Roli i Rregullatorit Ekonomik në Sektorin UK në Shqipëri

Ndriçim Shani, Kryetar i Entit Rregullator të Ujit
Foto nga ERRU

Rregullatori Ekonomik nënkupton kontrollin ligjor mbi operatorët UK me qëllim kapërcimin e problemeve të karakterit monopol të shërbimeve të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.Shërbimet e furnizimit me ujë janë jetësore për komunitetin dhe përgjithësisht kanë kosto të larta, por janë ekstremisht të domosdoshme, që i detyron konsumatorët të jenë gati të paguajnë tarifa mjaft të larta vetëm që ti kenë këto shërbime.  Duke qenë shërbim monopol për shkak të domosdoshmërisë së këtyre shërbimeve ato mund të jenë të cënueshme nga ky abuzim.

1. Rregullatori si garant i aplikimit të tarifave të shërbimeve të bazuara në kosto të justifikuara

Përgjithësisht në shërbimet monopol, operatorët privatë synojnë fitime maksimale duke fryrë artificialisht kostot për rrjedhojë dhe tarifat ndaj konsumatorëve. I njëjti fenomen mund të ndodhë edhe me operatorët publike duke patur si tendencë fryrjen e kostove për shkak të produktivitetit të ulët të fuqisë punëtore, si dhe për korrupsion.

Tek operatorët publikë ndodh gjithashtu edhe fenomeni i kundërt i mbajtjes së tarifave nën kosto për arsye kryesisht politike, që rezulton edhe kjo një praktikë jo produktive. Në këto raste ato vazhdimisht janë në pritje të subvencionimeve nga qeveria qendrore për shërbimet e ofruara konsumatorëve. Mungesa e mirëmbajtjes dhe të investimeve të nevojshme në sistemet e FU dhe KUN sjell uljen e cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve.

Për arsyet e mësipërme, qeveria qendrore me anë të rregullatorëve ka adaptuar politika të cilat mundësojnë vendosjen e tarifave në nivel të tillë që të mbulojnë kostot e justifikuara, si dhe luajnë rolin e tyre si barrierë për ndalimin e rritjes së tarifave bazuar në kosto të pajustifikuara. Nga ana tjetër Rregullatori luan një rol të rëndësishëm në mënjanimin e tendencës së pushteteve vendore që për arsye politike u imponojmë shoqërive UK mbajtjen e tarifave të ulëta, me të cilat nuk arrijnë të mbulojnë kostot e justifikuara të operimit dhe të mirëmbajtjes të aktivitetit të shoqërisë.

Shkurtimisht, Rregullatori zëvendëson rolin që luan konkurrenca në vendosjen e çmimeve në tregjet e tjera jo monopole ku ofrohen shërbime nga operatorët për konsumatorët me tarifa të arsyeshme dhe që vet rregullohen nga tregu.

2. Rregullatori siguron zbatimin e politikave te qeverise qendrore, vendos standarde dhe licencon shoqëritë UK

Me reformën e decentralizimit në vend në vitin 2007 qeveria qendrore ka humbur mundësinë e kontrollit ndaj shoqërive UK, si me anë të pronësisë së aseteve, ashtu dhe me anë të emërimit të bordit dhe drejtorëve ekzekutive të tyre. Referuar ligjit organik “Për Vetëqeverisjen Vendore” shoqëritë UK janë në varësi të plotë të autoriteteve të pushteteve vendore.

Ndërkohë qeveria qendrore ka përgjegjësinë e hartimit të strategjisë dhe politikave për shëndoshjen e sektorit UK, si dhe vendosjen e objektivave përkatëse për periudhat afatshkurtra, të mesme dhe afatgjata.

Operatorët për arsyet e mësipërme përgjithësisht janë të interesuar të ndjekin objektivat të interesave të ngushta të tyre sesa ato të vendosura nga qeveria qendrore. Në këtë kuadër Rregullatori është i domosdoshëm si një instrument që garanton zbatimin e ligjshmërisë në nivel strategjik, përfshirë ato të politikave të qeverisë qendrore, si dhe vendosjen e standardeve të shërbimeve të shoqërive ndaj konsumatorëve. Nga ana tjetër Rregullatori si institucioni kompetent ka detyrën e licencimit të shoqërive UK bazuar në kritere tekniko-ligjore që këto të fundit duhet të përmbushin.

3. Pushtetet vendore kanë mungesë kapacitetesh financiare për të mundësuar subvencionimin e shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve

Në vendin tonë aktualisht 49/57 të shoqërive UK kanë nevojë për subvencione për të mbuluar kostot e Operim & Mirëmbajtjes për shërbimet e ofruara, në të cilat duhen shtuar edhe kostot për investimet e nevojshme në sektor.

Nga ana tjetër asnjë nga pushtetet vendore në vend nuk gjeneron të ardhura nga sistemi vendor fiskal që të arrijë të mbulojë 100% e më shumë të kërkesave që i detyron ligji për të kryer funksionet e veta. Aktualisht të ardhurat e gjeneruara nga sistemi fiskal prej tyre rezultojnë në vlerat jo më shumë se 70% për mbulimin e këtyre kërkesave. Kjo gjendje përbën një pengesë që pushtetet vendore të mund të jenë financiarisht të afta që të mund të kompensojnë diferencat kosto-të ardhura nga tarifa në ofrimin e shërbimeve UK. Varësia nga qeveria qendrore shtrihet akoma më tej për të financuar nevojat për investime fizike në sistemet e FU dhe KUN.

Përligjësimi i kësaj varësie i orienton pushtetet vendore që ti mbajnë në nivel të ulët (nën kosto)  tarifat e shërbimeve UK meqë subvencionimi i tyre kryhet relativisht lehtë nga qeveria qendrore.

Për sa më sipër është e nevojshme që analiza, vendim-marrja dhe monitorimi i tarifave sipas kostove të justifikuara dhe të përballueshme nga konsumatorët të jetë atribut i Rregullatorit si organ i specializuar në këto drejtime dhe me autoritetin e duhur për të garantuar këtë proces.

4. Pushtetet vendore kanë nevojë për asistencë për të implementuar metodologjinë e vendosjes së tarifave, monitorimin dhe plotësimin e kushteve të licencës nga shoqëritë UK

Në përgjithësi pushtetet vendore nuk i kanë kapacitetet e duhura për të përmbushur në mënyrë të pavarur zbatimin e kërkesave të një metodologjie të kohës për vendosjen e tarifave ndaj konsumatorëve. Rregullatori luan një rol të rëndësishëm duke asistuar shoqëritë UK kur ato aplikojnë për tarifa të reja pranë saj, si dhe duke monitoruar zbatimin e kërkesave dhe standardeve që kërkon metodologjia e vendosjes së tarifave. Shoqëritë UK kanë nevojë gjithashtu të monitorohen nëse i aplikojnë në mënyrë korrekte tarifat e aprovuara nga Rregullatori, si dhe të kushteve të licencës së përftuar nga kjo e fundit.

Si konkluzion, Rregullatori në një mjedis monopoli shërbimesh luan rolin, si :

“Institucioni që Vendos Rregullat, Monitoron, Detyron – Ndryshon Tarifat, vendos standardet e shërbimeve dhe licencon për to shoqëritë UK.”.