Profesionistët e Rinj të Ujit

shukalbaustrian  young-water

 

 

Grupi Shqiptar i Profesionistëve të Rinj të Ujit

 

Çfarë është Programi i Profesionistëve të Rinj të Ujit?

 

Programi i Profesionistëve të Rinj të Ujit (PRU) është një iniciativë e Shoqatës Ndërkombëtare të Ujit (IWA),
që ka si qëllim ngritjen e një rrjeti profesionistësh të rinj të sektorit ujësjellës kanalizime, të cilët janë duke përfunduar studimet akademike ose janë në vitet e para të karrierës së tyre profesionale. Ky program ofron mënyra praktike dhe efektive për të gjithë të rinjtë që janë të interesuar të vazhdojnë karrierën në sektorin e ujësjellës kanalizime për të ndjekur interesat dhe përvojat e tyre. Programi gjithashtu është i angazhuar në sektorin e ujit, duke mbështetur punën ne aktivitetet që kanë si qëllim zhvillimin profesional si dhe mbështet përpjekjet e përbashkëta në rekrutimin e profesionistëve të rinj të talentuar.

Përse duhet themeluar në Shqipëri Grupi i Profesionistëve të Rinj të Ujit?

 

Zhvillimi efikas dhe efektiv i sektorit të ujit është i pamundur pa një rrjedhë të qëndrueshme të profesionistëve të rinj, të cilët fillojnë të punojnë në sektorin e ujit por edhe vazhdojnë të zhvillohen profesionalisht në këtë fushë, duke ngritur nivelin e kapacitetit dhe kompetencën e sektorit të ujësjellës kanalizime në vend.
Plotësimi i nevojave aktuale dhe i atyre të së ardhmes në sektorin e ujësjellës kanalizime në Shqipëri, kërkon zhvillimin e vazhdueshëm të një fuqie punëtore, e cila është e mjaftueshme në madhësi, e aftë në aftësitë dhe e fortë në udhëheqje. Profesionistët e Rinj të Ujit (studentë dhe profesionistë të sektorit nën moshën 35 vjeç) janë e ardhmja e sektorit ujësjellës kanalizime në të gjithë botën, dhe në Shqipëri ky fakt është veçanërisht i vërtetë.

Si filloi ky Program në Shqipëri?

Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë, pasi identifikoi nevojën për profesionistë të rinj në sektor, angazhoi burimet e saj në inkurajimin e krijimit të një grupi me profesionistë të rinj. Iniciativa e parë u ndërmor me dërgimin e një grupi prej 16 të rinjsh në Konferencën e Profesionistëve të Rinj të Ujit në Beograd më prill 2010. Gjatë kësaj Konference, profesionistët e rinj shqiptarë të ujit patën mundësinë të vendosnin kontaktet e para me profesionistët e rinj në rajon, si dhe të shkëmbenin ide dhe eksperienca. Pasi grupi i të rinjve u kthye ne Shqipëri, ata vendosën të krijonin Grupin e Profesionistëve të Rinj të Ujit në Shqipëri.

Nëntor 2010, Firmosja e MM me Grupin e Profesionistëve Austriakë të Ujit

Nëntor 2010, Firmosja e MM me Grupin e Profesionistëve Austriakë të Ujit

Gjithsesi, duke marrë në konsideratë nevojën e Profesionistëve të Rinj të Ujit për mbështetje, shkëmbim dijesh dhe eksperiencash, dhe duke ditur për eksperiencat e vendeve të tjera në këtë drejtim, u vendos që një formë bashkëpunimi dypalësh me grupe të tjerë të rinjsh në nivel ndërkombëtar do ishte një faktor i rëndësishëm, sidomos në periudhën e krijimit të Grupit të Profesionistëve të Rinj.
Pasi u identifikua, përmes kontaktimit me Shoqatën Ndërkombëtare të Ujit, Grupi i Profesionistëve të Rinj Austriakë të Ujit si shembull i një organizimi të suksesshëm, dhe pasi u kontaktua ky Grup, u vendos për të pasur një bashkëpunim zyrtar midis dy Grupeve, atij Austriak dhe atij Shqiptar.

Në këtë aspekt, gjatë Javës Kombëtare të Ujit në nëntor 2010, u firmos një Memorandum Mirëkuptimi midis Grupit të sapoformuar në Shqipëri të Profesionistëve të Rinj të Ujit dhe atij Austriak. Nënshkrimi i dokumentit, ceremonia e së cilit ishte pjesë e ditës së parë të punës të Konferencës Vjetore të Shoqatës më 4 nëntor 2010, u zhvillua mes znj. Katerina Ruzicka, që përfaqëson Grupin e PRU të Austrisë, dhe znj. Elisabeta Poçi, e cila përfaqëson Grupin e PRU të Shqipërisë.

Qëllimi i këtij Memorandumi është krijimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi midis dy Grupeve për të arritur objektivat e përbashkët. Sipas memorandumit, Grupet bien dakord të bashkëpunojnë për zhvillimin e një Plani Vjetor Pune, i cili do të inkurajojë dhe do mbështesë krijimin e Komitetit të PRU, i cili do përfshijë shkëmbim njohurish, organizim të vizitave studimore, binjakëzime, realizimin e seminareve mbi tema me interes të përbashkët, dhe shkëmbim të anëtarëve të PRU për praktika pune.

Misioni i Profesionistëve të Rinj të Ujit në Shqipëri

 

Grupi Shqiptar i Profesionisteve te Rinj të Ujit ka për qëllim ofrimin e informacionit dhe aktiviteteve, të cilat
synojnë të përmirësojnë formimin e rrjeteve të ndryshme midis profesionistëve të rinj si dhe mundësitë e karrierës për gjeneratat e ardhshme të profesionistëve të ujit në sektor duke rritur në këtë mënyrë vlerën e kontributit të tyre në menaxhimin e qëndrueshëm të sektorit. Ky mision mbështetet më tej nga pikat e mëposhtme kyçe:

  • Janar 2011, Takim I PRU tek zyrat e shoqatës

    Janar 2011, Takim I PRU tek zyrat e shoqatës

    Inkurajimi i profesionistëve të rinj për të qenë më të përfshirë me SHUKALB në nivel rajonal dhe kombëtar;

  • Krijimi i një mjedisi ku profesionistët e rinj të mund të takohen, të marrin informacione dhe të shkëmbejnë idetë e tyre;
  • Lehtësimi i mundësive për të mësuar dhe për tu rritur profesionalisht me anë të seminareve profesionale, turneve teknike si dhe programeve të zhvillimit të karrierës;
  • Ikurajimi në përfshirjen në aktivitete vullnetare.

 

 

Mundësitë dhe kategoritë e anëtarësimit

 

·Individë

Te gjithë individët, punonjës të kompanive të tilla si: shoqëri të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve,
punonjës të qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, inxhinierë, studiues, pedagogë, konsulentë, apo profesionistë të tjerë të interesuar për të zhvilluar karrierën në fushën e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, dhe që janë nën moshën 35 vjeç.

·Studentë

Studentët te cilët ndjekin studimet e tyre në një nga fushat si Inxhinieri Hidroteknike, Mjedisi etj.

Përfitimet e anëtarësimit në Grupin e Profesionistëve të Rinj të Ujit

  • Mundësi avancimi në karrierë
  •  Mundësi per networking
  •  Kurse trajnimi dhe seminare
  •  Konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtare
  •  Vizita studimore brenda dhe jashtë Shqipërisë
  •  Buletini i gazetës “Burimi” çdo tre muaj
  • Mundësi drejtimi dhe udhëheqjeje
  • Mundësi për të prezantuar në konferenca
  •  Mundësi për pjesëmarrje nëpër programe vullnetare
  •  Informacione për bursa
  • Lidhje me organizata të tjera

Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë             Tel/ Fax: (+355/4) 2245 101

Rruga “Pjeter Bogdani”, Pall. “Teuta”, Ap. 5/4 e-mail: info@shukalb.al
Tirana, Albania web: www.shukalb.al