Përditësim në lidhje me Projektin “Menaxhimi i Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizme të Shqipërisë”

Fran Marku, Inxhinier Terreni, Projekti Menaxhimi i Aseteve dhe Jona Belshi, Drejtoreshë Teknike, Ujësjellës Kanalizime Cërrik, gjatë asistimit për hedhjen e të dhënave në programin EDAMS
Foto nga SHUKALB

Në Mars të këtij viti, SHUKALB ka filluar zbatimin e fazës së parë të Projektit  “Menaxhimi i Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime të Shqipërisë”. Projekti ofrohet në kuadër të programit “Shërbime Këshillimore për Menaxhimin e Aseteve në Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime në Evropën Juglindor”, i cili zbatohet nëpërmjet një partneriteti midis Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH – GIZ, Kompanisë Hydro-Comp në Qipro, dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Kompanive Ujësjellës Kanalizime në Zonën e Mbulimit të Lumit Danub (IAWD).

Ky  Program  është  pjesë  e Partneritetit të Danubit (D-Leap),  një nismë  rajonale,  e  integruar  dhe  e  qëndrueshme për ngritjen e kapaciteteve të shoqatave kombëtare të ujësjellësve dhe IAWD.

Shoqëritë Ujësjelles Kanalizime të regjistruara në fazën e parë të projektit janë Elbasan, Gramsh, Shkodër, Durrës, Vlorë, Cërrik, Himarë, Sarandë, Kavajë, Përmet, Berat – Kucovë dhe Peqin. Grupi i ekspertëve  nga SHUKALB dhe kompania Hydro-Comp , në bashkëpunim me stafin përgjegjës për këtë projekt pranë Shoqërive UK po punojnë me të dhënat që këto Shoqëri disponojnë, duke bërë analizimin e tyre dhe konvertimin në GIS Shape file, duke bërë të mundur me pas ngarkimin e tyre në programin EDAMS me të cilin punohet për regjistrimin dhe menaxhimin e aseteve.

Paralelisht me këtë proces, gjatë muajit Qershor, ekspertë nga SHUKALB kanë filluar vizitat në terren në disa nga Shoqëritë UK si Gramsh, Kavajë, Berat – Kucovë, Shkodër dhe Cërrik. Këto vizita do të shtrihen gjatë gjithë vitit në të gjitha Shoqëritë UK.

Gjatë vizitave, janë mbledhur të dhënat paraprake në programin AutoCad, harta apo cdo format tjetër që përmban të dhëna mbi asetet. Ky informacion përpunohet me tej dhe bëhet digitalizimi në formatin GIS me ndihmën e ekspertëve të SHUKALB.

Për këtë fazë të parë projekti synon menaxhimin e të dhënave në rrjet si një regjistër gjithëpërfshirës i aseteve për rrjetet e Shoqërive UK duke ofruar kështu një bazë të dhënash gjeografike të rrjetit me funksionet e duhura për marrjen, strukturimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e të gjitha aseteve ekzistuese.