shoqërive Ujësjellës Kanalizime. Humbjet teknike, të cilat përfshijnë rjedhjet janë një nga komponentët kryesorë të ujit pa të ardhura. Ato shkaktojnë dëmtime në rrjetin shpërndarës të ujit dhe ndikojnë në cilësinë e ujit të pijshëm. Prandaj, kontrolli dhe menaxhimi i duhur i tyre është i domosdoshëm.

Kursi i trajnimit “Kontrolli i Rrjedhjeve” do të zhvillohet gjatë muajit Nëntor 2019, në Korçë dhe do t’u mundësojë pjesëmarrësve të marrin njohuritë bazë të nevojshme mbi zhvillimin e strategjive të menaxhimit të rrjedhjeve dhe lokalizimin e tyre, si dhe të shpjegojnë teknikat e menaxhimit të presionit dhe mënyrën e projektimit të Zonave të Matura të Shërbimit (DMA).

Kursi i trajnimit “Siguria në punë për profesionistët e ujit” do të zhvillohet gjatë muajit Nëntor 2019, në Tiranë, dhe synon të identifikojë rreziqet e mundshme gjatë punës dhe masat parandaluese që duhet të ndërmerren me qëllim shmangien e aksidenteve, si dhe të nxjerrë në pah rëndësinë e zhvillimit të programeve të sigurisë.

Pjesëmarrësit e kursit të trajnimit “Siguria në punë për profesionistët e ujit”, I zhvilluar në Dhjetor 2018, d uke kontrolluar pajisjet e sigurisë gjatë një demonstrimi praktik
Foto nga SHUKALB

Për një Shoqëri UK, siguria në punë duhet të jetë një përgjegjësi e përbashkët, duke filluar që nga drejtuesit e deri tek punonjësi më i thjeshtë. Shumë prej detyrave të përditshme të punonjësve mund të sjellin situata të rrezikshme. Si rezulat, ata duhet të kenë njohuritë bazë të sigurisë personale dhe të zhvillojnë dhe zbatojnë programin për sigurinë dhe shëndetin në punës.

Ky kurs trajnimi është veçanërisht i vlefshëm për punonjesit e departamentit teknik, duke përfshirë kryeinxhinierët, inxhinierët, teknikët dhe laborantët.

Për t’i ardhur në ndihmë Shoqërive Ujësjellës Kanalizime në planifikimin e tyre, pas përvojës së suksesshme të viteve të kaluara, SHUKALB ka planifikuar dhënien e kursit të trajnimit ”Plani i Biznesit për Përmirësimin e Performancës”, i planifikuar të fillojë më Nëntor 2019.

Ky kurs trajnimi u mundëson pjesëmarrësve të punojnë mbi elementët kryesorë për zhvillimin dhe/ose përditësimin e një Plani Biznesi 5 vjeçar për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime.  Trajnimi do t’i njohë pjesëmarrësit me të gjitha hapat e planifikimit duke filluar me analizimin e situatës aktuale, identifikimin e objektivave strategjike, konvertimin e tyre në plane konkrete për përmirësimin e performancës, dhe në fund monitorimin dhe përditësimin e planit të biznesit.

Pjesëmarrësit gjatë kursit të trajnimit “Plani i Biznesit për Përmirësimin e Performancës” të organizuar gjatë Tetor – Nëntor 2017.
Foto nga SHUKALB

Ky kurs trajnimi është veçanërisht i vlefshëm për drejtuesit e departamentit ekonomik, inxhinierik, shitjes dhe shërbimit me klientin.

Ju mund të regjistroheni tashmë në kurset e mësipërme të trajnimit online përmes faqes së internetit të SHUKALB http://shukalb.al/sq/regjistrohu/ ose duke kontaktuar SHUKALB në adresën e email-it training@shukalb.al apo SHUKOS në shukos2001@gmail.com.

Mirëpresim regjistrimin dhe pjesëmarrjen tuaj aktive në këto trajnime!