Shoqëria Ujësjellës Gramsh investon në rindërtimin e rrjetit të brendshëm të furnizimit me ujë

Foto nga punimet për rikonstruksionin e rrjetit të brendshëm të furnizimit me ujë në qytetin e Gramshit
Foto nga Ujësjellës Gramsh

Në muajin tetor 2019, Shoqëria Ujësjellës Gramsh nisi zbatimin e investimit për rindërtimin e rrjetit të brendshëm të furnizimit me ujë për qytetin e Gramshit. Ky investim është financuar nga Qeveria Shqiptare dhe implementohet nga Agjensia Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.  Vlera totale e investimit është rreth 221.2 milion Lekë dhe është planifikuar të përfundojë brenda 3 viteve.

Investimi u miratua falë përpjekjeve të vazhdueshme të bëra nga Shoqëria Ujësjellës Gramsh për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të ujit për konsumatorët e saj, si dhe Bashkia Gramsh, e cila mundësoi hartimin e projektit të rindërtimit.

Ky investim do të mbulojë një zonë prej rreth 15,000 banorë, dhe për shkak të rritjes së presionit shërbimi i furnizimit me ujë do të arrijë në zona të reja siç janë fshatrat Pishaj dhe Llapushaj.

Investimi synon të sigurojë furnizim me ujë 24 orë për konsumatorët, duke ulur ndjeshëm kostot e mirëmbajtjes dhe operimit të rrjetit për shoqërinë, dhe përmirësimin e cilësisë së ujit të pijshëm, i cili është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit publik.  Rrjeti aktual i furnizimit me ujë është i amortizuar shumë për shkak të jetëgjatësisë së tij prej 50 vitesh, dhe si pasoje shkakton kosto të larta mirëmbajtjeje dhe ndotje të mundshme të ujit.  Riparimi i tubacioneve të dëmtuara shkakton edhe ndërprerje të shërbimit të furnizimit me ujë.

Investimi përfshin instalimin e tubave plastikë HDPE, si dhe ndërtimin e një rezervuari të ri 2,000 m3 që do të mundësojë furnizimin me ujë 24/7 dhe optimizimin e presionit të ujit në rrjetin e shpërndarjes.  Investimi parashikon ndërhyrje në të gjithë rrjetin shpërndarës të qytetit, përveç disa zonave që tashmë kanë një rrjet të ri falë një investimi të mëparshëm gjatë viteve 2016-2017.  Për më tepër, investimi përfshin instalimin e ujëmatësve për klientët në masën 100% nga 80% që është aktualisht.