Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Durrës: Investime për ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve

Gjatë punimeve për ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve në Durrës
Foto nga UK Durrës

Investimi për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura në një zonë që shtrihet në lagjet 7 dhe 10 të qytetit Durrësit, po shkon drejt perfundimit.  Projekti në fjalë është hartuar nga dega teknike pranë Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Durrës (UK Durrës) dhe shtrihet përgjatë rrugëve “Punëtorët e Rilindjes”, “Isuf Molla” dhe “Afërdita” në lagjen nr.7 si dhe në rrugët “Luftëtarët e Lirisë”, “Horizonti i Kaltër”,  “Akropoli” dhe “Pompeu” që janë pjesë e lagjes nr 10.

Projekti u mundësua pas kërkesës së banorëve të zonës si dhe faktit se duke qenë një zonë e populluar vitet e fundit, ajo nuk ka pasur një rrjet të mirëfilltë kanalizimesh të ujërave të ndotura.  Zona në fjalë gjendet në pjesën kodrinore të qytetit, në pjesën veriperëndimore të tij.  Në të banojnë rreth 800 banorë dhe karakteristikë e ndërtimeve janë banesat private një dhe dy katëshe.  Banorët kanë operuar deri tani me gropa septike, të cilat janë ndërtuar jashtë kushteve teknike dhe shkaktojnë filtrime të ujërave të ndotura duke sjellë probleme edhe në infrastrukturën e zonës.

Rrjeti i ri i kanalizimeve do të lidhet me kolektorin ekzistues, i cili përfundon në imipiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Shenavlash.  Projekti ka marrë në konsideratë ato objekte që nuk janë përfshirë në projektin e mëparshëm të kanalizimit duke sistemuar në këtë mënyrë të gjithë zonën me rrjet të ri kanalizimi.

Ndërtimi i këtij rrjeti të kanalizimeve do të bëjë të panevojshme nevojën për gropa septike, duke garantuar kështu një mjedis të pastër.  Në total, projekti parashikon ndërtimin e një rrjeti shpërndarës prej 1,700 metrash si dhe 80 puseta shkarkimi.

Spartak Kovaçi, Drejtor i UK Durrës gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve
Foto nga UK Durrës

I pyetur me këtë rast, Drejtori i UK Durrës, Spartak Kovaçi u shpreh se me këtë investim zona kodrinore e ka të zgjidhur problemin e kanalizimeve dhe të ujit të pijshëm, ndërsa kryeinxhinieri i UK Durrës, Gerald Dautaj shprehet se pas innvestimit disa vite më parë për ujin e pijshëm, tashmë kjo zonë ka edhe një rrjet funksional të ujërave të ndotura.  “Para disa vitesh kemi nisur investimet në këtë zonë përsa i përket ujit të pijshëm, i cili ka përfunduar dhe tani zona furnizohet me ujë të pijshëm rregullisht, ndërsa pjesa e fundit ishte pjesa e kanalizimeve për shkarkimin e ujërave të zeza. E gjithë zona mbulohet 100 përqind përsa i përket pjesës së kanalizimeve dhe po 100 përqind edhe në furnizimin me ujë, – u shpreh kryeinxhinieri Dautaj.