Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë nis zbatimin e projektit per zgjerimin e kapacitetit të Impiantit të Bovillës për Trajtimin e Ujit të Pijshëm

Impianti i Bovillës për Trajtimin e Ujit të Pijshëm
Foto nga UKT

Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) ka nisur zbatimin e njërit prej investimeve më të rëndësishme dhe me ndikim madhor në furnizimin e konsumatorëve të saj.  Pas 20 vitesh që nga vënia në punë e impiantit të përpunimit të ujit Bovillë,UKT i rikthehet sërish më një projekt për zgjerimin e tij, deri në dyfishimin e kapacitetit përpunues.  Impianti i Bovillës është vënë në punë për të furnizuar një qytet me rreth 300 mijë banorë, ndërkohë që aktualisht popullsia e Kryeqytetit është tre-fishuar.

Faza e parë e këtij projekti përfshin rritjen me 30% të kapacitetit përpunues, për t’u ndjekur në vijim nga zgjerime të mëtejshme deri në dyfishimin e tij. Në tërësinë e tij, projekti është hartuar me një prespektivë 25 vjeçare, si dhe më aftësi prodhimi deri në 3600 litra në sekondë.

Aktualisht Impianti përpunon 1800 litra ujë në sekondë, me zgjerimin e tij në fazën e parë sasia përpunuese arrin në 2400 litra ujë në sekondë.  Vepra e marrjes së ujit do të jetë rreth 280 metra mbi nivelin e detit, dhe do të transmetohet përmes tubacioneve me dimension 1200 – 900 mm, një tjetër investim ky, përmes të cilit njëkohësisht do të ndërtohet një linjë transmetimi tërësisht të re, brenda të gjitha parametrave botërore për të garantuar kështu siguri dhe cilësi maksimale.

Gjatë punimeve për zgjerimin e Impiantit të Bovillës për Trajtimin e Ujit të Pijshëm
Foto nga UKT

Ndërkohë që vaska e re për trajtimin e prurjes 600 l/sec është e përbërë nga vepra civile si dhe nga aparaturat e nevojshme, tubacione dhe instrumenta të impianteve elektrike,  të cilat pas finalizimit të punimeve do t’i nënshtrohen testeve  intensive si dhe një pune përgatitore për vënien në punë.

Njëkohësisht me zgjerimin e impiantit Bovillë, ka nisur dhe ndërtimi i linjës së transmetimit nga ky impiant në Depon e Yzberishtit.  Kjo linjë transmetimi do të bëjë të mundur mbulimin me shërbim të zonave si Yzberisht, Astir, Kombinat, Kodër Kamëz, Yrshek, Kashar etj, të cilat deri tani janë furnizuar përmes stacioneve të pompimit.  Eliminimi i stacioneve të pompimit ka efektivitet të lartë për shoqërinë, duke qënë se ndihmon ndjeshëm në kursimin e energjisë elektrike të përdorur për furnizimin e zonës, gjithashtu siguron  furnizim të qëndrueshëm përmes impiantit dhe siguri maksimale në cilësinë e ujit të ofruar.  Në përfundim të verës projektet do të jenë zbatuar, për të nisur kështu një epokë të re të furnizimit me ujë të pijshëm për kryeqytetin.