Projekti i ri i Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Rrogozhinë synon të përmirësojë rrënjësisht shërbimin e furnizimit me ujë për qytetarët

Stacioni ekzistues i pompave në Rrogozhinë, i ndërtuar në vitin 1988. Foto nga UK Rrogozhinë

Stacioni ekzistues i pompave në Rrogozhinë, i ndërtuar në vitin 1988.
Foto nga UK Rrogozhinë

Bashkia e Rrogozhinës ka ndërmarrë një projekt për rindërtimin e rrjetit të ujësjellësit.  Problemet me rrjetin aktual kanë të bëjnë kryesisht me amortizimin dhe mosfunksionimin e linjave ekzistuese pjesërisht të shtrira në zonën e qytetit.  Linja e furnizimit me ujë nuk mbulon të gjitha zonat qendrore të banuara të qytetit dhe aq më tepër zonat që ndodhen në periferi, të urbanizuara në vitet e fundit.

Nga konstatimet e bëra rezulton se në zonat e mbuluara me rrjet të furnizimit me ujë nuk arrin të furnizohet më shumë se 75% e banorëve, duke llogaritur këtu vetëm shtrirjen e rrjetit në zonat urbane.  Lidhjet e pajisura me ujë matës janë 63 % të konsumatorëve që mbulohen me shërbim.  Prodhimi i ujit të pijshëm është 107.3 litër/banor/ditë, pra 30 % më pak se norma mesatare prej 150 l/b/d, dhe ky defiçit nësë shtrihet në të gjithë zonën e urbanizuar rezulton më i madh.  Nëse i referohemi vazhdimësisë së furnizimit rezulton të jetë 5.32 orë, e cila është më e ulët se mesatarja kombëtare 11 orë, dhe shumë më e ulët se norma 24 orë, për të cilën projektohen rrjetet e furnizimit me ujë.

Depo kryesore ekzistuese 300 m³ Rrogozhinë ndërtim i vitit 1988. Foto nga UK Rrogozhinë

Depo kryesore ekzistuese 300 m³ Rrogozhinë ndërtim i vitit 1988.
Foto nga UK Rrogozhinë

Investimet nga pushteti qendror në rrjetin e ujësjellësit të Rrogozhinës kanë munguar prej më tepër se 20 vitesh. Investimi i fundit për rehabilitimin e rrjetit është bërë në vitin 1994.  Në vitet 2000 dhe 2005 disa investime të vogla zgjeruan rrjetin e ujësjellësit me një tubacion të ri prej 1,500 m, që zë rreth 10% të totalit të përgjithshëm të linjave të furnizimit me ujë.  Aktualisht, linjat e transmetimit dhe të shpërndarjes janë tejet të amortizuara.  Kjo vjen jo vetëm si rezultat i mungesës së investimeve, lidhjeve të paligjshme, por edhe nga amortizimi dhe korodimi i linjave ekzistuese. Një pjesë e tubacionit është material gize dhe çeliku, të cilët kanë mbi 20 vjet që nga periudha e instalimit.

Pamje nga punimet për ujësjellësin e ri  Foto nga UK Rrogozhinë

Pamje nga punimet për ujësjellësin e ri
Foto nga UK Rrogozhinë

Nisur nga pamundësia e ofrimit të shërbimit në të gjithë zonën e urbanizuar, oraret e kufizuara të ofrimit të shërbimit, cilësia jo e mirë e ujit në pikat fundore të lidhjes së konsumatorëve me rrjetin, presioni më i ulët se sa përcaktojnë kushtet teknike, vihet re nje rënie e numrit te kontratave aktive me ujësjellësin.  Familje të ndryshme kanë shpuar puset e tyre individuale duke siguruar ujë në mënyrë të pavarur edhe pse kjo formë furnizimi është jashtë kontrollit përsa i përket standarteve të ujit të pijshëm, sikurse edhe sasisë dhe kushteve që shfrytëzohen këto puse.  Kjo situatë vështirëson mbledhjen e tarifave të perdorimit të ujit, pasi në mungesë të shërbimit të vazhduar, sigurimit të ujit nga puset dhe mungesës së matësave, familjet nuk pranojnë të paguajnë tarifën afrofe të ofrimit të shërbimit siç e përcakton legjislacioni përkatës.

Pamje nga punimet për ujësjellësin e ri  Foto nga UK Rrogozhinë

Pamje nga punimet për ujësjellësin e ri
Foto nga UK Rrogozhinë

Qyteti i Rrogozhinës ka nevojë urgjente për rehabilitimin e të gjithë rrjetit të furnizimit me ujë. Kjo evidentohet nga shqyrtimi i studimeve të mëparshme, shqetësimet e Kryetarit të Bashkisë z. Beqir Nuredini, drejtorit të UK Rrogozhinë, Ing. Bujar Meraj, si dhe te banorëve të qytetit.

Nisur nga konstatimet e mësipërme dhe analiza të ndryshme, ka nisur puna për zbatimin e projektit për ndërtimin e rrjetit të ri të furnizimit me ujë.  Objektivat që synohen të arrihen si dhe parimet bazë ku mbështet projekti i ri janë:

  • Shtrirja e rrjetit në të gjitha zonat e urbanizuara brenda qytetit duke përfshirë këtu edhe zonat periferike të tij. Kufizimet do të jenë deri në shtëpitë e vendosura mbi depot eksistuese në veri, deri në dalje të qytetit në lindje, deri tek fabrika e tubave në jug dhe deri afër rreth rrotullimit pranë autostradës në perëndim;
  • Projekti do të sigurojë presionin e nevojshëm duke bërë nje ndarje racionale të prurjeve që dërgohen në secilën prej depove dhe zonave që ato mbulojnë, për të patur një balancë optimale të sasisë së ujit që pompohet për nivele të ndryshme dhe presioneve që përfitohen pas daljes nga depo. Kjo do të përdorte në mënyrën më efiçente të mundshme energjinë elektrike të nevojshme për pompim;
  • Dizenjimi i rrjetit do të jetë unazor në mënyrë që të sigurojë prurjen dhe presionin e nevojshëm në çdo pikë të rrjetit, në oraret e pikut dhe në raste të avarive lokale;
  • Pamje nga punimet për ujësjellësin e ri  Foto nga UK Rrogozhinë

    Pamje nga punimet për ujësjellësin e ri
    Foto nga UK Rrogozhinë

    Do të rritet kapaciteti akumulues i depove për të përballuar volumin e nevojshëm, për furnizimin 24 orë në ditë i të gjithë popullsisë, por edhe duke përballuar nevojën për ujë në oraret e pikut;

  • Do t’i kushtohet vëmendje përdorimit më efikas të mundshëm i aseteve aktuale të ujësjellësit, të cilat mund të shfrytëzohen ende;
  • Rrjeti ekzistues i tubacioneve duhet të rinovohet i gjithë dhe të zëvendësohet me tuba PE 100 sipas standarteve Shqiptare dhe Europiane.
  • Do të merren masat e nevojshme për të trajtuar ujin e puseve aktuale, duke ulur fortësinë e tij në 20 gradë gjermane dhe më poshtë. Përveç kësaj do të shqyrtohen burime të tjera alternative për të siguruar sasinë dhe cilësinë e nevojshme në kohë të ujit;
  • Projekti parashikon rishikimin e normës së rritjes së popullsisë nga 2.5% të vendosur gjatë projektimit, në 1.5 % duke marrë shkas edhe nga tendenca negative e rritjes së popullsisë gjatë 15 viteve të fundit, por edhe nga studimet e INSTAT.