Partnerët Globalë

SHUKALB beson se partneritetet profesionale në nivel rajonal dhe ndërkombëtar kontribuojnë në zhvillimin profesional dhe të kuptuarin përtej-kufijve. Për ketë arsye, SHUKALB  është aktive në partneritete të ndryshme të cilat përfshijnë:

  • Partneritetin e Shoqatave të Ujësjellësit të Ballkanit Perëndimor

Partneriteti i Shoqatave të Ujësjellësit të Ballkanit Perëndimor është një platformë bashkëpunimi e Shoqatave te Ujësjellësit të katër vendeve fqinje: Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Partneriteti synon të përmirësojë planifikimin e përbashkët rajonal, zhvillimin dhe implementimin e programeve dhe aktiviteteve me qëllim rritjen e kapaciteteve të siguruesve të shërbimit në fushën e ujësjellës kanalizimeve në rajon për ti shërbyer konsumatorëve në mënyrë profesionale dhe efiçente.

  • Shoqata Ndërkombëtare e Ujit (IWA)

IWA është një pikë referimi globale për profesionistët e sektorit të ujit, siguron vazhdimësi mes kërkimeve dhe praktikave, dhe mbulon të gjitha aspektet e ciklit të ujit. Përmes rrjetit te anëtarëve dhe ekspertëve në kërkime, praktika, rregullore, industri, konsulencë dhe prodhim, IWA ndihmon profesionistët e ujit të krijojnë zgjidhje inovative, pragmatike dhe të qëndrueshme ndaj nevojave globale. Shqipëria si pjesë e IWA që prej vitit 2010, është emëruar së fundmi në Bordin Drejtues të IWA.

  • Shoqata Europiane e Ujit (EWA)

EWA është një organizatë e pavarur, joqeveritare e cila merret me menaxhimin dhe përmirësimin e sektorit të ujit. Ajo është një nga shoqatat më të mëdha të profesionistëve në Europë dhe mbulon të gjithë sektorin e ujit, kanalizimeve si edhe ujin e pijshëm, ujin e trajtuar, ujin e përdorur të trajtuar dhe mbetje të tjera të lidhura me to. Shqipëria është pjesë e EWA që nga viti 2006. Së fundmi, Shqipëria është emëruar të jetë pjesë e Komitetit Drejtues të EWA.

  • Aleanca e Partneriteteve Globale te Operatorëve të Ujit (GWOPA)

GWOPA është një rrjet partnerësh të angazhuar të asistojnë operatorët e ujit për të ndihmuar njëri-tjetrin në përmirësimin e kapaciteteve kolektive, në sigurimin e aksesit në shërbimet e ujësjellës kanalizimeve për te gjithë. Shoqata e Ujësjellës Kanalizimeve e Shqipërisë ka qenë anëtare e GWOPA-s që prej vitit 2010.  Përmes GWOPA-s, Shqipëria është një partner kryesor në Partneritetet e Operatorëve të Ujit në Europën Juglindore dhe drejtohet nga Shoqata Ndërkombëtare e Ujit.

  • Grupi i Profesionistëve te Rinj të Ujit të Shqipërisë

Pas identifikimit të nevojës së vazhdueshme për profesionistë në sektorin e ujit në Shqipëri, SHUKALB krijoi Grupin e Profesionistëve të Rinj të Ujit në vend. Ky grup është pjesë e iniciativës së Profesionistëve të Rinj të Ujit të Shoqatës Ndërkombëtare të Ujit (IWA), dhe synon të sigurojë informacione, burime dhe evente që do të përmirësojnë rrjetin dhe mundësinë e të bërit karrierë për brezin tjetër të profesionistëve të ujit.