Pilotimi i parë i suksesshëm i kursit të mësimit në distancë nga SHUKALB

Distance LearningSHUKALB ka zbatuar me sukses, për herë të parë në historinë e tij të zhvillimit dhe ofrimit të trajnimeve, një kurs të mësimit në distancë mbi “Udhëzimet praktike për anëtarët e Këshillit të Administrimit të shoqërive aksionare ujësjellës kanalizime”.  Kursi i trajnimit pilot i mësimit në distancë u zhvillua dhe u zbatua në kuadër të projektit të financuar nga USAID, “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Kapaciteteve të Sektorit të Ujit në Shqipëri” me mbështetjen e përbashkët të projektit të lartpërmendur, si dhe të grant projektt të financuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Kompanive të Furnizimit me Ujë në Basenin e Lumit të Danub (IAWD).  Përveç kësaj, IAWD i siguroi SHUKALB-it një hapësirë në Akademinë e Partneritetit të Danubit (D-LeaP), ku u zbatua kursi i trajnimit të mësimit  në distancë.

Kursi i mësimit në distancë u zhvillua dhe u përshtat bazuar në një kurs trajnimi ekzistues nga një grup ekspertësh lokal.  Grupi i parë i pjesëmarrësve ndoqën kursin nga data 10 shtator deri më 5 tetor, ku përfshiheshin anëtarët e Këshillit Administrativ, Këshilli Bashkiak, drejtorët e përgjithshëm dhe teknik të shoqërive ujësjellës kanalizime dhe inxhinierë të tjerë të interesuar në shërbimet e ujësjellës kanalizimeve.  Tetë (8) nga katërmbëdhjetë pjesëmarrës, kanë plotësuar të gjitha kërkesat e mësimit të kursit dhe ata do të pajisen me Certifikata.

Kursi i mësimit në distancë ndihmoi pjesëmarrësit:

  • Të njiheshin me organizimin dhe funksionet e organeve drejtuese të Shoqërive Ujësjellës Kanalizime, formën ligjore të Shoqërive Publike dhe kuadrin ligjor që rregullon ato në Shqipëri.
  • Të mësonin kompetencat e Administratorit të Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime, autoritetin dhe procedurat që janë themeluar për ushtrimin e funksionit të tij.
  • Të kuptonin aspektet legjislative, rregullatore dhe institucionale që ndikojnë në organizimin dhe menaxhimin e Shoqërive Ujësjellës Kanalizime.
  • Të kuptonin rolin dhe funksionet e Entit Rregullator të Ujit dhe kuadrin legjislativ që rregullon funksionin rregullator të Entit.
  • Të mësonin elementët bazë të infrastrukturës së sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, si dhe funksionin që këto elemente kryejnë në ofrimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.
  • Të kuptonin konceptet themelore të hartimit të një Plani Biznesi pesë vjeçar, siç aplikohet për Shoqëritë Ujësjellës Kanalizime
  • Të kuptonin instrumentet dhe metodologjitë për monitorimin e performancës së Shoqërive Ujësjellës Kanalizime.
  • Të kuptonin “Pjesëmarrjen e Sektorit Privat”, si një mundësi për të ofruar shërbime ujësjellës kanalizimeve dhe për të përmirësuar performancën e Shoqërive.

Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, citoi mbi kursin: “Kursi ofron udhëzime shumë praktike në të gjitha fushat kryesore për anëtarët e këshillit administrativ, me qëllim që të ushtrojnë detyrat e tyre me njohuri në menaxhimin e Shoqërive Ujësjellës Kanalizimeve. Unë e rekomandoj shumë për organet Bashkiake“.

Kursi eLearning kombinon një sërë mjetesh të të mësuarit, të tilla si prezantimi, grafika, mjete shtesë të punës, testet e kontrollit të njohurive, pyetjet të reflektimit dhe diskutimit, dhe fjalorin, të cilat e bëjnë përvojën e të mësuarit efektiv dhe të këndshëm.  Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime dhe adresuan pyetje teknike, gjë që është një veçori shtesë pozitive e kursit të mësimit në distancë.

Pjesëmarrësit e vlerësuan shumë kursin, si i lehtë, i dobishëm dhe interesant.  Përgjigjet e përgjithshme rreth përmbajtjes, dizajnit dhe metodologjisë, logjistikës dhe ndikimit të perceptuar ishin shumë pozitive.  Pjesëmarrësit theksuan përfitimet e leximit në kohën dhe ritmin e tyre, dhe leximit para dhe pas të materialit sa herë që ishte e nevojshme.  Ata identifikuan dhe konfirmuan zbatimin e veprimeve specifike për përmirësimin dhe adresimin e problemeve në vendin e punës.  Mark Molla, Administrator i Shoqërisë Ujesjellës Kanalizime Shkodër citoi: “Kursi ishte i vlefshëm dhe ilustrues, pavarësisht se ndeshemi me këto çështje dhe problematika çdo ditë.  Gjithashtu kishte informacion risi siç është PPP.  Nga ana tjetër informacioni i dhënë nga kursi ishte i bollshëm për të përvetësuar e përmirësuar njohuritë e përgjithshme dhe më të detajuara“.

Kjo ishte përvoja e parë e SHUKALB me mësimin në distancë, ndërkohë që kjo formë e ofrimit të trajnimeve është bërë mjaft popullore vitet e fundit, kryesisht në vendet e zhvilluara.  Arsyet për këtë lidhen kryesisht me komoditetin që u ofron pjesëmarrësve, ku trajnimi mund të merret nga vendndodhja e pjesëmarrësve dhe ritmin e ndjekjes së trajnimit e zgjedh vetë pjesëmarrësi. Përveç kësaj, kjo formë e ofrimit të trajnimit eliminon kostot e udhëtimit dhe akomodimit të lidhura në përgjithësi me ofrimin klasik të trajnimit në klasë.  Nëse kjo do të jetë e ardhmja e ofrimit të trajnimeve për SHUKALB apo jo, është akoma shumë herët për ta parashikuar. Megjithatë, SHUKALB do ta përdorë këtë përvojë të parë të suksesshme dhe do të ofrojë kursin e trajnimit në distancë “Udhëzimet praktike për anëtarët e Këshillit të Administrimit të shoqërive aksionare ujësjellës kanalizime” për të gjithë individët e interesuar, si pjesë e kalendarit të rregullt vjetor të trajnimit.