Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Durrës përfundon me sukses investimet e ujësjellësit dhe trajtimit të ujërave të ndotura në Gjirin e Lalëzit

Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura, Gjiri i Lalëzit, UK Durrës
Foto nga Uk Durrës

Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Durrës (UK Durrës) ka përfunduar sëfundmi projektin për ndërtimin e kolektorit kryesor të ujërave të ndotura dhe Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura (ITUN) për zonën turistike të Gjirit të Lalëzit.  Ky projekt parashikonte ndërtimin e 6.2 km rrjet kanalizimi me dimensione 400 mm÷630 mm, ndërtimin e 4 stacioneve të pompimit dhe ndërtimin e ITUN.

Investimi u mundësua përmes fondeve të buxhetit të shtetit me vlerë prej 1,31 miliard lekë, punimet e sëcilës nisën në muajin nëntor 2016 dhe përfunduan në qershor 2019.   Investimi do të bëjë të mundur grumbullimin dhe trajtimin e ujrave të ndotura për Njësinë Administrative Ishëm, të Bashkisë Durrës, (Lalëz, Likmetaj, Kërtushaj, Kapidanaj, Gjuricaj, Kuraten, Bizë, Draç, Shetaj).

Kolektori kryesor funksionon me 4 stacione pompimi të ndërmjetme të cilët janë të pajisur me pompa zhytëse për ujërat e ndotura, të cilat pompojnë ujërat e ndotura nga njëri stacion në tjetrin derisa mbërrijnë tek impianti i trajtimit.  ITUN i Gjirit të Lalëzit përdor një proces të llumit aktiv, i cili përfshin trajtimin biologjik të ujërave të ndotura përmes baseneve të ajrimit, tretësit aerobik dhe trashësuesve të llumit. Impianti i Trajtimit parashikohet të vihet në operim të plotë brenda këtij viti.

Stacion pompimi të ujërave të ndotura, ITUN Gjiri i Lalëzit, UK Durrës
Foto nga UK Durrës

Gjithashtu, UK Durrës ka përfunduar fazën e parë të ndërtimit të rrjetit të jashtëm të ujësjellësit të Gjirit të Lalëzit.  Ky investim me vlerë 358,4 milion lekë me fonde nga buxheti i shtetit, ka filluar në Qershor 2016 dhe ka përfunduar në Tetor 2018.

Projekti parashikon të garantojë sasinë e furnizimit me ujë 24 orë për të gjithë zonën e Gjirit Lalëzit. Furnizimi me ujë do të bëhet nëpërmjet një tubacioni 450 mm dhe një depoje të re me kapacitet 1500 m3.

Të dy investimet e mesipërme të UK Durrës do të mundësojnë një shërbim më të mirë jo vetëm për 30,000 banorët e Njësisë Administrative Ishëm, por edhe mbrojtjen e mjedisit për një zonë që është bërë një nga atraksionet më të njohura turistike vitet e fundit si për turistët vendas ashtu edhe për ata të huaj.