Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Lezhë merr vlerësime pozitive gjatë takimeve të qeverisë Shqiptare në qytetin e Lezhës

Zef Maci

Gjatë vizitës së qeverisë në ambjentet e Ujësjellës Kanalizime Lezhë (UK Lezhë). Nga e djathta në të majtë: Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, Zef Maci, Drejtor i UK Lezhë dhe Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës Foto nga https://www.facebook.com/edirama.al

Më datë 12 janar 2018, në Lezhë, u organizua mbledhja e parë për vitin 2018 e qeverisë së Shqipërisë, ndërsa ditën e nesërme u organizua një takim me drejtues të institucioneve qendrore e vendore të qytetit të Lezhës.  Gjatë takimit kryeministri, z. Edi Rama, ndër të tjera, u ndal dhe te reforma e ujit duke e cilësuar si një element shumë të rëndësishëm të procesit qeverisës të këtij viti dhe shprehu vullnetin e qeverisë për ta çuar përpara këtë reformë.

Gjatë fjalës së tij, z. Rama dha mesazhe të qarta për zbatimin e reformës, ku theksoi: “Dje, me vendimin e qeverisë që kemi marrë këtu në Lezhë kemi përcaktuar edhe mbështetjen financiare për të gjitha familjet në nevojë për vendosjen e matësve falas dhe pastaj, për të subvencionuar pagesën e ujit. Është e domosdoshme që të vazhdojmë të rrisim ndjeshmërinë lidhur me faktin se ky është muaji i fundit në të cilin ata konsumatorë, biznese apo familjarë që kanë lidhje të paligjshme të legalizojnë lidhjet, të vendosin matësit, pa asnjë penalizim. Ndërkohë që duke filluar nga muaji shkurt, kjo gjë do të bëhet, por do të ketë penalizime dhe pasoja”.

Z. Rama preku dhe disa nga problematikat që kanë rënduar sektorin e ujit, siç është tejpolitizimi i administratës së shoqërive ujësjellës kanalizime, duke i mbingarkuar me paga për individë që tejkalojnë nevojat e shoqërisë për staf dhe që nuk kanë formimin apo aftësitë e duhura.

Në vazhdim fjalën e mori Z. Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës, i cili vlerësoi rëndësinë e ujit si një element jetik për qytetarët por dhe infrastrukturor, pasi që të sigurojmë furnizimin me ujë nevojiten investime dhe komponentë të tillë që e bëjnë të mundur, duke e vënë theksin te disiplina financiare për ta paguar dhe mirëadministrimin për të mos e shpërdoruar.  Z. Gjiknuri u tërhoqi vëmendjen bashkive për të marrë rolin e lidershipit në këtë proces pasi në të kundërt do të jetë shumë e vështirë. “Qeveria shqiptare nuk do të subvencionojë dhe nuk do të investojë në ato ndërmarrje ujësjellës kanalizime dhe në ato bashki që nuk veprojnë dhe që e quajnë këtë si një detyrë të qeverisë”, – tha ministri Gjiknuri.

Më pas Z. Gjiknuri bëri të ditur se investimet në sektor do të bëhen në bazë të perfomancës, prandaj është e nevojshme mirëadministrimi i shoqërive ujësjellës kanalizime. “Ndryshe nëse këto ujësjellësa nuk do të mirëadministrohen ne po përgatisim dhe paketën ligjore që këto ujësjellësa të agregohen, t’i bashkohen ujësjellësave më të suksesshëm, dhe vetë shteti do të marrë një rol që këta ujësjellesa të jenë performues”, – tha në fjalën e tij ministri Gjiknuri.  Në përfundim, ai falenderoi drejtorin e Ujësjellës Kanalizime Lezhë, z. Zef Maçi, duke e cilësuar si shumë bashkëpunues dhe duke e vlerësuar për mendimet shumë të vyera në aspekt të reformës.  “Siç kemi shembuj të mirë këtu, kemi dhe shembuj  negativë. Këto na vlejnë për t’i treguar të tjerëve se ku ka vullnet dhe ku ka menaxhim të mirë, atëherë dhe kjo punë që quhet më e vështirë jam i bindur që do të realizohet”, – e mbylli fjalën ministri.

Më pas fjalën e mori z. Zef Maçi, Drejtor i UK Lezhë, i cili deklaroi se falë projektit shumë serioz të qeverisë Shqiptare, qeverisë Zvicerane, Bankës Gjermane për Zhvillim dhe mbështetjes së pakursyer të bashkisë Lezhë, është realizuar një projekt strategjik dhe shumë i rëndësishëm i cili prek 45,000 banorë dhe siguron furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm.  Z. Maçi u ndal te reforma e ujit ku tregoi se janë kryer të gjitha praktikat ligjore për kalimin ish ujësjellësave të ish njësive administrative pranë UK Lezhë, ku kanë përfunduar kontabilizimet, inventarizimet, janë lidhur të gjitha kontratat për abonentët dhe faturat elektronike me TVSH, konform ligjit.  Gjatë vitit 2017 janë lidhur 4,500 kontrata të reja, janë vendosur 4,700 matësa të rinj dhe që nga 1 nëntori është ngritur një ekip që ka studjuar me thellësi dhe në mënyrë profesionale praktikat që do të ndiqen për reformën, ku po grumbullohen të gjitha dokumentat ligjore e administrative që reforma të jetë e suksesshme.

Në përfundim, drejtor Maçi tha: “Kjo nuk është reforma jonë në fakt, por për njerëzit.  Në këtë reformë janë qytetarët që do të përfitojnë ndërsa ne do të marrim përgjegjësitë.  Në rradhë të parë do të reformojmë ujësjellësat dhe besoj që jemi në rrugën e duhur.  Ne kemi ulur humbjet e ujit, jemi një kompani që kemi patur një trend rritjeje gjatë të gjithë viteve përsa i përket treguesve të performancës”.

Pas përfundimit të takimit, i cili trajtoi dhe çështje të tjera si turizmi, agro-turizmi, infrastruktura, energjia etj, u zhvillua një vizitë në ambjentet e shoqërisë UK Lezhë, ku u vlerësua me nota shumë pozitive investimet e kryera dhe mirëadministrimi i shoqërisë.