Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë përuron shtesën e re të Impiantit të Bovillës për Trajtimin e Ujit të Pijshëm

Pamje nga shtesa e Impiantit të Bovillës
Foto nga UK Tiranë

Para pak ditësh në ambientet e Impiantit të Bovillës u inaugurua shtesa e re e kryer në këtë impiant dhe vënia në punë e saj së bashku më të dy linjat e transmetimit. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë shumë personalitete të rëndësishme si z Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, znj. Belinda Balluku, Ministre Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Alqi Bllako, Drejtor i Përgjithshëm, Agjencia Ujësjellës, Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), si dhe shumë përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Përmes këtij projekti, Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UK Tiranë) është bërë shoqëria e parë ujësjellës kanalizime në Shqipëri dhe ndër më të paktat në rajon që kanë përmbushur kriteret e besueshmërisë për të siguruar një kredi për investime të tilla, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

I gjithë projekti është i ndarë në tre faza të rëndësishme, siç janë:

Zgjerimi i impiantit trajtues të Bovillës

Aktualisht ka përfunduar zgjerimi i impiantit të Bovillës me 40% më shumë të kapacitetit të tij trajtues; nga 1800 l/sec, tashmë përpunohen 2500 l/sec ujë i pijshëm. Vepra e marrjes së ujit është rreth 280 metra mbi nivelin e detit dhe transmetohet përmes tubacioneve me dimension 1200 – 900 mm.

Vaska e re ku trajtohen prurjet e reja prej 700 l/sec është e përbërë nga vepra civile si dhe nga aparaturat e nevojshme, tubacione dhe instrumenta të impianteve elektrike. Ky projekt, për shtimin e impiantit të përpunimit të ujit të pijshëm Bovillë me +700l/sec, është në përputhje të plotë me strategjinë e Bashkisë Tiranë si dhe me objektivat e Ujësjellës Kanalizime Tiranë.

Ndërtimi i linjës së transmetimit nga impianti i trajtimit të ujit deri në Depon e Yzberishtit

Gjatë inagurimit të shtesës së Impiantit të Bovillës, me pjesëmarrjen e (nga e majta në të djathtë) z. Redi Molla, Drejtor i Përgjjithshëm, UK Tiranë; znj. Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe z. Alqi Bllako, Drejtor i Përgjithshëm, AKUM.
Foto nga UK Tiranë

Kjo linjë është vënë në punë në muajin shtator 2019 dhe ka për qëllim kryesor furnizimin me ujë të zonës së banuar të Yzberishtit, Kodër Kamzës, Bathore, Institut, Kashar, Selitë e Liqeni i Thatë, përmes impiantit të Bovillës.

Një tjetër ndikim të rëndësishëm që ka vënia në punë e këtij investimi pas përfundimit të tij është dhe nxjerrja nga puna e stacioneve të pompimit të Bërxull, Laknas, Coca-Cola, Buka, Pema, Silikati e Pishina – të cilat kanë kosto të larta energjitike.

Furnizimi i zonave të mësipërme direkt nga impianti i Bovillës siguron furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor për të gjithë konsumatorët banues në këto hapësira të zhvilluara rishtaz.

Numri aktual i banorëve të zonës jug-perëndimore të qytetit (Yzberisht, Kombinat, Kashar, Kodër Kamëz etj) që do të furnizohen me ujë përmes kësaj linje të re është aktualisht rreth 250.000 banorë.

Linja është ndërtuar nga tubacion çeliku DN 1100 mm, me gjatësi 5040 metra linear.

Si dhe ndërtimi i linjës së transmetimit ujëmbledhës Bovillë deri në impiantin e trajtimit të ujit të pijshëm

Në kuadër të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Artigiancassa, Itali, “Për Financimin e Përbërësve të Asistencës teknike për ndërmarrjen e Ujrave dhe të Ndërhyrjeve Infrastrukturore të Rrjetit Hidrik, nr. FROT. / AID 99/004,  Ligji Nr.8619, datë 14.06.2000, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve ka përfunduar projektin “Rehabilitim i Rrjetit Hidrik të Tiranës”, me përfitues Ujësjellës Kanalizime Tiranë – Bashkia Tiranë.

Ky projekt përfshin ndërtimin e një tubacioni të ri furnizimi midis Ujëmbledhësit të Bovillës dhe Impiantit të trajtimit të ujit të pijshëm. Ai konsiston në vendosjen e një tubi të ri gize sferoidale DN 1200 dhe DN 900, traseja e të cilit në pjesën më të madhe është  paralele me tubacionin ekzistues të çelikut DN 900 me qëllim të dyfishimit të prurjes dhe përmbushjes së nevojave të furnizimit me ujë, duke vendosur një normë totale mesatare ditore të re prej 3600 l/s në kushte normale të operimit (në 309.00 m m.n.d). Kjo linjë është e gjatë 10 km dhe krijon një mënyrë alternative furnizimi për pjesën më të madhe të qytetit duke siguruar furnizim të vazhdueshëm edhe në rast defektesh të shfaqura në linjën ekzistuese.

Pranë Ujëmbledhësit të Bovillës linja është lidhur përmes kolektorit kryesor të digës, ndërsa në impiantin e trajtimit të ujit përmes një bypass-i të dedikuar.

Finalizimi i të tre investimeve të cituara më lart ndikon rrënjësisht në rikonceptimin e regjimit të furnizimit të Tiranës Urbane duke bërë të mundur furnizimin e qëndrueshëm 24 orë në shtatë ditë të javës për 62% të popullsisë, rreth 510 mijë banorë.